Mbi gjuhën dhe stilin e dramës së Fan S. Nolit “Israilitë dhe Filistinë”

Opinione

Mbi gjuhën dhe stilin e dramës së Fan S. Nolit “Israilitë dhe Filistinë”

Dr. Lirak Karjagdiu Nga Dr. Lirak Karjagdiu Më 31 janar 2021 Në ora: 20:24
Fan S. Noli

Në studimin e tij për dramën “Israelitë dhe Filistinë” Camaj lidhur me këtë vepër të hershme dhe të parë të Nolit, paraqitet me hipotezën se kjo vepër duhet të ketë qenë shkruar më parë, në greqishten popullore, me 1902 në Athinë, kurse më pas, është përkthyer dhe përshtatur nga Noli, në gjuhën shqipe. Ai ka përshtypjen se kjo hamendje e tij mund të konfirmohet më së lehti, nëpërmjet të një analize të mirëfillët të konstrukteve sintaksore të një sërë fjalive “që nuk janë në përputhje me natyrën e shqipes”.

            Tani së voni, profesori dhe studiuesi i gjuhës së Nolit Dr. Fatmir Agalliu në monografinë e tij “Gjuha a Nolit në veprat origjinale të tij”, bën përpjekje të reja jo vetëm për të përkrahur, por edhe për të thelluar supozimin e Camajt. Me këtë rast, ai përmend faktin se drama “Israelitë dhe Filistinë” e Nolit, është e vërtetë se ishte botuar me 1907, por më parë kishte qëndruar në valixhe rreth 5 vjet, duke pritur që autori i saj ta ndreqte dhe ta zgjeronte. Në të njejtën kohë, ai nuk e harron edhe faktin tjetër se kjo dramë si thuhet, qe shkruar në Athinë me 1902; këto janë pikërisht ato vite kur Noli krijoi lidhjet e para si me lëvizjen shqiptare, ashtu edhe me letërsinë shqiptare. Për ta mbështetur këtë pikëpamje ai ka krahasuar shkrimet e para shqip të Nolit nga një anë, me letrat e dërguara nga Noli Th. Tashos në Egjipt, nga ana tjetër. Kështu, Agalliu paraqitet me mendimin se: “Vërtetohet ajo që thotë vetë autori se ai mësoi të shkruante shqip kur nisi punën në këtë gazetë” d.m.th, në të përkohshmen “Kombi” të shqiptarëve të Amerikës me 190611.

Në këtë mënyrë, sipas opinionit të këtij studiuesi, drama e parë e Nolit “Israilitë dhe Filistinë” e botuar me 1907, “ka një gjuhë të pasur dhe të përpunuar”, prandaj në formën siç na paraqitet ajo, Agalliu arrin në përfundimin se kjo dramë nuk mund të jetë shkruar në Greqi me 1902, për shkak të gjuhës së elaboruar e të pasur të saj në përgjithësi, dhe në veçanti për, shkak të pohimit të vetë Nolit, i cili vë në dukje se ai kishte filluar të shkruajë shqip vetëm katër vjet më vonë. Agalliu pa farë dyshimi njohton se “detyrohemi të pohojmë se drama” “Izraelitë dhe Filistinë”, në mos pastë qenë shkruar së pari greqisht, si drama tjetër e tij “To ksipnima” (Zgjimi), duhet patjetër t’i jetë nënshtruar një përpunimi të thellë gjuhësor, po qe se është shkruar shqip në dorë të parë. Ne anojmë nga mendimi i parë, që kjo vepër, ashtu si motra e saj “Zgjimi”, është shkruar së pari greqisht dhe është përkthyer shqip me 1907 në SHBA12.

Sidoqoftë, është mbase më e udhës të kihen parasysh disa të dhëna lidhur me njohjen e shqipes nga Noli. Pikë së pari, Noli e kishte shqipen gjuhë amtare; pastaj ai u njoh me shqipen për herë të parë nga Kristoforidhi, njohësi i rysur i gjuhës shqipe; më pas, shqipen e folur ai e begatoi në mesin e disa rilindasve, duke lexuar përmbledhjet e para të folklorit shqiptarë, disa të përkohshme të Rilindjes shqiptare dhe së fundi, Noli pati tre pararendës të mirënjohur, krijues, artistë, poetë dhe intelektualë, si Naim Frashërin, A.Z. Çajupin dhe Faik Konicën. Prandaj, një herë, me 1906 dhe herën tjetër prap me 1911, Noli si Konica përcaktohet definitivisht vetëm për një alfabet dhe një gjuhë letrare shqipe “të pandame dhe të njejtë”.

Sa për dramën e Nolit “Israelitë dhe Filistinë”, ajo shquhet si për temat dhe subjektin që trajton, ashtu edhe për përpjekjet e autorit të saj për rë krijuar një galeri personazhesh e tipash në përgjithësi, por në veçanti, për të krijuar një hero dhe protagonist impozant të veprës, një mbinjeri niçean si Samsonin. Veç kësaj, nuk mungon as jeta e mbrendshme e personazheve, të cilët i artikulojnë pikëpamjet, dëshirat, ndjenjat, kërkesat dhe pikësynimet, veçanërisht përmes një gjuhe lapidare, në situatat dhe dialogjet spontane të kësaj drame, me fare pak monologje.

            Me sa dihet, dialogu në dramë, i vë në spikamë kontradiktat mes personazheve dhe i sjell në një situatë, kur në lojën e ideve dhe ndjenjave të zbulojnë dhe i shpalojnë karaktersitikat e tyre përmes konflikteve e peripetive dhe të nxisin vargun e ngjarjeve në subjektin e dramës. Në shumë raste nëpërmjet, dialogut, aktualizohen dhe kristalizohen veprimet dhe kahjet e fabulës, shpalohen, avansohen dhe zhvillohen bazat e konflikteve kryesore, portretizohen dhe tiposen tiparet dhe cilësitë e personazheve dhe realizohen fazat e ndera dhe të tendosura të aksionit dramatik.

            Në tërësi dialogjet ndahen pikë së pari në dialogun dramatik, së dyti lirik, së treti meditativ dhe së katërti në dialogun retorik. Në dialogun dramatik, bashkëbiseduesit shpeshherë sillen ndaj njëri tjetrit si antagonistë, të cilët kanë konflikte që shoqërojnë jo vetëm mendimet dhe pikëpamjet e personazheve, po edhe ndjenjat, karakterin, shpirtin dhe tërë përsonalitetin e tyre. Vetëm në dialogun dramatik, si dhe në situata dramatike, individët janë në gjendje të veprojnë, të komunikojnë me njëri tjetrin, t’i shfaqin shoqi-shoit karakterin dhe qëllimet e tyre dhe të kenë edhe konflikte me shkaqe dhe pasoja, duke i kontribuuar në këtë mënyrë realizimit të fazave të ndryshme në rrjedhën e subjektit të dramës13.

            Me interes të posaçëm është gjuha e presonazheve të kësaj drame sidomos në dialogjet elokuente, spontane dhe intensive si dhe në disa vargje dhe strofa paralajmëruese apo anticipuese në të tri aktet e dramës. Vlen të theksohet se bashkëbisedimi midis personazheve, herë është rrahje e një çështjeje relevante e subjektit ku paraqitet në formë të batutave dhe të replikave, ndërsa në mjaft raste, dialogimi përfshinë edhe aksionin apo ngjarjen. Me fjalë të tjera, replikat e shkëmbyera mes personazheve, në dialog dhe në situatat dramatike, janë të fuqishme, efektive dinamike, të mprehta dhe tonditëse, ndërsa vetëm në ndonjë rast u mungon koherenca. Për të dëshmuar atë që u tha më sipër, do të përdorim edhe disa shembuj konkretë. Ja një dialog dramatik mjaft dinamik dhe efektiv me një ritëm të rrëmbyeshëm:

 

Priftinjë:

Qoft’ i mallëkuar!

Krye- Prifti:

Ç’do njeri që do të vinjë të na hajë vashët me ide të rea.

Priftinjë:

Qoft’ i mallëkuar!

Krye- Prifti:

Ç’do njeri që do të vinjë të na mësojë Mirëveti.

Priftinjë:

Qoft’ i mallëkuar!

Krye- Prifti:

Ç’do njeri që do të vinjë të na hapnjë sytë.

Priftinjë:

Qoft’ i mallëkuar!

Krye- Prifti:

Kemi Perëndira neve, që na e bëjnë rroj-

tjenë t’ëmbëlë e të gëzuar, gjer sa të na e

mbulojnë dheu i zi trupin e ngordhur prej vdekjesë.

Ja edhe një dialog meditativ, mjaft i ngjeshur dhe kuptimplotë:

Të Gjithë:

Na vrave mëndjen! Mjaft! Zbrit andejza

të të rrëfejmë. Po pse s’flet si njeri, or i gjorë

të të marrim vesh?

Rabin:

Dua t’u them se, në vënt të të dërgojmë

Samsonë vetëm me të Vërtetën, është më

mirë të vemë dhe ne të gjithë bashkë me

shpata.

Krye- Rabin:

Si? Të leçitim të Vërtetën me shpata dhe

me pahir?

Rabin:

As një herë nuk e besoj të Vërtetën njeriu

ndryshe. Besojnë më arin se ka fuqi, besojnë

më dashurinë se ka fuqi, do të besojnë dhe

më të Vërtetën, po të ketë fuqi. Mbarova.

 

Po sjellim edhe një dialog lirik mjaft emocionues dhe përmbajtësor:

Samson:

Se sa e bukur Natyrë!        

Dalile:

Ky bar i gjelbër dhe zoqtë që këndojnë

nuk t’a hapin zemrën për gëzimin e jetës?

Samson:

E jetës së Vërtetë, po. Të hyn brenda në

shpirt të së Pa-anëshmes dhe e Pa-anëshmja

të hyjnë fellë në zemrën t’ënde.

Dalile:

Eja të më puthesh.

Samson:

Dalile, s’më morre vesh, ose më more, po

mëntonje vetëm për veten t’ënde.

Dalile:

Vërtet, vetëm veten t’ime. Jam e lindur

Vetëm për Dashurinë, dhe për asgjë tjatër.

S’më ha malli në këtë botë. Pse të rri të çudi-

tem për Natyrën dhe të filosofis?…

 

Këtu kemi edhe një shembull të dialogut retorik, ku përdoret një stil pak a shumë i fryrë, me shprehje dhe figura pak të tepruara:

Krye- Rabin:

Popull’ i dheut shenjtë të Israeli-it, sot në këtë konferencë ju thirra të gjithëve që t’i ipi bashkë me mua uratën këtij njeriu, që mori përsipër të sjellë m’udhë të drejtë botën e dëbiertur të Filistinëvet. Sa është e madhe kjo çështje, gjithë e dini se shumë njerëz u dërguan për këtë qëllim, po s’e goditnë. Ca u vranë, ca u humpnë, ca as guxuan të afroheshin. Molohu perëndijë e arit dhe trup-gëzimit është aqë i fortë dhe aqë i ndiçim! Është aqë e embël rrojtja lark së vërtetës! Po tani pandeh se ardhi ora e shpëtimit për ta. Samsoni që Perëndija i fali fuqi shpirti e trupi të sipërnjerishmë, pasi të marrë uratën e gjithë gjindjesë, i fortë prej Perëndije dhe prej dashurije, do të muntnjë t’ua qëndronjë forën e pambajtur pas Gënjeshtrës. Po me-qenë-se asnjë s’është shigur pas njerëzit dhe munt të mos goditnjë dhe kjo provë, që të mos më shpini mua sipër gjithë responsabilitet-in u lutëm të thonë dhe të tjerët mëndjen e tyre, pa le të kuturisnjë ay vetë, i zgjedhuri i Israelit.

Përveç kësaj, në rrjedhën e ngjarjeve të subjektit të kësaj drame, Noli përdor edhe disa lirika me vargje të rimuara në formën e figurës së anticipimit apo të protaklepsës, përmes të cilave paralajmërohen që më parë ngjarjet që do të ndodhnin në dramë, ose bëhen aluzione, me ç’rast nënkuptohen ngjarjet dhe konfliktet që mund të pasojnë ose janë lajtmotive me konotacione të caktuara që paralajmërojnë ndryshimin e situatave dhe të ngjarjeve me referenca që bëhen baza e ritmit të brendshëm të dramës.

Kështu, në fund të aktit të I-rë, është një poezi e shkurtër, e cila këtu na paraqitet si kënga e Dalilës me të cilën zhvillohet një dialog i shkurtër dramatik mes bilbilit dhe djaloshit të dashuruar në bilbilin. Djaloshi e pyet bilbilin se ku fluturon, kurse bilbili i përgjigjet se i ngjitet qiellit përpjetë; por djaloshi është i magjepsur me krahët e bukur që ka bilbili, dhe është dashuruar në te, por bilbili e ka lënë atë, prandaj i dashuruari e lut që të zbresë e ta puthë atë, edhepse e di se kjo puthje, do të jetë fatale. Kjo nënkuptohet nga vargjet e fundit:

  • Ah! Në më puthç moj nus’ e re,

Udhën dëbier, e besë ti s’ke!

Sheshazi duket se është një lloj aludimi për dashurinë fatale të Samsonit ndaj Dalilës si dhe për pasojat tragjike të dashurisë së tyre.

            Në aktin e II-të, përsëri është kënga (fq. 61) e Dalilës e kënduar në çastin kur filistinët e sulmojnë Samsonin të tradhëtuar nga Dalila:

                                    Kush dashjen gjeti

                                    Dhe s’u gëzua?

                                    Kush gruan deshi

                                    Dhe nuk u marrua?

                                    Ish i gëzuar,

                                    Pra u dëbuar!14

 

Nga këto vargje të kësaj poezije, ku mbisundon përsëri figura e anticipimit dhe figurës retorike sepse edhe këtu, ndonëse ngjarja pak a shumë do të ndodhë së shpejti, ajo paraqitet si të kishte ndodhur. Në fund, është edhe një strofë tjetër si lajtmotiv, ku dramaturgu përmes vargjeve në fund të aktit të II-të, si dhe në fund të aktit të III-të, me keqardhje vajton fatin e secilit që do të hyjë në botë ku do të humbasë veten dhe do të moliset nga një anë, dhe nga ana tjetër, fuqia e shpirtit do t’i venitet dhe do të humbë dashurinë. Fitohet përshtypja se këto lirika të shkurtëra, paralajmëruese me plot aluzione, në njëfarë mënyre e kanë zëvendësuar rolin e Korit të dramës antike – klasike.

            Është e vërtetë se qëndrimi i tij ndaj gjuhës shqipe është i veçantë, ngase në rastin e Nolit kemi të bëjmë me një shkrimtarë, i cili lindi dhe e kaloi miturinë dhe rininë e hershme në një oazë shqiptare të mërgatës; prandaj si shkruan edhe Xhevat Lloshi, veçoritë individuale të Nolit, mund të lidhen padyshim edhe me rrethanat e krijimtarisë së tij, shpesh larg jetës së gjallë e të ndërlikuar të shqipes15. Përveç kësaj, Noli pati fatin të jetojë në Shqipëri më pak se katër vjet në jetën e tij, prandaj ka polemika rreth gjuhës së shkruar dhe të përdorur në veprat letrare si në ato origjinale ashtu edhe në ato të përkthyera. Megjithatë, gjuha e Nolit paraqet një interes të madh si për nga ana gjuhësore, ashtu edhe për nga ana stilistike.

Sipas Eqrem Çabejit, ai na paraqitet “Si një lis i moqëm me plot gëdhenjë, lis i vetmuar po me rrënjë, ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij”16. Pokështu, sipas Mahir Domit, Noli me mjeshtri dhe shije si pak kush tjetër, në një masë më të madhe se ndonjë shkrimtarë tjetër, qe lavrues i paepur i fjalës shqipe dhe “i çoi lartë mundësitë shprehëse të gjuhës sonë, duke kontribuuar që të ngjitet kjo në rangun e gjuhëve më të zhvilluara, e aftë për të shprehur çdo mendim sado të lartë, çdo ndijesi sado të hollë”17.

            Edhe Sh. Demiraj ka një mendim shumë të lartë për rolin e gjuhës së përdorur të Nolit në veprën letrare. Ai është i bindur se Noli është i shquar si shkrimtar, është një përpunues i përsosur i frazës shqipe dhe se në veprat origjinale dhe të përkthyera, paraqitet me një gjuhë mjeshtërisht të përpunuar, ku krahas saktësisë dhe larmisë së ndërtimeve sintaksore, bie në sy edhe rrjedhshmëria dhe eleganca e të shprehurit si dhe përdorimi mjeshtëror i mjeteve stilistike18.

            Ndërkaq, ka edhe mendime pak a shumë kritike për gjuhën e shkruar të Nolit. Kështu, Aleksandër Xhuvani, pasi pranon meritat e Nolit si shkrimtar, në disa raste, ka një qëndrim kritik ndaj gjuhës së përdorur nga Noli, meqë i duket se Noli nuk është kujdesur gjithaq për dlirësinë e gjuhës, ai shumëherë përdorë konstrukte e fjalë të huaja, nuk përdor frazeologji adekuate, nuk ka formuluar mirë disa neologjizma, prandaj Xhuvani beson se ky letrar dhe artist me merita në disa vepra të tij ka disa pjesë “që çalojnë nga puna e gjuhës”. Agalliu i jep të drejtë Xhuvanit duke konsideruar vërejtjen e tij si të peshuar dhe duke shtuar: “ Edhe ne jemi të mendimit se në fjalë dhe në ndërtime sintaksore, Noli nuk është kujdesur sa duhet për pastërtinë e gjuhës”19.

            Në veprën e tij “Israilitë dhe Filistinë”, Noli për herë të parë bën një sprovë për të shkruar një vepër letrare dhe artistike në gjuhën shqipe. Kësaj radhe, ne do të bëjmë përpjekje për të shestuar shkurtimisht fjalorin e gjuhës së shkruar të Nolit vetëm në rrafshin leksikor, por jo edhe në rrafshin morfo-sintaksor dhe fono-stilistik. Për sa i përket leksikut, duket sheshit fare lehtë një përdorim pak a shumë i tepruar i fjalëve të huaja, përkundër funksioneve dhe konotacioneve të rëndësishme që mund të kenë ato. Ja disa shembuj të përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja: blasfemon (mallkon), vulptet (epsh), responsabilitet (përgjegjësi), konviksie (bindje), mëprizoi (urrej), sharmonjë (josh), etj.  Ai ka përdorur edhe një numër arkaizmash dhe lokalizmash p.sh: debirem (tretem), godi (ndodhje), shtet (gjendje), veremn (tuberkulozi), trati (shkop), etj. Ai krijon edhe një mori neologjizmash, të cilat nuk kanë hyrë në gjuhën shqipe, si bie fjala: nandy (prish), shpas (rrugëdalje), shqeptim (zgjidhje), mosgodi (dështim, pësim), rrethrasje (rrethanë), etj. Por, ka përdorur edhe neologjizma dhe kompozita, që kanë hyrë në gjuhën shqipe, si fjala vjen: pafundësi, madhon, paskëtaj, mirëbërës, kryerabin, rrok, leqitje, atdhe, këshilltor, paanshëm, etj. Megjithatë, me këtë rast bie në sy se Noli qysh në këtë vepër fillon lëvrimin e shqipes dhe arrin të krijojë një gjuhë, e cila ka konotacione dhe fuqi emocionuese, efektive, evokuese dhe artistike dhe i shërben si një stil funksional dramaturgjik në dialogjet dhe monologjet noliane.                  

                         


11 Agalliu, F.: Gjuha e Nolit në veprat origjinale të tij, Botimet Toena, Tiranë, 1999, fq. 18

  

12 Po aty, fq. 20

 

13 Dialogu në dramën e Nolit shpesh e përfshin dhe e shpalon aksionin dhe konfliktet

 

14 Duket më se e qartë se kënga e paralajmëron konfliktin intern të Samsonit. Fjalori i këngës është mjaft i ngjeshur, kurse rimat dhe ritmi e përforcojnë funksionalitetin e saj

 

15 Agalliu, F., vep. e cituar, fq. 30  

 

16 Po aty, fq. 12

 

17 Po aty, fq. 32

 

18 Po aty, fq. 13

 

19 Po aty, fq. 25

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat