Pjesa e mençur e popullit, këtë herë, të votojë Albinin dhe Vjosën

Opinione

Pjesa e mençur e popullit, këtë herë, të votojë Albinin dhe Vjosën

Gjokë Dabaj Nga Gjokë Dabaj Më 6 shkurt 2021 Në ora: 14:48
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Një zgjedhës i mençur nuk shikon interesin e partisë, por shikon interesin e shtetit. Sepse, në fund të fundit, përse ekziston partia? Partia ekziston, partia është krijuar, sepse njerëzit që e përbëjnë, mendojnë që, me programin e tyre, i bëhet mirë atdheut të tyre e, rrjedhimisht, edhe atyre vetë. Interesat vetjakë, si në qerthullin e një partie, ashtu edhe në qerthullin e një shteti, apo edhe më gjërë, harmonizohen me interesa më të lartë. Përndryshe, s’kish pse krijoheshin, as partitë, as shtetet. Në të gjithë rastet, interesi i shtetit qëndron mbi interesin e partisë dhe interesi i kombit qëndron mbi interesin e shtetit.

Në rastin e tashëm të Republikës së Kosovës, puna më e ngutshme është mbarëvajtja e shtetit. Nëse sigurohet mbarëvajtja e shtetit në këtë pjesë të Shqipërisë, hapen perspektiva për një mbarëvajtje më shpresëdhënëse edhe për krejt Shqipërinë. Prandaj është momenti që shqiptarët e Kosovës duhet vendosmërisht të bëhen faktor për t’u dhënë fund zvarritjevet të pamençura.

Nuk e kam fjalën për anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe për subjektin politik që e ka krijuar znj. Vjosë Osmani. As për simpatizantët e tyre. Fjalën e kam për anëtarët e partivet të tjera dhe për simpatizantët tradicionalë të atyre partive. Ata, këtë herë, nëse janë njerëz të mençur, duhet t’ua japin votën Albin Kurtit dhe Vjosë Osmanit.

Pengesë e madhe në mentalitetin tonë është e ashtuquajtura besnikëri. Jemi bërë anëtarë të një partie apo i kemi dhënë fjalën njërës parti dhe nuk ia japim votën asnjë subjekti tjetër? Në të këtillë raste harrohen interesi i shtetit dhe interesi i kombit. Harrohen dhe dëmtohen rëndë, si shteti, ashtu edhe kombi. Sepse, po të shpërndahet vota në 10 apo më shumë parti, si do të krijohet qeveria?! Qeveria do të krijohet me të quajturit koalicione. Por ç’janë koalicionet? Koalicionet janë bashkime forcash politike të dobëta. Themi, të dobëta, sepse, po të mos ishin të dobëta, ato s’kish pse t’i ngjitehsin njëra-tjetrës. S’kish pse krijonin koalicione.

Ç’të mira mund të presë populli prej forcash të dobëta politike, përveç qeverisjesh të dobëta?! Qeverisje të përçara e të paqëndrueshme! Qeverisje, ku secili mundohet të zhvatë ndonjë gjë për vete!

Nëse gjykojnë kështu, zgjedhësit me mendje të kthjellët dhe me këmbë në tokë, duhet t’ia japin votën asaj force politike, e cila i ka shanset për të qeverisur me sa më pak shkopinj dhe litarë nëpër këmbë. Në zgjedhjet e kësaj here, shanset për të marrë shumicën në parlament i kanë pikërisht Albin Kurti dhe Vjosë Osmani. Kuptohet, kanë programet më shpresëdhënës, prandaj i kanë edhe shanset. Kanë udhëheqjet më të besueshme, prandaj i kanë edhe shanset. Pra, le t’ua japim atyre votën këtë herë! Le t’ua sigurojmë një qeverisje 4-vjeçare dhe le t’i provojmë pale ç’mund t’i ofrojnë këta Republikës së Kosovës!

Mbas katër vjetësh, këtu do të jemi përsëri. Nëse do të qeverisin dobët, nuk do t’ua japim kurrë më votën tonë. Madje as anëtarët e subjektevet të tyre nuk do t’ua japin votën, le më të tjerët! Por, le t’i provojmë, sepse s’është hera e parë që populli ynë bën prova! Nëse do ta justifikojnë besimin e popullit, sigurisht që do të vazhdojnë t’i fitojnë edhe t’i rifitojnë mandatet.

Ky është mendimi im, se këtë herë, “Vetëvendosja” dhe formacioni i ri politik i Vjosë Osmanit duhet të fitojnë sa më bindshëm. Duke votuar për ‘ta edhe ata që herët e tjera kanë votuar për subjekte të tjerë, si dhe duke dalë në votime sa më shumë nga ata shtetas që herë të tjera nuk kanë votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat