Si lindi partia “mëmë”...!?

Opinione

Si lindi partia “mëmë”...!?

Nga: Agim Vuniqi Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 18:37
Agim Vuniqi

Emisioni shumë herë i dëgjuar dhe i përcjellur nga fëmijët “Kolovajza për fëmijë”, që emitohej vazhdimisht në valët e “Radio Prishtinës” për çudi ishte model i organizimit politik të shqiptarëve, sidomos pas shuarjes se autonomisë. Që nga atëherë në politikë u inkuadruan shume njerëz. Ishte “hyxhymi” më i madh i intelektualëve në politikë. Ishin rreshtat e gjatë të pritjes për t’u nënshkruar në letrat e prera disa herë nga letra bazë e standardizuar, ishte koha e kalimit masiv të komunistëve e jo komunistëve nga LSPP-ja dhe LKJ-ja ne LDK, ishte lëvizja më masive politike, në kohën kur komunizmi kishte filluar te shkatërrohej dalëngadalë. Ky ishte padyshim një projeksion i shkëlqyeshëm i intelektualeve shqiptarë, i atyre qe iniciuan këtë e që asnjëri prej tyre nuk janë në te. Nuk ishin të paktë edhe të burgosurit e ndërgjegjes që e kishin gjetur veten në këtë lëvizje. 

Meqë të gjitha institucionet e atëhershme kosovare ishin shkatërruar, nuk vazhduan kontinuitetin institucional në kushte të reja, por të gjithë ama të gjithë bartësit e funksioneve udhëheqëse “shoqërore-politike” u angazhuan në poste të reja në degë, nëndegë dhe aktive të LDK-së. Nuk mbetën pa u inkuadruar edhe kuvendarët që e shitën Kosovën, ata qe pranuan heshtazi edhe pse nën presionin e tankeve shitjen e lirë të Kosovës, Nuk ishin të paktë ata drejtorë që kishin dhënë “ndihma” financiare “Zajam za preporod Serbije” e tash ishin pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, aty e gjetën veten edhe hajnat “legalë” e “jo legalë”.

Ishte ky vetëmashtrimi më i madh kolektiv, ishte kjo pasojë edhe i edukimit socialist të shumicës së intelektualëve shqiptare. Këtu nuk duhet përjashtuar përpjekjet e disa prej tyre, që tentuan politikisht të konceptonin këtë angazhim, duke i dhënë bile një fuqi institucionale dhe vendimmarrëse, ngase kishin filluar gabimet fillestare të kuvendarëve të rinj, të cilët veç kishin pranuar integrimin politik të Elektroekonomisë dhe të Trepçës, edhe pse më vonë vendimet e marra i hodhën poshtë. Angazhimi i tyre i mëtejmë ishte shprehje e vullnetit të popullit, si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut…, nga këta doli edhe qeveria e Bukoshit, pasuese e asaj te Jusuf Zajnullahut, “lindi” edhe kryetar, Ibrahim Rugova. 

Qe nga viti 1991 filloi “vjedhja” institucionale e popullit (edhe pse kjo u dëshmua me shumë vonesë), Bukoshi me një vendim të qeverisë 7/91 të mbështetura në nenet 1,2,3,..dhe 10 të Kushtetutës se Kaçanikut obligoi shqiptarët në krejt rruzullin e tokës që të ndajnë nga 3 përqind nga të ardhurat personale. Për t’u treguar aksioni më i efektshëm me mijëra aktivistë u angazhuan në këtë drejtim. Kështu u formua Fondi Humanitar Gjithëkombëtarë. Qytetarët shqiptarë që ishin në Zvicër me viza të përkohshme 4 dhe 9 muajsh detyroheshin që të jepnin nga 500 franga, ndërsa ata me viza “B” dhe “C” nga 1000. Ndëfrkohë u hap edhe kontoja në bankën popullore, në Aarau. Aksioni tashmë kishte edhe propagandën përcjellëse, mjetet tuboheshin “për të blerë armë”. Të gjithë besonin atëherë se ka filluar një punë e madhe, duke mos ditur se po krijonin kapitalistin dhe milionerin e parë shqiptar, urologun-kirurg Bujar Bukoshin, i cili u lansua në opinion përmes një flakareshi që ia dha kolegut serb. 

Që nga ajo kohë filloi të lulëzojë “biznes-patriotizmi” dhe turizmi politik i “burrave”, por, edhe i grave deri në Kinë e Japoni. Filloi edhe copëzimi politik “shumëpartizmi”, u formuan shumë parti politike “si këpurdhat pas shiut”, kështu u krijuan mundësitë për më shumë kryesi e kryetarë00,000 nganjëherë kishte edhe mosmarrëveshje “copëtoheshin” trupat partiakë jo vetëm në degë e nëndegë por edhe në “krahë”. Ai që merrte postin e kryetarit nuk kishte më mundësi të ndërrohej, kryetarllëku ishte tapi e “Republikës së Kosovës”.

Filloi edhe “lulëzimi” shkencor. Të gjithë profesorët universitar u inkuadruan në aksionin e pajtimeve, filloi të zhvillohet historia familjare e fisnore në emër të kombëtares, “pollën” shumë “heronj familjar”, i humbi “fija lëmshit” nuk dihej më kush është hero e kush trathëtar, me një fjalë me histori filluan të merren të gjithë, por gjithnjë fjala i shkonte më tepër atij që kishte “marka të gjermanit” më shumë. 

Dalëngadalë filloi të zhvillohet edhe ekonomia e tregut, ngrehën kokën celulat e para bankare, “fajdetë”. Nuk ishin të rralla rastet kur edhe shumë “funksionerë politikë” të asaj kohe që ishin të afërt me qeveritar t’u ndajnë kredi biznesmenëve të posa lindur, që “kreditë” qeveritare shpesh u jepeshin biznesmenëve në shtetet prej nga bëhej importi i të mirave materiale. Meqë kreditë dhe interesi nuk kthehej me kohë angazhoheshin edhe “forcat muskulore” të njerëzve me biografi të dyshimtë. 

Meqë ishte koha kur në fuqi ishte “dinari” shumë deviza qeveritare këmbeheshin në dinarë përmes “Këshillit për Financim” dhe “Këshillit Republikan për Ndihma Emergjente”, merrte “frymë” fuqishëm tregu i devizave “markat gjermane” këmbeheshin për dinarë, gjithnjë duke pasur kujdes në provizion. Ngjitej lartë treguesi financiar i shumë firmave private, të gjithë kishin bërë “hyxhym” në Kompleksin tregtar, aty ku kishte selinë Këshilli Republikan për Ndihma Emergjente. “Firmashët” e Prishtinës donin “t’i dilnin në ndihmë” popullatës së shpërngulur nga Drenica pas aksioneve ushtarake dhe policore të forcave serbe, që kishin djegur çdo pëllëmbë të Drenicës, lidheshin kontrata, fryheshin çmimet, nuk ishte me rëndësi cilësia e mallit, çdo gjë shitej, e më se shumti marmelata. 

Nuk mbaroi me kaq “kolovajza politike”, u krijuan dy herë parlamente, e dy herë u zgjodhën kryesitë. Edhpse uk u mbajt asnjë mbledhje plenare e Kuvendit parlamentarët merrnin rroga. Që nga ajo kohe filloi edhe “biznesi turistik”. Fluturonin aeroplanë në të gjitha anët duke bartur refugjatët shqiptarë. Edhe transporti rrugor ishte mjaft i ngarkuar. “Agjentët” turistikë ishin stabilizuar në kufijtë e Hungarisë, Çekisë e Sllovakisë. Stacionimi i tyre kishte karakter strategjik-sa më afër Gjermanisë, Zvicrës e Austrisë, biznesi zhvillohej mbi tragjedinë shqiptare, për ketë qellim ishin angazhuar edhe auto-frigoriferë, te pazëshmit bënin sehir kur do te ndalej kjo tragjedi. 

Rinia shqiptare nuk e përballoi dot këtë gjendje, shkëputi zinxhirin mafioz dhe atë të robërisë, filloi t’i bashkëngjitej masovikisht një lëvizjeje të re politike dhe ushtarake, asaj të UÇK-së. Ata iu bashkëngjitën liridashësve shqiptarë: Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit Hakif Zejnullahut, Ardian Krasniqit, Fehmi Lladrovcit e shumë trimave shqiptarë që trasuan rrugën e lirisë. 

E prapë shqiptarët mbetën në gjysmë të rrugës. Kosova ka një Parlament që mban mbledhje sa herë që siguron kuorumin, ka kryeparlamentarin që pret dhe përcjellë delegacione, ka kryeministrin dhe qeverinë multietnike, ka presidentin, ka edhe administratën publike me shumë intelektualë të fuqishëm biologjikisht, të cilët kanë edhe vetura luksoze me shoferë të shumtë profesionistë, ndoshta së shpejti do të kenë edhe “piramidën” kulturore në formë të kristalit, një megalomani liderësh komunistë, ende janë pa shtet. 

Pensionistët “kënaqen” me 90 euro, invalidët e luftës nuk kanë mbrojtje institucionale. Kënaqen edhe parlamentarët që nganjëherë mblidhen për të pire kafe, por edhe për të votuar, sa për të arsyetuar pagat mujore. Ekonomia e shkatërruar tërësisht, e qytetarët kënaqen në vazhdimësi me frytet institucionale dhe demokratike “terrin institucional”, por edhe terrin fizik në vazhdimësi. E grupet politike bëjnë sefa duke pritur pakon e Ahtisarit, dhe të gjithë marrin rroga. 

Shqiptarët kanë “liri”, por ende janë me shtet të fasaduar...në ndërtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat