Rreth marrëveshjes Kosovë – Serbi sipas ICG!

Opinione

Rreth marrëveshjes Kosovë – Serbi sipas ICG!

Nga: Gani I. Mehmeti Më: 26 janar 2021 Në ora: 00:24
Gani I. Mehmeti

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (International Crisis Group -ICG), boton të hënën (25.01) raportin lidhur me një rifillim të dialogut Kosovë-Serbi. ICG rekomandon që Brukseli të fokusohet në inkurajimin e bisedimeve.

Raporti i ICG përmban 27 faqe dhe është ndarë në pesë pjesë mes të cilave flitet për rolin e BE në bisedimet për çështjet teknike, si e shohin Prishtina dhe Beogradi çështjen dhe tre opcionet politike.

Pavarësia e Kosovës është konflikti kryesor, thuhet në raport: "Duke filluar që nga viti 2006, Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar herë pas here bisedime për normalizimin e marrëdhënieve. Ata kanë rënë dakord në shumë pika, por nuk bien dakord në çështjen më të rëndësishme që i ndan: pavarësinë e Kosovës.”

Me qëndresën paqësore nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, opinioni ndërkombëtar u pa dhe u bind se kush ishte Serbia, e cila kishte zhvilluar edhe disa lufta të tjera me popujt që e kishin formuar Jugosllavinë. Meqë Serbia po shtonte dhunë e vrasje dita-ditës në Kosovë, me çka arriti kulmin me masakrën e Raçakut, opinioni ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s i shkuan në ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u arrit çlirimi i Kosovës.

Pas tetë vitesh e më shumë, u arrit Kushtetuta e Ahtisarit, njeriut që iu besua formimi i saj edhe nga Kosova edhe nga ndërkombëtarët dhe, po në bazë të kësaj Kushtetute, u arrit Shpallja e Pavarësisë së Kosovës pasi ishin përfshirë garancitë për liritë dhe të drejtat e serbëve brenda Republikës së Kosovës, liri e të drejta këto që nuk i ka asnjë minoritet tjetër në botë! Dhe, përkundër kësaj, serbët nuk po pajtoheshin me kaq, duke u ankuar e duke u rebeluar, sa u formuan aq komuna serbesh, sa të mos kenë ndikim nga lart brenda këtyre komunave në qeverisje. Krejt kjo u bë me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithkëtë, serbët nuk po pajtohen dhe nuk janë të gatshëm të njohin Pavarësinë dhe Shtetin e Kosovës. Ata duan ta kenë Serbinë brenda në Kosovë, nuk pajtojnë ndryshe.

Edhe ngaGrupi Ndërkombëtar i Krizave (International Crisis Group -ICG), nuk jepet ajo përfundimtarja se si do të duhej të arrihej e të vinte deri tek njohja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë. Janë disa opsione, por me rezerva se do ta njohë Serbia Pavarësinë e Kosovës.

Jo, edhe ky grup, edhe BE, edhe SHBA, duhet të jenë të qarta dhe të prera në Pavarësinë dhe në Shtetin e Kosovës, se nuk ka ndryshim territoresh dhe se Shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, me qëllim që, të mos shpresojë Vuçiq në atë çka ai pretendon, qoftë në shkoqjen e një cope të Kosovës, qoftë në kthimin e Kosovës nën Serbinë.

Dhe, meqenëse serbët nuk e njohin Republikën e Kosovës, atyre të mos u lejohen as ndihma nga Serbia, e cila di shumë mirë të ankohet për të drejtat e serbëve në Kosovë, por që ato të drejta i kthen në dhunë e shpërngulje të shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Këtë sikur nuk e sheh askush nga ndërkombëtarët, ose vetëm lëshojnë ndonjë komunikatë, ndonjë rezolutë, por asgjë nuk ndërmerret në përmirësimin e gjendjes së tyre atje.

Serbisë duhet t’i thuhet në bisedime se Kosova është shtet i pavarur në kufijt ekzistues. Duhet t’i thuhet se po deshti le ta pranojë, po nuk deshti, le të mos e pranojë, por ajo është SHTET dhe se i ndalohet çdo ndërhyrje brenda saj. Vuçiq vetë ka deklaruar sa herë se nuk do ta njohi Pavarësinëe Kosovës, për çka nuk e shoh të arsyeshme as të lutet.

Kosova duhet të pranohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare deri edhe sa të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Të punojë e të sillet si shtet me të gjitha të drejtat e minoritarëve si minoritarë, jo më shumë. Jo, që ata të jenë pengesë e zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Në bisedime, absolutisht të mos përdoret më ajo Fusnota e famshme, por të bisedohet në mes dy shteteve. Nëse nuk do të bisedojë, të mos bisedohet deri sa ajo vetë ta kërkojë këtë. Krejt bashkëpunimi të zhvillohet në mënyrë të ndërsjellë e me reciprocitet mes dy shteve.

Deri sa Spanja, Rumania e Greqia kanë problemet e tyre të brendshme, nuk kuptoj qëndrimin e Qipros dhe Sllovakisë përse nuk e nejohin Pavarësinëe Kosovës. Këtu del në shesh se diçka nuk është në rregull edhe me vetë shtetet brendapërbrenda Bashkimit Evropian. Këto probleme të Spanjës, Rumanisë e Greqisë është dashur të zgjidhen më përpara se të bëhen anëtare të BE-së. Deri sa nga Qiproja dhe Sllovakia do duhej marrë ndonjë “arsyetim” se përse nuk e njohin Kosovën shtet. Për këtë, nuk do të guxohet të pritet shumë edhe nga BE, pse nuk janë në një mendje.

Prandaj, gjithsesi, rolin kryesor duhet ta kenë SHBA-të qoftë në bisedimet mes Kosovës me Serbinë, qoftë në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në OKB.

Vetëm kur do të jetë kështu, një ditë, pa kushte, kur do të shihte se nuk do të mund të marrë asgjë nga territori i Kosovës, Serbia do të lirohej nga Kosova dhe do ta njihte shtetësinë e saj.

Serbisë duhet t’ thuhet haptas dhe seriozisht se Kosova është shtet dhe e pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat