Konfereca e Rambujesë - 23 vite pas (Një nga themelet e Republikës)

Opinione

Konfereca e Rambujesë - 23 vite pas (Një nga themelet e Republikës)

Nga: Astrit Zemaj Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 18:07
Astrit Zemaj

Pjesa në vijim e shkëputur nga libri im:

"LEGJITIMITETI I INTERVENIMIT HUMANITAR USHTARAK NË KOSOVË" (Prishtinë 2013).

Kapitulli i dytë

2.4 Gjendja në prag të bombardimeve dhe përpjekjet e fundit të Bashkësisë Ndërkombtare

Fatkeqësisht, përkundër përpjekjeve të mekanizmave ndërkombëtarë nuk ishte arritur një gjendje e kënaqeshme, e cila do të siguronte stabilitetin. Para syve të verifikuesve të OSBE-se, kishte vazhduar pandërprerë mënyra e vjetër e veprimit kundër popullsisë civile në Kosovë. Epilogu i çdo dite ishte vetëm raportimi për vrasjet, dhunën dhe largimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova. Ndër krimet më të rënda ato ditë, të kryera nga forcat jugosllavo-serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, ishte Masakra e Reçakut, e cila u krye me dt.15.01.1999. Forcat serbe grumbulluan banorët e fshatit dhe ndërmorën një fushatë të egër dhune, e cila përfundoi me vrasjen e 45 civilëve të paarmatosur shqiptarë. Ky akt i tmerrshëm mund të krahasohej vetem me krimet e kryera disa vite më parë në luftën e Bosnjës[1].
Kjo ishte një dëshmi tjetër e dhunës, e vertetuar drejtpërdrejt nga ana e monitoruesve të OSBE-së në krye me shefin e saj, Ambasadorin William Walker, si dhe një numër i madh i gazetarëve ndërkombëtarë, të cilët në atë përiudhë raportonin nga Kosova. Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-se, Ambasadori, W. Walker i shokuar nga skena e krimit, në të cilën ishin vrarë 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, duke e kategorizuar si dramatike këtë akt dhune, e kishte alarmuar opinionin ndërkombëtar dhe kishte kërkuar që kjo masakër t’i kalojë për hetim Tribunalit për Krime lufte në ish-Jugosllavi[2].

Padyshim se Masakra e Reçakut, mbetet një ndër krimet më monstruoze të Forcave ushtarake Jogosllavo-Serbe të kryera para intervenimit ushtarak të NATOS-në Kosovë. Ky akt ishte cilësuar si një masakër edhe nga komuniteti i gjerë ndërkombëtar, sidomos nga vendet perëndimore dhe nga vet Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Për vendet përëndimore dhe NATO-n, ishte bërë e qartë se forcat serbe ishin në gjendje të ripërsërisin krimet e tyre të mëparshme të kryera, sikurse në rastin e luftës në Bosnjë; se shpëtimi dhe rrugëdalja e vetme do të mund të arrihej vetëm nëpërmjet një intervenimi me forca paqësore ushtarake, të cilat do të ishin nën vartësinë e NATO-s, dukej se mbetej njëri ndër opsionet më primare për veprimet e mëtutjeshme.

Reagim i ashpër ndaj përkeqësimit të gjendjes në Kosovë dhe dhunës në rritje nga ana e forcave jugosllavo/serbe, sidomos pas aktit të rëndë të Reçakut, kishte ardhur edhe nga takimi i ministrave të Grupit të Kontaktit, i mbajtur në Londër më 29 janar 1999. Grupi i Kontaktit dënoi ashpër masakrën e Reqakut, duke ardhur në përfundimin se dhuna dhe krimet në Kosovë janë gjithnjë në rritje dhe kryhen në baza ditore.

Fatkeqësisht, e tërë kjo ndodhte edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të mekanizmave ndërkombëtarë për të siguruar paqe dhe siguri. Grupi i Kontaktit kishte ftuar të dyja palët e përfshira në luftë, që më 6 shkurt 1999, në Rambuje afër Parisit, të fillojnë negociatat për arritjen e paqes në një konferencë, e cila duhej të mbahej nën bashkëkryesimin e ministrave Hubert Vedrine (Francë) dhe Robin Cook (Britani e Madhe)[3]. Për shumë studiues dhe politikanë të asajë periudhe, Masakra e Reçakut, e kryer nga ana e forcave jugosllavo/serbe para syve të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ishte ndikuesi më i fuqishëm për fillimin e negociatave në Rambuje dhe vendosmerinë e Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s, që përfundimisht të mos ketë zbrapsje nga arritja përfundimtare e paqes dhe sigurisë[4].

Prandaj, duke qenë më i qartë dhe duke e marrë në konsidertaë përshkallzimin gjithnjë e më tepër në tërren, Këshilli i Aleances Veri-Atlantike, më 30 janar 1999, kishte bërë thirrje që personat përgjegjës të sillen para drejtësisë ndërkombëtare[5], njëkohësisht NATO-ja ishte pajtuar që Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s mund të autorizojë veprime ushtarake përmes sulmeve ajorore kundër caqeve në territorin e ish Federatës Jugosllave, të cilat ishin në pajtueshmëri më pritjet e komunitetit ndërkombtarë, si mënyrë për të arritur një marrëveshje politike, e cila do të siguronte paqen në Kosovë[6] dhe për ta penguar ndonje katastrofë të mundshme humanitare.

Në këtë kontekst, shtetet vendimmarrëse të kohës, të mbledhura në Grupin e Kontaktit për Jugosllavinë (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia), sidomos para ndërhyrjes ushtarake në Konferencën e Rambujesë, të mbajtur më 6 deri me 23 shkurt 1999 dhe, në atë të Parisit deri në mesin e muajit mars 1999, kishin bërë përpjekjet maksimale për të gjetur zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet negociatave ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë jugosllave-serbe dhe të shqiptarëve të Kosovës.

Në përpjekje për të arritur paqen dhe sigurinë, i tërë komunitetit ndërkombëtar kishte drejtuar shpresat tek nagociatat në Rambuje. Të ftuar në negociata ishin përfaqsuesit e shqiptarëvë të Kosoves në përbërje politiko-ushtarake dhe, pala jugosllave-serbe, e cila kryesohej nga presidenti i vendit[7]. Nivelet më të larta politike, diplomatike dhe ushtarake nga vendet e botës me influencë, si dhe udhëheqja më e lartë e NATO-s, nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm, H.Solana, përbëjnë palën kyçe të inkuadruar në proces.
Konferenca e Rambujesë kryesohej nga treshja ndërkombëtare, të cilët ishin edhe bashkëkryesues të Konferencës. Përfaqësues për Këshillin e Evropës ishte ambasadori Volfgang Petriç *(Wolfgang Petritsch), përfaqësues i SHBA-ve - ambasadori Kristorfor Hill *(Christopher Hill) , ndërsa Federata Ruse përfaqësohej nga ambasadori *Boris Majorski (Boris Majorski )[8].

Pas negociatave të vazhdueshme, të takimeve veç e veç me palën shqiptare dhe atë serbe, më 23 shkurt 1999, treshja kryesuese kishte dhënë një deklaratë, e cila dëshmonte arritjen e një konsensusi, i cili nuk kishte mundur të përafrohej më parë, si pasojë e qëndrimeve diametralisht të kundërta të palës shqiptare dhe asaj serbe në negociata, thuajse ishte arritur.

Një formë e përafërt ishte dhënë se: Negociatat kanë çuar në një konsensus për autonomi substanciale për Kosovën, duke përfshirë edhe mekanizmat për zgjedhje të lira dhe të ndershme për institucione demokratike, për qeverisjen e Kosovës, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për të drejtat e anëtarëve të bashkësive nacionale dhe, për themelimin e një sistem të drejtë gjyqësor. Treshja kryesuese e negociatave kishte shkuar edhe më tej, duke paraqitur para opinionit ndërkombëtarë arritjen e ”një kornize politike tani është vendosur”, për të lënë që të kuptohët se do të vazhdojë me “punën e mëtejshme të finalizimit të zbatimit të kapitujve të marrëveshjes, duke përfshirë edhe modalitetet për të ftuar praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë”[9].

Pas kësaj, më 18 mars 1999, nën siglën Marrëvëshja e Rambujesë, e njohur në gjuhën zyrtare “Rambouillet Agreement, Interim Agreement for Peace and Self-Government in Kosovo” , kishte përfunduar dokumenti final, i cili ishte paraparë të siguronte paqen, sigurinë dhe demokratizimin në Kosovë[10]. Pala kosovare ishte pajtuar me dokumentin përfundimtar të Rambujesë dhe, se bashku me palën nga SHBA-ja dhe të Britanisë së Madhe, e kishin nënshkruar, përderisa Serbia dhe Frederata Ruse e kishin refuzuar nënshkrimin e saj.

Ish-sekretarja e SHBA-ve, Madlin Ollbrigt, në raport me zhvillimet në Rambuje kishte deklaruar: ”... Ne u kemi kërkuar serbëve që të nënshkruajnë thjeshtë (marrëveshjen) në mënyrë që të jetë e mundur për të mbajtur Kosovën brenda Jugosllavisë, dhe të kemi një forcë ndërkombëtare që të siguronte këtë (marrëveshjen). Unë nuk mendoj se ishte kërkuar shumë... Ishte e qartë se kosovarët ishin të gatshëm të punojnë me Aleancën (NATO-n), përderisa serbët kishin vendosur të mos e nënshkruajnë marrëveshjen. Kjo ishte një zgjedhje shumë e qartë, e cila e qartësoi (përfundimisht) se përdorimi i forcës duhej të ndodhte (përkth.A.Z)[11]”.

Pra, vetëm kur përpjekjet përmes negociatave kishin dështuar, pasi Beogradi kishte refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen dhe nuk kishte pranuar garantimin e një autonomie të gjerë për Kosovën, si dhe vendosjen e një prezence ushtarake të forcave të NATO-s, atëherë NATO kishte vendosur përfundimisht që, kërcënimeve të mëparshme për një ndërhyrje të dhunshme ushtarake, ta bëjë realitet.[12]
Dhuna, vrasjet e shumta dhe në masë, si dhe dëbimi i popullsisë nga shtëpitë dhe pronat e tyre nga policia dhe nga forcat e rregullta ushtarake dhe paramilitare serbe, edhe gjatë kohës së bisedimeve në Konferencën e Rambujesë, nuk ishin ndalur fare.

Me fillimin e intervenimit të NATO-s, i tërë aparati i deriatëhershëm policor dhe ushtarak serb, i vendosur në Kosovë, si dhe forca të tjera shtesë, të cilat ishin dërguar, ndërkohë, nga ana e Beogradit, vetëm sa e kishin intensifikuar dhe ashpërsuar fushatën e tyre vrastare kundër popullsisë shqiptare në të gjithë Kosovën. Aplikimi i fushatës së “Tokës se djegur”, i shoqëruar me dëbimet masive të organizuara përtej kufijve të Kosoves (Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri), kishin sjellë pamje tronditëse të pastrimit të hapët etnik, të cilat Evropa nuk i kishte përjetuar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botrore. Duke vlerësuar situatën në terren, dështimin e përpjekjeve për të zgjidhur konfliktin nëpërmjet negociatave, motivi për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë përfundimisht ishte "për të ndaluar dhunën dhe për të parandaluar katastrofën humanitare të mëtejme".

Më 20 mars 1999, Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, ishte detyruar të tërhiqet nga rajoni, pasi, duke u përballur me obstruksione të ndryshme nga forcat serbe deri në atë masë, ato nuk kishin asnjë mundësi të vazhdojnë të përmbushin detyrën dhe misionin e tyre. Pas gjithë kësaj, përfaqsuesi i SHBA-ve, negociatori në proces, ambasadori, Richard Hollbruk, shkoi edhe një herë në Beograd, për një përpjekje të fundit, për të bindur presidentin e Serbisë, Slobodan Milosheviç, që forcat serbe menjëherë t’i ndalojnë sulmet mbi shqiptarët e Kosovës, përndryshe në një të ardhshme shumë të afërt, Jugosllavia e mbetur dhe Serbia, do të përballeshin me sulmet ajrore të forcave ushtarake të NATO-s[13]. Kërkesës së fundit të ambasadorit Holbruk, Milosheviçi i kishte dhënë përgjigje negative dhe kategorikisht kishte refuzuar të bindej.

Më 23 mars 1999, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, smbasadori, R.Holbruk, në paraqitjen e tij para përfaqësuesve të NATO-s, duke iu drejtuar sekretarit të përgjithshëm, Havier Solana*(Javier Solana), kishte deklaruar: ”Tani procesi, simbolikisht dhe zyrtarisht, dorëzohet dhe si i tilllë kthehet tek ju. Kjo është çështje e NATO-s (Përkth.A.Z)[14]."

Menjëherë pas kësaj, kishin filluar edhe reagimet e fundit para fillimit të operacioneve nga ana e dy liderëve kryesorë të vendeve të NATO-s, siç ishin SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si dhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana:
Bill Klinton: “Nëse zoti Milosheviç nuk është i gatshëm për të bërë paqe, ne jemi të gatshëm për të kufizuar aftësinë e tij për të bërë luftë (përkth. A.Z)”[15];

Tony Blair: “Pasojat e mundshme të veprimit ushtarak janë serioze. Pasojat për të mos vepruar janë edhe më serioze”[16].
Havier Solana: "Ne duhet të ndalim dhunën për t’i dhënë fund katastrofës humanitare, që tani është duke ndodhur në Kosovë... Ne duhet të ndalojmë represionin e një regjimi autoritar kundër popullit të saj në Evropë, (e cila po ndodhë) në fund të shekullit 20-të (përkth.A.Z).[17]"

Nuk kishte vonuar dhe në mbrëmjen e 23 marsit të vitit 1999, në orën 22.15, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, deklaroi se kishte dhënë urdhër, që Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë *(Supreme Allied Commander Europe (SACEUR), gjeneral armate i ushtrisë amerikane, Wesly Clark[18], për të vënë në veprim fushatën e sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë, operacionin ushtarak, Operation Allied Force.
Më 24 mars 1999, forcat e NATO-s fillojnë fushtën ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur (Serbia dhe Mali i Zi) si dhe caqeve të tjera në Kosovë.[19] Kjo fushatë ajrore (bombardimet) zgjati 78 ditë.

Më 9 qershor 1999, në Kumanovë (Maqedoni), nënshkruhet marrëveshja Teknike-Ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Jugosllavisë/Serbisë, e cila bën të mundshme tërheqjen e administratës dhe ushtrisë serbo-jugosllave nga Kosova.[20]
Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), autorizon, përmes Rezolutës 1244 (1999), vendosjen e forcës paqeruajtëse të KFOR-it në gjithë territorin e Kosovës[21]. Në bazë të kësaj Rezolute, Kosova ishte vënë nën administrim të Kombeve të Bashkuara, e cila prezentohëj përmes përfaqsuesit të Sekretarit të Përgjithëshem të OKB-së[22].

[1] Shih: Strauss, Julius (30 qershor 2001). "Massacre that started long haul to justice". London: The Daily Telegraph.

[2] Shih: TRANSCRIPT: AMB. WALKER PRESS CONFERENCE AFTER MASSACRE IN KOSOVO (Wants ICTY and Judge Arbour to investigate killings) January 26, 1999. Ambassador William Walker, head of the Kosovo Verification Mission, said at a press conference at the OSCE (Organization for Security and Cooperation in Europe) January 25 that "I think that ICTY [International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia] and Judge Arbour should be allowed to come in" to investigate the deaths of 45 Kosovar Albanian civilians in the village of Racak in southern Kosovo.

[3] Shih: Contact Group Concusions. Chairman's Conclusions - London, 29 January 1999. “Despite the intensive efforts of the international community, violence remains a daily occurrence in Kosovo. Ministers unreservedly condemned the massacre of Kosovo Albanians at Racak which resulted in several thousand people fleeing their homes”….” …agreed to summon representatives from the Federal Yugoslav and Serbian Governments and representatives of the Kosovo Albanians to Rambouillet by 6 February, under the co-Chairmanship of Hubert Vedrine and Robin Cook, to begin negotiations with the direct involvement of the Contact Group”.
[4] Po aty tek: Contact Group Concusions. Chairman's Conclusions - London, 29 January 1999.

[5] Shih. https://www.nato.int/docu/pr/1999/p99-012e.htm?fbclid=IwAR1Q35ni8NR-DRyp3VeOAqVwd8lAMiA9HB_7m8BNgywQSSM1xJsxpJnwsxE Statement by the North Atlantic Council on Kosovo" (Press release). NATO. 30 janar 1999.Pika nr.3:”NATO recalls that those responsible for the massacre at Racak must be brought to justice and that the FRY authorities must cooperate fully with ICTY. They must also cooperate fully with the OSCE Kosovo Verification Mission and ensure the security of its personnel”.

[6] Shih, po aty, tek: Statement by the North Atlantic Council on Kosovo" (Press release). NATO. 30 Janar 1999. Pika nr.4“: …NATO is ready to take whatever measures are necessary in the light of both parties' compliance with international commitments and requirements, including in particular assessment by the Contact Group of the response to its demands, to avert a humanitarian catastrophe, by compelling compliance with the demands of the international community and the achievement of a political settlement. The Council has therefore agreed today that the NATO Secretary General may authorise air strikes against targets on FRY territory”.

[7] Milan Milutinovic, president i Serbisë nga viti 1997-2002.

[8]http://www.ohr.int/other-doc/contact-g/default.asp?content_id=3560&fbclid=IwAR1KD-tJLAA09-CKvOYMfKoaGQhB62qZh_qz0Hzbg6eU3Gk11WJdtHuCLgM Contact Group Statement - Rambouillet, 23 February 1999.

[9] Shih: po aty tek: Contact Group Statement - Rambouillet, 23 February 1999, pika Nr. 4. A political framework is now in place, as set out in the Rambouillet Accords, and the groundwork has thereby been laid for finalising the implementation Chapters of the Agreement, including the modalities of the invited international civilian and military presence in Kosovo.

[10] Shih faqen e Departmentit te Shtetit tw SHBA-ve, https://www.state.gov/404?fbclid=IwAR0KJk9oyKXffdYvaZe30wvO7ZeXtNUGLQK-VNy4kW87cy8S30GwO5xZbCc Rambouillet Agreement, Interim Agreement for Peace and Self-Government in Kosovo.

[11] Shih: Frontline Interviews, Madeleine Albright. “We were asking the Serbs to simply sign on to keeping Kosovo in Yugoslavia, and having an international force there to ensure that. I don't think that was asking too much. . . . It became clear that the Kosovars were willing to work with the alliance, and the Serbs had decided they would not. It was a very clear choice, which made it clear that the use of force had to take place”. Tek: https://www.pbs.org/wgbh/pages/frontline/shows/kosovo/interviews/albright.html?fbclid=IwAR2LOZ459TB9fndoZ1973gHrJ8Ui2il15_GUlkj3RqzgAwmuOaHFAbignB8

[12] shih. Thürer, Der Kosovo- Konflikt im Lichte des Völkerrechts: Von drei-echten und scheinbaren- Dilemmata, faq 360.

[13] Shih tek:https://www.nato.int/kosovo/history.htm?fbclid=IwAR08wotB3kUE1tToSIo11LLPKINhd-flTerz_00WvoJ6T6Y6rClpYJUKOvA. NATO's role in relation to the conflict in Kosovo

[14] http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/301900.stm.World?fbclid=IwAR2bbI5En0J6OMrVAcPErkhaOxdAHHJoa51mLIvJTqyK0lZMyHAVqlj2q-E.World: Europe Nato poised to strike. BBC News, March 23, 1999. Richard Holbrooke “The process now is handed both symbolically and formally back to you. It's Nato's issue“.

[15] Po aty tek: Europe Nato poised to strike: Bill Klinton, "If Mr Milosevic is not willing to make peace we are willing to limit his ability to make war."

[16] Po aty tek: Europe Nato poised to strike: Tony Blair, "The potential consequences of military action are serious. The consequences of not acting are more serious."

[17] https://www.sfgate.com/news/article/NATO-Mobilizes-for-Attack-Yugoslavia-declares-2940276.php.NATO?fbclid=IwAR0Zst_1OtOHU6q_CCSIfFKBEYcnuJiMXP8oCGsLCIqI-kLRW2vHCZspCZUMobilizes for Attack / Yugoslavia declares state of emergencyBarton Gellman, Washington Post Copyright 2013 Washington Post. All rights reserved. This material may not be published, broadcast, rewritten or redistributed. .Barton Gellman, Washington Post. E publikuar medt. 24 Mars 1999. Havier Solana: "We must halt the violence and bring an end to the humanitarian catastrophe now unfolding in Kosovo". "We must stop an authoritarian regime from repressing its people in Europe at the end of the 20th century."
Read more: https://www.sfgate.com/hdn/hrlm/p/callback.html
Read more: https://www.sfgate.com/hdn/hrlm/p/callback.html

[18] Gjenerali, Vesli Klark(Wesley Clark) në vitet 1997 - 2000 , ishte Komandant Suprem i NATO-s dhe Komandant i Komandës së SHBA-ve për Europë. Në këtë pozitë, ai e kishte komanduar Operacionin e Forcave Aleate të NATO-s në luften e Kosoves, i cili është edhe akcioni parë luftarak në historinë e NATO-s që nga krijimi i sajë.

[19] shih, Konferencë për shtyp e dt.25.Mars 1999, ish, Sek. i Pergj. i NATO-s

[20] Shih: https://www.nato.int/kosovo/docu/a990609a.htm?fbclid=IwAR1IJ4SrZ7VEfXghcJa-QWphDjbDegBmAz_jTKxm1j1gNTj45gzT3HVva0A. Military technical Agreement of 9.6.1999 between the International Security Force (“KFOR”) and the Governmentes of the Federal Republic of Yougosllavia and the Republic of Serbia.

[21] Shih: Thürer, Der Kosovo- Konflikt im Lichte des Völkerrechts: Von drei-echten und scheinbaren- Dilemmata, faqe 360

[22] Shih: Rezoluta 1244. RESOLUTION 1244 (1999).Adopted by the Security Council at its 4011th meeting,
on 10 June 1999 , (note 3), para 6. “6. Kërkon që Sekretari i Përgjithshëm ta caktojë, në konsultim me Këshillin e Sigurimit, një përfaqësues special për ta kontrolluar zbatimin e pranisë civile dhe, kërkon më tej, që sekretari I përgjithshëm ta udhëzojë përfaqësuesin e tij special që të bashkëpunojë ngusht me praninë ndërkombëtare të sigurisë, në mënyrë që të sigurojë se të dy palët do të veprojnë për të njëjtat qëllime dhe do ta përkrahin njëra- tjetrën në mënyrë reciproke”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat