A është Gafë e Ministrisë së Jashtme- dëbimi i diplomatit rus?

Opinione

A është Gafë e Ministrisë së Jashtme- dëbimi i diplomatit rus?

Nga: Pirro Prifti Më: 23 janar 2021 Në ora: 19:20
Pirro Prifti

Me 21 janar 2021, Shqipëria ka shpallur “person non grata” (person të padëshirueshëm) sekretarin e dyte te ambasades ruse, diplomatin Alexey Krivosheev nga Rusia.

Argumenti i dëbimit është surreal: për shkak të mos respektimit të përsëritur të mbajtjes së Maskës dhe të rregullave Anti-Covid-19. Më saktë njoftimi që vjen nga Ministria e Jashtme është:`` "Që prej muajit prill, 2020, por edhe në fillim të këtij viti, se ai (diplomatin Alexey Krivosheev) ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme karantinën gjatë muajit prill duke lëvizur jashtë orarit të lejuar., Qeveria shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura të masave të marra nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë", thuhet në njoftimin e dhënë nga Ministria e Jashtme shqiptare.

Gjithashtu në njoftim thuhet se përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke ia bërë me dije “shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-COVID-19 nga diplomati dhe se ..sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”, thuhet në njoftim. Dhe për ta zbutur këtë vendim paksa jo normal Ministria e Jashtme e Shqipërisë uron që “ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse” dhe se “Shqipëria e siguron palën ruse për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve” (Shqipëria shpall “person non grata” diplomatin rus (evropaelire.org).

Një kundërpërgjigje e ashpër ka ardhur nga zv. Ministri i Jashtëm rus Aleksandër Grusho i cili e vlerëson dëbimin e diplomatit rus : “si një provokim që synon dëmtimin e lidhjeve dypalëshe” tha të Premten Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Alexander Grushko.

Në të njëjtën kohë, Tirana shprehu shpresën se ky vendim do të perceptohet nga Moska si një masë e detyrueshme për të mbrojtur shëndetin dhe gjithashtu siguroi palën ruse për ndjenjat miqësore dhe gatishmërinë për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis vendeve (https://top-channel.tv/2021/01/22/ddiplomati-rus-non-grata-reagon-rusia-provokim-synon-prishjen-e-marredhenieve-ruso-shqiptare/).

Nuk është hera e parë që Tirana zyrtare dëbon diplomatë të huaj. Para tre vjetësh Ministria e Jashtme shqiptare njoftonte dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve rusë Vladislav Filipov dhe Alexey Nikolaevich Balashov, i pari atashe ushtarak ndërsa tjetri Sekretar i Parë i Ambasadës. Në atë kohë u tha se dy diplomatët kryenin veprimtari që nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik.

Në fakt vendimi i autoriteteve shqiptare për të dëbuar dy diplomatët rusë kishte lidhje me një vendim të disa prej vendeve të BE-së, si dhe SHBA, që dëbuan nga vendet e tyre diplomatët rusë, pas akuzave për helmimin e një ish-agjenti sekret në Londër. Në atë kohë lidhur me helmimin, u akuzua Rusia dhe si kundërpërgjigje, shumë nga vendet nisën dëbimin e diplomatëve rusë. Pak ditë më pas, Federata Ruse do të kundërpërgjigjej duke dëbuar dy diplomatë shqiptarë Albert Jerasi dhe Arben Doçi. i pari mbante detyrën e zv/ambasadorit shqiptar në Rusi, ndërsa i dyti mbante detyrën e këshilltarit të ambasadorit dhe të sekretarit të ambasadës. Pra sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërië së para tre viteve diplomatët rusë

kishin zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike” (https://boldneës.al/2021/01/21/ruse-dhe-iraniane-ja-sa-diplomate-jane-debuar-nga-shqiperia/).

Pa dyshim, duke mos vënë në diskutim të drejtën e shtetit shqiptar për të ndërmarë masa kundër veprimeve të diplomatëve të huaj në kundërshtim me Parimet e Konventës së Vjenës për Marëdhëniet diplomatike, fakti se një sekretar i dytë i amsadës së një shteti të huaj dëbohet se… nuk ka mbajtur maskën apo ka dalë jashtë orarit të vendosur për Pandeminë, është jo normal duke patur parasysh se në rradhë të parë ministria e jashtme duhet të kishte vepruar njëlloj siç ka vepruar me çdo qytetar shqiptar: gjobitje dhe paralajmërim.

Një masë ligjore tejet e ashpër për një shkelje të përsëritur edhe tek qytetarët shqiptarë, ndaj një diplomati të huaj, mund të krijojë dyshime, së pari për vetë arësyet masës së marrë nga Ministria e jashtme e cila duket sikur ka një prapamendim apo paragjykim të çështjes, ose së dyti mund të krijohet idea se ne shqiptarët trima, jemi `më katolikë se Papa`, për ti treguar SHBA dhe BE se sa besnikë dhe të guximshëm jemi ndaj tyre, megjithse jemi vënd i vogël `ne vazhdojmë të `hedhim valle në gojë të ujkut` rus, apo kushdo shtet i madh qoftë.

Po të shkojmë me këto ide-ra dhe programe për politikën e jashtme, Shqipëria mund të bëjë plot armiq për shkak të amatorizmit diplomatik, apo dhe për shkak të dëshirës për tu dukur si të `fortë`, në një kohë që Shqipëria ka nevojë për fqinjësi të mirë dhe për miq qofshin ata në perëndim e qofshin në lindje.

Mendoj se nuk do të jetë e nevojshme që pas një veprim tejet agresiv të thuash se ne duam fqinjësi të mirë dhe se.. veprimi do të mirëkuptohet nga pala ruse?!.

Mendoj se këto frazeologji dhe këto retorika nuk janë profesionale.

Duhet të kujtoj se Rusia, pavarësisht historive me sllavë e grekë që na kanë bërë dëme dhe na kanë copëtuar në të kaluarën, duke harruar që ata që na kanë copëtuar në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shek XX kanë qënë pikërisht disa anëtarë të sotëm të BE dhe Anglia, dhe se ishte Woudrow Wilson dhe Lenini, ata që kanë folur në favor të vëndeve të vogla, në favor të vetvendosjes së popujve të vegjël.

Pra kanë qënë këto dy shtete të mëdha SHBA dhe Rusia, që përkrahën shtetin shqiptar të atëhershëm.

Madje krahas Wilsonit të madh, Parlamenti shqiptar i vitit 1924 mbajti 5 minuta zi për vdekjen e Leninit në janar 1924, fakt të cilin për hir të perëndimit, nuk e zemë në gojë dhe as e përmëndim fare.

Sigurisht që Rusia në 1948-1949, në kohën e krizës për bukë, na solli një vapor plot me grurë falas, dhe deri në vitin 1961 na ndihmoi të ngrinin institucionet, Universitetin shtetëror, fabrika dhe uzina, Kinostudio Shqipëria e Re, na ngriti mirëqënien sidomos gjatë viteve 59-60, si dhe na armatosi; armët ruse (dhe ato kineze më vonë), që të mos harrojmë… i shitën qeveritë demokratike të Berishës, së Nanos, e Majkos, dhe ato para nuk dihet se ku shkuan…

Në përfundim mund të them se të bësh veprime të tilla ndaj një shteti që nuk na ka sulmuar asnjëherë por që na ka ndihmuar shumë, është jo normale pavarësisht detyrimeve që kemi ndaj SHBA , BE, NATO-s, ja vlen që të sillemi si komb i civilizuar dhe jo si jençerë.

Kështu bota do të na dojë më shumë dhe do të na hiqet njolla e zezë dhe opinion i keq ndaj shqiptarëve, opinion të keq të cilin ja kemi damkosur vetë vehtes tone gjatë 30 viteve të demokracisë, krahas insinuatave dashakeqe të disa lobeve politike të fqinjëve dhe të BE.

Shpresojme që të normalizohen sa më parë marëdhëniet me Rusinë, dhe të ruajmë të patundur, dëshirën për fqinjësi e marëdhënie të mira me të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat