Pandemia ka rritur pabarazitë ekonomike në botë

Opinione

Pandemia ka rritur pabarazitë ekonomike në botë

Nga: Burim Breznica Më: 30 janar 2021 Në ora: 10:08
Burim Breznica

Tashmë është bërë një vit prej se pandemia ka goditur shumë vende në botë, kurse disa vende të tjera pak më vonë. Humbja e jetëve të njerëzve është sigurisht fatkeqësia më e madhe për shumë familje dhe shtete që janë goditur dhe deri tani mbi 2 milionë njerëz fatkeqsisht janë shuar. Pandemia ka goditur në anën tjetër edhe ekonomitë e vendeve, bizneset dhe punësimin dhe në këtë fushë unë do të fokusohem më shumë.

Pandemia ka shkaktuar shumë dëme ekonomike dhe pabarazi mes shteteve dhe njerëzve në botë. Sipas një raporti të fundit nga Organizata britanike, OXFAM (konfederatë e rreth 20 organizatave humanitare/OJQ-ve) ”The Inequality Virus” apo Virusi i pabarazisë, (janar 2021), do të marrë më shumë se 10 vite derisa pjesa më e varfër e botës do të kthehet në nivelin e njëjtë ekonomik sikurse ishte para fillimit të pandemisë. Në anën tjetër, për 1000 personat më të pasur në botë u deshën rreth nëntë muaj kohë që të kompenzonin humbjet dhe të rikthenin pasuritë e tyre.

Pandemia ka ndikuar edhe në tregjet e aksioneve si dhe punësimin në mbarë botën. Shumë njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës dhe janë bërë më të varfër. Ky raport tregon se për shkak të pandemisë Covid -19 pothuajse në të gjitha vendet e botës është rritur pabarazia ekonomike. Kjo është hera e parë në histori në 100 vitet e fundit që kur bëhen matje të tilla sipas raportit. Dikush do të thoshte se pabarazia e madhe mes vendeve të pasura de të varfëra mund të jetë e rrezikshme për të ardhmen.

Varfëria është rritur në shumë vende kurse të pasurit janë bërë edhe më të pasur

Varfëria, por edhe uria në disa vende, janë rritur në botë si rezultat i pandemisë, gjithnjë sipas raportit të OXFAM. Sipas matjeve deri tani, pandemia ka shkaktuar krizën më të madhe të papunësisë në 90 vitet e fundit, duke futur deri tani, janar 2021, së paku 200 milionë njerëz në varfëri si rezultat i efekteve ekonomike të pandemisë. Në anën tjetër, 10 njerëzit më të pasur në botë janë bërë edhe më të pasur. Gjatë pandemisë, pasuria e tyre është rritur për rreth 500 miliardë dollarë amerikan. Ajo shumë parash do të mjaftonte për të vaksinuar krejt popullsinë botërore dhe do të mundësonte që jo shumë njerëz të përfundonin në varfëri si rezultat i pandemisë, argumenton raporti në fjalë.

Pabarazitë e shkaktuara nga pandemia

Sipas raportit, femrat janë goditur më shumë si rezultat i pandemisë për arsye se në nivel global ato janë më të përfaqësuara në grupet e të punësuarve me të ardhura më të ulëta, me kontrata afatshkurta dhe të pasigurta që tani janë keqësuar edhe më tepër. Në raport thuhet se rreth 70% e personelit shëndetësor dhe atyrë që kujdesen për pleqtë, në botë, janë femra.

Në Francë, Indi, Spanjë si rreziku i infeksionit ashtu edhe vdekshmëria janë më të larta në zonat më të varfëra të qyteteve. Në Brazil personat me prejardhje afrikane kanë rreth 40% rrezik më të lartë të vdesin nga Covid-19 në krahasim më të bardhët, janë disa nga të dhënat e raportit. Në Angli, vdekshmëria për shkak të Covid-19 është dyfish më e lartë në zonat e varfëra në krahasim me ato të pasura dhe këto të dhëna janë shqetësuese sipas raportit.

Kjo do të thotë që pandemia ka rritur ndarjet afatgjata ekonomike, racore dhe gjinore në shumë vende në botë.

Efektet e pandemisë në Kosovë, Shqipëri dhe në rajon

Pandemia ka goditur fatkeqsisht edhe Kosovën, Shqipërinë dhe vendet tjera në rajon sikurse shumicën absolute të vendeve në botë. Humbja e jetëve të njerëzve është për të ardhur keq dhe është një dëm i pakompensueshëm për familjet e tyre në rend të parë, miqtë dhe për shoqëritë në tërësi.

Sipas Institutit të Statistikave, në Shqipëri, numri i personave që humbën punën për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia është rreth 50.000 veta , (burimi: www. Euronews.al, 20 janar 2021). Sipas të njëjtit institut, papunësia arrin në rreth 12%. Kurse në Kosovë diku 73.000 veta kanë humbur punën për shkak të pandemisë, deri në qershor 2020, sipas të njëjtit burim. Në Maqedoninë e Veriut kanë humbur punën rreth 53.708 qytetarë deri në tetor 2020 sipas referencës së njëjtë.  Të dhënat e sakta është më vështirë të sigurohen në këtë kohë, pastaj një pjesë e njerëzve ndoshta nuk regjistrohen apo raportojnë me kohë, faktor tjetër mund të jetë ekonomia informale etj. Por si të dhëna të përafërta tregojnë të njëjtën tendencë si në vendet e tjera në botë, një pjesë kanë humbur të ardhurat e tyre, sigurinë e tyre ekonomike dhe do të jenë më të varfër në krahasim me një vit më parë.

Qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të ndihmojnë edhe më shumë se sa kanë deklaruar qytetarët dhe bizneset për të përballuar efektet e pandemisë, edhe pse kanë resurse më të kufizuara buxhetore në krahasim me vendet perëndimore. Financimi do të mund të sigurohej nga riorientimi i fondeve dhe buxhetit, nga kreditimi ose huazimet publike, nga kreditimi dhe asistenca ndërkombëtare, nga menaxhimi më i mirë etj.

Në vend të përfundimit

Pandemia ka shfaqur edhe dobësitë e sistemeve politike dhe paaftësinë e sistemeve ekonomike, në shumë raste të pabarabarta, që të krijojnë të ardhura e të ndihmojnë të gjithë qytetarët. Mbështetja nga qeveritë për qytetarët dhe angazhimi i tyre së bashku është shumë me rëndësi për të përballuar efektet e pandemisë që nuk janë të vogla. Në fund do të duhej të bëhej edhe një bilanc përfundimtar por është mirë që njëkohsisht dhe vazhdimisht të ndihmohen qytetarët dhe bizneset nga shtetet që të kalojnë sa më lehtë këtë sfidë të vështirë për njerëzimin.

Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Pikepamjet e autorit janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku ai është i punësuar (Departmenti për Marrëdhënie me Jashtë, Agjencia Tatimore, Stokholm, Suedi).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat