I kam do fjalë të mira për Liri Loshin

Opinione

I kam do fjalë të mira për Liri Loshin

Xhavit Çitaku Nga Xhavit Çitaku Më 30 janar 2021 Në ora: 17:53
Liri Loshi

Liri Loshin e njoh dekada më parë. Kohë të gjatë nuk jemi takuar nga i vetmi shkas se jetojmë larg atdheut. Ai në Kanada e unë në Suedi. Njeriu kur njeh dikë një kohë të gjatë, i lejohet për të thënë disa fjalë për të dhe njerëzoren që ai vetë e ka krijuar. Arsye e parë pse po e bëj këtë është se si Sali Rexhaj me aq paturpësi u mundua t’ia m’vesh diçka që ky njeri kurrë në jetën e tij nuk do ta bënte. U tmerrova shumë. U preka tepër.

Kur unë e përjetova kaq rëndë këtë shpifje të këtij soji, siç është Sali Rexhaj, po si e është ndier vet Liri Loshi e aq më shumë Isa Mustafa, kryetar i LDK, dhe familja e tij.

Shpirti i tij i pastër e human u vërejt qartë kur, pos tjerash, edhe pse ai nuk ishte autor i atij “pamfleti”, me përmbajtje jo njerëzore në dëm të personalitetit të Isa Mustafës, pas së cilës fshihej vetë Sali Rexhaj, kërkoi falje publike familjes Mustafa dhe simpatizantëve të LDK, bile duke iu uruar edhe suksese në këto zgjedhje nacionale.

Tjetra arsye për t’i thënë do fjalë të mira për Liriun është vetë personaliteti i tij dhe profesioni i mjekut që e ka ushtruar plot dinjitet njerëzor. Në fakt, ai bëri shumë në kujdesin e shëndetit për mijëra qytetarë në Bashkësinë lokale të Runikut, komuna e Skenderajt. Punoi dhjetë vjet me plot entuziazëm, ditë e natë, duke i vizituar pacienët edhe në shtëpi. Secili që e ka takuar, secili që ka dëgjuar për të, flasin me plot gojën fjalë miradije për të. Liriu është një intelektual i shquar, gazetar e publicist i dalluar, humanist e mjek i shkëlqyer, patriot i dalluar për komb e atdhe e mbi të gjitha këtë njeri e dallon dhe e madhëron burrëria.

Arsye e tretë është kontributi i tij i madh dhënë luftës çlirimtare. Liriu pa një pa dy rroki pushkën dhe iu bashkua UÇK. Ai vetëm sa dëshmoi se po ndiqte rrugën e trasuar të të parëve të tij siç është, bie fjala, Kamer Loshi. Edhe në luftë ushtroi profesionin e mjekut. U kujdes për të plagosurit dhe shëndetin e banorëve në zonën e Drenicës. Ushtroi edhe profesionin e gazetarit. Si reporter i luftës, me informatat që i dërgonte në RTVSH, çlirimtarëve ua shtonte entuziazmin dhe forcën, ndërsa popullatës në Kosovë dhe shqiptarëve kudo në botë besmin se liria po afrohet, se Kosova më në fund do të jetë e pavarur.

Dhe krejt në fund. Duke i patur të gjitha këto tipare të larta njerëzore vota për t’u bërë deputet i organit më të lartë legjislativ në Republikën e Kosovës për Liriun është më e pakta që mund të ndodh. E meriton si askush tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat