Politikanët në Kosovë po “çkyhen” për pushtet, e jo të mbrojnë shtet

Opinione

Politikanët në Kosovë po “çkyhen” për pushtet, e jo të mbrojnë shtet

Nga: Sherif Ramabaja Më: 30 janar 2021 Në ora: 13:30
Sherif Ramabaja

Në fushatën zgjedhore, lufta e partive dhe liderëve politik është ashpërsuar tej mase. Mjetet nuk zgjidhen. Qëllimi është të arrihet ajo që këmbëngulet, pushteti.

Lideri i LDK zoti Mustafa si i regjur në politikë, është fokusuar në dy figura: në zonjën Vjosa Osmani dhe në Kurtin.

Bashkëveprimi është, një gjuajtje dy goditje. Zoti Mustafa fare se mendon se të gjitha këto fyerje, etiketime dhe akuza mund t´i kthehen si bumerang vetë atij, po ç’është më e keqja, po e dëmton reputacionin e partisë me të cilën të gjithë identifikoheshin sa ishte gjallë Rugova.

LDK ishte një parti e qendrës së djathtë, derisa e drejtonte Rugova, por tash nuk dihet se cilit krah i takon : sa është e djathtë, po aq është e majtë, sa është liberale dhe e qendrës, po aq është autoritare dhe pronë e klaneve grupore.

Zotit Mustafa po i mungon punëdhënësi i tij Thaçi, sepse ai gjithnjë i ofronte ndonjë post, megjithëse i kërkonte sakrifica, për të cilat zoti Mustafa ishte gjithnjë i gatshëm.

Partia Demokratike e Kosovës, emërtim shumë i bukur, sikur të mos e dinim thelbin e brendshëm të saj.

Aty përpos elektoratit qëllim mirë, janë të përfshirë elementët e LPK dhe enveristët ekstremist. Është më se e njohur, në vitet e 70 - 80 përqindja e enveristëve në Kosovë ishte e madhe. Por shqiptarët u distancuan nga enverizmi sapo e kuptuan të vërtetën, me hapjen e Shqipërisë.

Enveristët e PDK nuk janë të tillë që konvertohen ose distancohen, sepse janë të mishëruar me një ideologji të tillë.

Të tillët supozohet se posedojnë edhe strukturën e Shikut brenda partisë. Thënë shkurt, Partia Demokratike e Kosovës është filiale e Partisë Socialiste të Shqipërisë me kryetarin e përgjithshëm Edi Ramën.

Partia AKR dhe vetë lideri i saj Pacolli janë: ku rafsha mos u vrafsha, apo, më rrove të rrova brisku i berberit. Kjo parti nuk ka fuqi më të madhe përpos të angazhohet për ndonjë koalicion, që zotit Pacolli t´i ofroi një post.

Si kundërshpërblim zoti Pacolli ofron dreka e darka të majme, shëtitje me jaht, apo aeroplan privat. Po se përfille, të akuzon për komplot dhe terror shtetëror ndaj tij.

Haradinaj dhe partia e tij Aleanca, në prag të zgjedhjeve doli me programin e bashkimit kombëtar. Populizëm se jo mahi. Nuk kanë kaluar dy vite kur Malit të Zi i dhuroi Çakorrin me më tepër se 8.000 ha: vetëm përkohësisht deklaronte, sepse po të më mbani në pushtet, do ta kthej sërish thoshte.

Tash ka lidhur pakt me vetveten, kullat e tij dhe elektoratin besnik: ose bëhet president, ose fillon luftë me të gjithë.

Limaj me partinë e tij nuk din as vetë, kah t´ia mbaj. Ndoshta zgjedh rrugën e arratisë, posa të marr vendim, ku të përplaset për kërkesë strehimi.

Një problem të profilizimit ndoshta më së shumti e ka pasur LVV dhe lideri i saj Kurti. Ai nuk ishte vetëm kundër Serbisë e vetvetes, po kundër çdo partie vendore dhe kundër çdo lideri politik të Kosovës.

Askush nuk e dinte, ishte i dashuruar në vetvete apo synonte ta rrëmbente primatin e liderit vendor.

Lufta e tij në rrugë dhe Parlament vinte duke u intensifikuar me gazlotsjellës, apo ishte përpjekje për marrjen e rolit të një lideri dhe partie të ekstremit të majtë.

Kjo nuk ishte vetëm akuzë e rivalëve të tij brenda Kosovës, po edhe e qarqeve politike ndërkombëtare.

Akuzat ndaj tij sot zgjerohen se është marksist – leninist, autoritar dhe islamit sepse në kuadër të partisë së tij islamistët ekstremist po kandidohen edhe për parlamentarë.

Në përgjithësi Kurti gjatë rrugës së tij politike ka evoluar dhe ka pësuar transformim, nga një lider adoleshent, është kthyer në një personalitet që dëshiron t´i prij Kosovës.

Shumëkush dyshon ende në te, po ai ka fituar elektorat, sidomos të rinjtë i ka pas vetes, ndoshta shkaku i zhgënjimit në liderët e tjerë politik, apo duke cituar thënie dhe filozof të ndryshëm botërorë.

Së pari KQZ e pastaj edhe Gjykata e Kosovës me qëndrimet e tyre Kurtit ia mohuan kandidimin si deputet, po edhe kandidaturën për kryeministër. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të njëjtë, po shumëkush këtë e cilëson si absurditet, liderit të tillë që pritet ti fitoi zgjedhjet, ti pamundësohet kandidimi.

Tek shqiptarët gjithçka mund të ndodh, askush nuk habitet për asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat