Hajrullah Koliqi, personalitet i arsimit e mendimit pedagogjik

Opinione

Hajrullah Koliqi, personalitet i arsimit e mendimit pedagogjik

Nga: Frrok Vukaj Më: 31 janar 2021 Në ora: 20:17
Hajrullah Koliqi

Përveç sa kisha lexuar, pata fatin e privilegjin ta njoh për afër 3 vjet gjatë punës në një Universitet jo Publik në Tiranë. Më një trup të drejtë e të bëshem, përherë buzagaz, i dashur e respektues, atdhetar e mendimtar i shquar, studiues serioz e prodhimtar cilësor, tolerant e metodist racional, korrekt e kërkues sistematik, shembull në sjellje e model komunikimi, pedagog me profesion e profesor Universiteti.Gjithë jetën ia kushtoi arsimit shqiptar, kryesisht arsimit të lartë në Kosovë.

Lindi më 7. 01. 1946 në Kështenjë të Krajës së Shkodrës  (tani në Malin e Zi). Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në Kështenjë, përkatësisht në Ostros, troje shqiptare në perëndim të Liqenit të Shkodrës. Arsimin e vazhdoi në Normalen e Prishtinës (1961-1966). Një vit ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe  në vendlindje (Ostros).

Në vitin akademik 1967- 68, ai i filloi studimet për pedagogji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi në fillim të vitit 1972. Një vit më pas, H. Koliqi zgjedhet asistent i Andragogjisë në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Mbajti ushtrime edhe nga Historia e pedagogjisë.

Në vitin akademik 1975 - 76 u autorizua edhe për të ligjëruar nga këto lëndë.

Në vitin 1978, Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Filozofik ia lejoi temën për disertacion të doktoratës, me titull: “Puna edukativo-arsimore dhe idetë pedagogjike të Aleksandër Xhuvanit”, mbrojtja publike e të cilin u realizua më 30 qershor 1982.

Në vitin 1979, ai mori thirrjen e ligjëruesit për lëndën e Historisë së pedagogjisë, për të vijuar me avancime në thirrje të tjera akademike: docent (1984), profesor inordinar (1988) dhe profesor ordinar (1994).

Mbajti mësim nga disa lëndë (kurse). U shqua sidomos për ekspertizën e tij në fushën e Historia e pedagogjisë botërore dhe të asaj kombëtare shqiptare.

Ndërkohë, H. Koliqi ishte mësimdhënës  edhe në Fakultetin e Mësuesisë dhe atë të Edukimit në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës (nga themelimi deri në vitin 2012). U pensionua në vitin 2011.

Prof. dr. Hajrullah Koliqi, në cilësinë e mësimdhënësit të angazhuar ligjëroi në studimet për master në Departamentin e Historisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë dhe në Akademinë e Shkencave të Edukimit në Tiranë.

H. Koliqi publikoi rreth 250 artikuj, studime, fejtone, vështrime, vepra etj., kryesisht, nga fushat e edukimit. Artikullin e parë e publikoi në gazetën e studentëve “Bota e re” (1970), për të vazhduar me publikime edhe në gazeta e revista të tjera, si: “Shkëndija”, “Rilindja”, “Buletini i Fakultetit Filozofik”, “Gjurmime albanologjike”, “Revista pedagogjike, “Školske novine”, “Fjala”, “Koha ditore” etj.

Shkroi dhe botoi edhe këto vepra, monografi, tekste universitare etj.: “Aleksandër Xhuvani/ Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike/” (1987), “Andragogjia” (1987, e plotësuar 1990), “Kraja ndër mote” (1993), “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” (1995), “The Survival of the University of Prishtina 1991-1996” (1997, edhe gjermanish 1997), “Historia e pedagogjisë botërore I” (1997), “Historia e pedagogjisë botërore II” (1998), “Historiku i arsimit në Krajë” (1999), “Kraja e Shkodrës” (2001), “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar” (2002, e plotësuar 2012), “Sistemi i arsimit në Kosovë” (2004), “Jashar Rexhepagiqi /Portret/” (2004), “Thesar filoedukimi-Thesaurus of Philoeducation” (2007), “Gruaja ndër shekuj / Arsimimi dhe emancipimi i saj/” (2009), “Jashar Rexhepagiqi, figurë e shquar e arsimit dhe e shkencës” (2009), “40 vjet të tempullit tonë të diturisë” (2010), “Ata që jetën na e falën” (2010), “Kur Perëndia idetifikohej me diturinë” (2011), “Kraja jonë” (2014).

Gjithashtu, ai ishte kontributor në disa vepra të tjera, si: “Natyra dhe shoqëria” (bashkautor, 1981),  “Në kërkim të dijes dhe të lirisë-Searching for Knowledge and Freedom” (kontributor dhe redaktor, 2005), “Fjalor enciklopedik shqiptar” I, II, III  (kontributor, 2008). “Kosova / Vështrim monografik/“  (kontributor, 2011, anglisht  2013), “Fjalor enciklopedik i Kosovës” I, II (kontributor dhe redaktor  i zërave për arsimin, 2018) etj.Ka në dorëshkrim veprën leksikografike të vëllimshme, me titull “Fjalor enciklopedik i edukimit”.

Ai kreu edhe detyra të tjera, kryesisht profesionale-shkencore, me përgjegjësi : ishte shef i Degës së Pedagogjisë, kryetar i Komisionit për Arsim i LDK-së (1990), nënkryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (1990), kryetar i Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës (1993), dekan në themelimin e Fakultetit të Mësuesisë (1997), ministër i arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999), anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës (2002), udhëheqës i Programit të Studimeve të Doktoratës të Fakultetit Filozofik (2010), kryetar i Këshillit Shkencor të Institutit Pedagogjik të Kosovës (2015) etj., si dhe anëtar bordesh e komisionesh të doktoratës e të magjjistraturës, mentor, anëtar redaksish, recensent, pjesëmarrës në disa projekte, aktivitete, e konferenca shkencore në Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Tetovë etj. Për qëllime shkencore qëndroi në disa qendra universitare brenda e jashtë vendit.

H. Koliqi ishte themelues dhe kryetar i shoqatës “Shqiponjat” e Krajës (1970). Kundërshtoi publikisht përpjekjet e autoriteteve serbe për serbizimin e arsimit shqip në Kosovë, sidomos të Universitetit të Prishtinës. Mori pjesë aktivisht në demonstratat e viteve 1968, 1981 dhe 1997 në Kosovë. Ishte anëtar i Këshillit për Organizimin e Protestave të Studentëve të vitit 1997 dhe në ballë të tyre.

Këtë këshill Presidenti i Kosovës e nderoi me titullin “Urdhri i Lirisë” (2017). H. Koliqi  u nderua edhe me mirënjohje e certifikata nga Unioni i Pavarur i Studentëve, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, Art Club-i (Ulqin) etj.  Vepra e tij u pasqyrua me zëra të veçantë në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (2008) dhe në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës” (2018).

Dëshmi dhe dëshmitarë për veprën e H. Koliqi janë edhe ata qindra e qindra ish-studentë, magjistrantë e dokrorantë, më pas edhe kolegë të tij, të cilët jetojnë e punojnë anekënd Kosovës dhe jashtë saj, si dhe  katër pinjollët e tij trashëgimtarë, të gjithë me arsim të lartë, dy prej të cilëve doktorë shkencash (Farmaci klinike, përkatësisht Shkenca filologjike) dhe një në studime të doktoratës (Edukim).

Në këtë jetë aktive e të pasur me vlera dua të veçoj :

1- Profesionalizmin e përkushtimin, vizionin e frymën atdhetare e bashkëkohore në pozicionin e Ministrit të Arsimit.

2- Duke çmuar  botimet e shumta,  spikatin disa vepra studimore që e lartësojne e e renditin emrin e tij përkrah emrave e kontribuesve më të njohur të arsimit :

A- " Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar" 2002, 2012.

B- "Historia e pedagogjisë botërore", vol. I e II, 1997 e 1998.

C-  "Sistemi arsimor në Kosovë" 2004.

D-  " Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991- 1994"( 1995).

Studimet dhe krijimtaria e tij, që vazhdon të shtohet me botime të reja, janë një pasuri e madhe në thesarin e kulturës shqiptare, veçanërisht për historinë e arsimit e mendimit pedagogjik shqiptar.

FRROK VUKAJ

Akademia e Shkencave të Edukimit (kryetar) , Tiranë. Janar 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat