Si ta lexojmë vendimin e Kushtetueses për spastrimin e politikës në Kosovë!

Opinione

Si ta lexojmë vendimin e Kushtetueses për spastrimin e politikës në Kosovë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 23 janar 2021 Në ora: 08:31
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar rregullin, sipas të cilit kushdo që ka një vendim të formës së prerë të dënimit nga gjykata në tri vitet e fundit, të mos mund të kandidojë për zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo klauzolë u ngrit pasi që vota e Ethem Arifit për qeverinë Hoti u gjet e parregullt dhe jo valide. Në zbatim të këtij vendimi të Kushtetueses rezultuan se 47 kandidatë për deputetë të nominuar nga partitë politike i përkasin kësaj kategorie dhe ata nuk mund të kandidojnë për të qenë deputeët të legjislativit të ardhshëm. Në mesin e këtyre deputetëve është dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të cilin debati është shumë i ndezur dhe i ashpër.

Unë e kuptoj se kryetarja e KQZ-së Valdete Daka është e kënaqur me këto zhvillime, sepse e shoh deri diku si mbetje të garniturës së vjetër të Hashim Thaçit në strukturat e institucioneve të Kosovës. E kuptoj gjithashtu se mohimi i së drejtës për të kandiduar për Albin Kurtin është i pamotivuar politikisht e moralisht, sepse dënimi i tij vjen pas një akti politik që ai ndërmori në parlamentin e Kosovës dhe pasi ai ushtroi, pavarësisht dënimit, detyrën e deputetit dhe të kryeministrit të vendit. Nuk e di ku ishin në këtë rast Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pse ato nuk zbatuan rigorozisht ligjin në këtë proces!

Por vendimi i kushtetuses nuk duhet parë bardh e zi. Në parim ky vendim i kushtetueses së Kosovës ka dhe do të ketë efekte pozitive, sepse parandalon kapjen e parlamentit nga elementë kriminalë, deri te ata ordinerë. Kjo kategori kandidatësh vijnë në listat e partive jo për merita dhe aftësitë e tyre politike, as për alternativat, idetë, vizionet dhe kontributet politike, por si elementë, të cilët kanë para, kanë rreth të gjerë votuesish dhe për të garantuar fitoren e tyre e për t'i sjellë vota partisë përdoin forcën fizike, në vend të arsyes dhe forcës së mendjes.

Evitimi i këtij fenomeni më duket se është synimi dhe objektivi kryesor i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se kjo gjykatë po bën gjithashtu një lloj vetingu të politikanëve të vendit, gjë e cila u refuzua me arrogancë në Shqipëri nga kreu i mazhorancës, Edi Rama. Çlirimi i parlamentit të Kosovës, por dhe atj të Shqipërisë nga "të fortët", që janë implikuar në vepra penale ose janë kontigjent i pjesës politike që bashkëpunon me krimin e organizuar, është detyra e parë dhe themelore për të garantuar një qeverisje të mirë në të dy vendet. Kosova duket se është në rrugë të mbarë dhe ka krijuar mekanizmin e nevojshëm për ta pastruar politikën nga kjo kategori të ashtuquajturish politikanë. Shqipëria nuk e ka ende një mekanizëm të tillë. Gjithçka varet nga vullneti i liderëve politikë, pavarësisht kërkesave dhe presionit të ambasadores amerikane, Juri Kim. Nëse lideri është modern, nuk përfshin në lista "të fortë" e kriminelë, në të kundërtën do të shohim se kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit do të vijnë gjithashtu nga radhët e trafikantëve me para të madhe!

Ta pastrosh politikën nga "të fortët" e saj është misioni më i rëndësishëm në kushtet e sotme. Kosova jep shembullin se si mund të bëhet kjo, nëse politika nuk është e gatshme, si në Shqipëri, të përballet me këtë fenomen. Nuk janë pak 47 kandidatë për deputetë, të cilët duhet të largohen nga kandidimi. Dhe duhet presupozuar se shumica prej tyre do të ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës. Por shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të shkojë drejt angazhimit të saj për të refuzuar me neveri elementin kriminal në përfaqësimin politik. Kjo do të ishte më e mira e mundshme.

Megjithatë ligji në Kosovë ka përfshirë në këtë kategori edhe Albin Kurtin dhe disa kandidatë për deputetë të partisë së tij si dhe të AAK-së. Edhe pse këta mund të mos kandidojnë për shkak të ligjit, shoqëria ka detyrë ta bëjë diferencimin midis deputetëve kriminelë ordinerë e të pamoral dhe kandidatëve të dënuar për shkak të një aksioni politik. Mos kandidimi i këtyre deputetëve moralisht e politikisht është i padrejtë. Por ligjërisht është korrekt. Për ta eliminuar efektin negativ të këtij vendimi, për të cilin duket se Valdete Daka është shumë e lumtur, shoqëria dhe votuesit duhet të kompensojnë dëmin që shkaktohet për sjelljen në pushtet të forcave progresive dhe ndryshimin e madh në Kosovë.

Akti i moslejimit të Albin Kurtit për të kandiduar është i dëmshëm nga çdo pikëpamje të përmbajtjes. Por formalisht e shoh korrekt. Kreu i Vetëvendosjes ishte kryeministër dhe u largua nga detyra përmes një puçi të paramenduar dhe organizuar nga një i akuzuar për krime lufte, si Hashim Thaçi, të cilin e mbështetën shumica e LDK-së. Në këto kushte ai ka të drejtën në frymën kushtetuese të ballafaqohet me elektoratin për të provuar se akti i shkarkimit të tij ishte i shëmtuar ose legjitim. Nëse i mohohet kjo e drejtë, atëherë shoqëria kosovare nuk do ta kuptojë të vërtetën që qëndron në rastin e rrëzimit të Albin Kurtit. Së dyti, kreu i Vetëvendosjes ka të drejtë spias ligjit të bëhet kryeministër, por nuk paska të drejtë të bëhet deputet. Kjo klauzolë është e pakuptimtë dhe paradoksale. Megjithatë, unë besoj se ndalimi i zotit Kurti për të kandiduar për shkak të dënimit që ai ka marrë për gazin lotsjellës në parlamentin e Kosovës ka një efekt pozitiv. I mëson politikanët në Kosovë të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë ligjet e shtetit kur zhvillojnë aksione politike.

Në përfundim do të thoja që pavarësisht se estabilishmenti I vjetër është gëzuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ky vendim krijon më shumë mundësi dhe avantazhe, sesa pengesa në ushtrimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Si i tillë ai duhet të respektohet dhe aplikohet nga çdo subjekt politik, duke realizuar procedurat e ankesave ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat