Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës

Opinione

Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës

Nga: Hamza Halabaku Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 13:29
Hamza Halabaku

Uroj që zgjedhjet e katërmbëdhjetë shkurtit t’i fitojnë ata që më shumë e duan Kosovën se hajninë e korrupsionin, nepotizmin dhe interesat e ngushta grupore e partiake

Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës shpërfaq gjithnjë e më shumë rënie të integritetit moral të politikanit, i cili angazhohet pa zgjedhur mjete për marrjen e pushtetit dhe më e keqja është se shoqëria jonë dalëngadalë po i adaptohet luftës dhe sjelljes së tillë politike, duke e konsideruar një gjë të tillë si krejtësisht normale. Prandaj në fushatë zgjedhore dominojnë grindjet e politikanëve, intrigat, dredhitë e përbaltjet ndaj kundërshtarit politik, ndërsa mbeten nën hije analizat serioze politike e strategjike zhvillimore të vendit. Në këso rrethanash është thuaja e pamundshme të flitet për ruajtjen e integritetit moral të politikanit të sotshëm kosovar.

Jemi dëshmitarë se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të caktuara për 14 shkurt, ka kohë që jo zyrtarisht ka filluar. Madje një fushatë e këtillë mund të thuhet se kishte nisur edhe shumë kohë para se, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, respektivisht presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, të merrte vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovë dhe njëkohësisht të caktoj 14 shkurtin 2021, datë kur do të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Opinioni publik në Kosovë aktualisht është i bombarduar me vetëlavdërime të pushtetarëve dhe me premtime pa mbulesë. Këto premtime shkojnë aq larg sa figurativisht mund të shprehemi se “edhe hënën do ta zbresin në Majën e Goleshit” dhe “plazhet e Durrësit do t’i sjellin diku në periferi të Ferizajt apo ku të dëshirojnë zgjedhësit e tyre”. Habit e dhëna se udhëheqës të disa partive politike, ish-ministra e ish-zëvendësministra para opinionit dalin edhe me numra se sa vende do t’i kenë në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit të Kosovës!

Fakti se gjithë këto premtime pa mbulesë jepen nga ata që e sollën Kosovën buzë greminës, të cilët me plot gojën shprehin sigurinë se do t’i fitojnë serish zgjedhjet, bën që te qytetarët e Kosovës gjithnjë e më shumë të zbehet bindja se zgjedhjet në demokracinë tonë kosovare janë të shenjta dhe se qytetarët me të drejtë vote duhet të gëzohen se po u jepet shansi, që përmes votës së lirë, të vendosin për fatin e shtetit të tyre. Pra gjithnjë e më shumë te qytetarët po ngulitet bindja se vullneti i zgjedhësve po manipulohet me vjedhje të votës dhe kryesisht me blerje apo kushtëzim të votës në radhët e armatës së militantëve të punësuar me mëritë a pa mëritë në organet e në institucionet buxhetore, por edhe në kompanitë e pakta publike me të cilat udhëheq garnitura e pushtetmbajtësve të Kosovës.

Unë mendoj se në këtë fazë vetëm komuniteti serb mund të flasë për numra të këtillë, sepse i ka vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës, të caktuara me planin e Martti Ahtisaarit. Serbët në Kosovë ishin dhe mbetën të përkëdhelurit e Evropës, me shumë privilegje, favore e të drejta të veçanta, por deri më tash u dëshmua se një përkëdhelje të këtillë e patën edhe nga ata që me çdo kusht synuan të marrin pushtetin në Kosovë.

Por të kthehem aty për çka edhe fillova këtë shkrim. Duke i shikuar emisionet e drejtpërdrejta televizive, në cilindo televizion qoftë, vëren njerëz që flasin e nuk dinë çka flasin dhe lëre me që ne shikuesit nuk i marrim vesh, por jam i bindur se as moderatorët e emisionit nuk i kuptojnë fare përgjigjet e tyre, por kalojnë heshturazi mbi to. Ajo që qartë kuptohet janë grindjet me njëri-tjetrin, shpesh me sharje e ofendime. Nuk lodhën fare se me këtë mënyrë debati përçajnë qytetarët e ngratë.

Çështja që më së shumti mua më bën përshtypje është ajo se disa nga këta zotërinjtë me aq bindje të thellë konstatojnë se do t’i fitojnë zgjedhjet, madje edhe përmendin numra se sa vende do t’i kenë partitë e tyre në Parlament në legjislaturën e ardhshme. Edhe pse nuk dua të dyshoj në rregullsinë e zgjedhjeve, konstatimet e këtilla më bëjnë të dyshoj se mund të ketë manipulime, vjedhje të votës, blerja dhe kushtëzim të votës.

Në favor të dyshimit tim është edhe një tregim që një miku im më pat treguar para disa vjetëve rastin e tij, kur e patën zgjedh për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Derisa ai kishte qenë në pushim vjetor në Shqipëri ishte njoftuar përmes telefonit se e kishin zgjedhur në atë post. Miku im, që një kohë ishte ish-shefi im, njoftimin e kishte marrë pak me droje se mos nuk po arrinte ta menaxhonte si duhet procesin për shkak të moshës që kishte, por në këtë e inkurajonte përvoja që më herët e kishte në punë të këtilla.

Vazhdimi i mëtejshëm i tregimit të mikut për mua ishte jo vetëm interesant, por edhe i pabesueshëm. Sipas tij, posa ishte kthyer nga pushimi ishte ftuar nga një zyrtar shumë i lartë qeveritar i vendit, i cili pas asaj që quhet protokolare në pritje, iu kishte drejtuar:

- A e dini ju kush duhet ti fitoj zgjedhjet?

- Si nuk e di. Zgjedhjet i fitojnë ata që do sovrani, votuesit.

- Jo, i kishte thënë nikoqiri, duke e shikuar drejtë në sy e pa u skuqur fare. - Ju duhet ti rregulloni punët ashtu që zgjedhjet ti fitojë partia jonë.

- Zotëri, unë nuk di të punoj ashtu – i kishte thënë miku im.

- Do të mësohesh. Për këtë punë nuk duhet të kesh shumë shkollë...

Miku im ishte ndier shumë keq pas asaj bisede me zyrtarin e lartë qeveritar dhe ishte drejtuar në lokalet e Presidencës së Kosovës, ku kishte kërkuar takim me presidentin me të cilin edhe njiheshin më herët. Miku im ishte befasuar se posa kishte hyrë në kabinetin e presidentit, menjëherë pas tij aty kishte hyrë zyrtari i lartë qeveritar me të cilin kishte zhvilluar takimin pak më parë.

Në pamundësi për t’i treguar fill e për pe presidentit se çfarë kërkese i kishte bërë zyrtari i lartë qeveritar, e kishte relativizuar problemin, por njëkohësisht kishte kuptuar raportin e forcave aty. Miku im zgjidhjen e kishte parë te dorëheqja e tij dhe pa humbur kohë e kishte shkruar tekstin e dorëheqjes së pa revokueshme nga detyra e pa filluar e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Baba im, ndjesë pastë, më thoshte se asnjëherë nuk kishte dëgjuar se dikujt i thonë “hajdut aga”!

Uroj që zgjedhjet e katërmbëdhjetë shkurtit t’i fitojnë ata që më shumë e duan Kosovën se hajninë e korrupsionin, ata që më shumë e duan Kosovën se nepotizmin e interesat e ngushta grupore e partiake, uroj që zgjedhjet t’i fitojnë ata që janë të gatshëm ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar, dukuri këto që e kanë ngufatur Kosovën dhe qytetarët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat