Dridhjet “tektonike” në LVV, në horizont!

Opinione

Dridhjet “tektonike” në LVV, në horizont!

Nga: Fatmir Bajraj Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 09:27
Fatmir Bajraj

Valët "sizmike" të dala në sipërfaqe, paralajmërojnë një magnitudë të shkallës së lartë, kur kihet parasysh grumbullimi i energjive shpërthyese brenda një Lëvizje, tanimë të kontaminuar dhe të mbarsur me eksploziv të pa kontrollueshëm.

Lëvizja Vetëvendosje po përjeton një gjendje të "Qetësisë para Stuhisë", dhe kjo qetësi po përpiqet që të kontrollohet nga lidershipi i saj dhe të menaxhohet me energjitë e fundit të cilat janë në limit, pra po shkojnë drejt fundit, pa ndonjë siguri se do prekin deri në ditën e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, për çfarë do të ishte një zhgënjim i thellë për mbështetësit dhe elektoratin e mashtruar mbi mashtrimin e madh: Ne jemi shpëtimi!

Populizmi dhe industria e propagandës e z.Kurti në krye të VV-së, ia ka dalë mbanë që të infektoj dhe indoktrinoj një pjesë të konsiderueshme të adoleshencës brenda vendit, si dhe mërgatën tonë të lënë pasdore nga klasa politike e vendit pas luftës dhe kryesisht pas pavarësimit të vendit me 17 shkurt 2008, pa lënë anash, edhe shtresat e pakënaqura dhe lehtë të manipulueshme në vend me logjikën:

Shteti i Kosovës ka dështuar, dhe fajin për dështimin, kanë të gjithë tjerët përveç Neve (LVV) !

Pra ka ndërtuar narracionin sofist, pra të një tregimi iluzor dhe jo objektiv, se në këtë vend, asgjë nuk është bërë si duhet, asgjë nuk është arrit, përkundrazi; gjithçka është keq.

Epitoma e këtij narracioni të VV-së, është në mashtrimin ekskluziv, në qasjen nihiliste, të mohimit, kundërshtimit dhe luftimit të të gjitha vlerave të arritura në periudha të ndryshme të tridhjetëvjeçarit të fundit në Kosovë, për Kosovën dhe rreth saj, që nga rezistenca aktive paqësore, lëvizja e armatosur, dhe shtet-ndërtimi deri në ditët tona.

LVV-ja sot ; konglomerat unik i ideologjive antagoniste politike, i rrymave fetare ekstremiste, i rrymave dhe pikëpamjeve përjashtuese deri në mohim, me të vetmin synim; pushtetin absolut për Liderin dhe kultin e liderit, të profilit autoritar, lider suprem.

Z.Kurti dhe egocentrizmi i Tij i arrivizmit politik, sikur ka nuhatur momentumin e ngritjes kulminante të përkrahjes popullore, përkatësisht të manipulimit të tyre në sensin e "lojës" me turmat, dhe tani ka filluar t'i shpërfillë strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht ata të cilët kishin ndjek me fanatizëm ëndrrën e Tij për pushtet dhe betejën e egër me kundërshtarët politik dhe kundër estabilishmentit politik me kauza të rrejshme dhe me një kosto enorme për vendin, dhe disa herë edhe fatale për aktivistë të Levizjes Vetëvendosje.

Z.Kurti, i injoron oponentët, lufton sistemin!

Ai, tani më nuk merret me kundërshtarët politik, nuk përballet në debat dhe duke eskivuar debatin, shmang mundësinë e ballafaqimit real të ofertës qeverisëse të Lëvizjes dhe premtimeve para qytetarëve, poqëse lëvizja e tij, fiton zgjedhjet, ashtu siq e portretizojnë sondazhet e porositura të kësaj lëvizje, dhe mediat vizive të studiove televizive, pa përjashtuar këtu industrinë propagandistike të rrjeteve sociale që i ngjajnë një klime dhe diskursi hegjemonist.

- z.Kurti, dhe eksponentë të LVV-së, tani, atakojnë dhe kërcënojnë Sistemin e vlerave të demokracisë parlamentare, organet kushtetuese, titullarët dhe vetë vendimet e institucioneve kushtetuese, sa herë që ato nuk janë në përputhje me interesin dhe pritjet e tyre absurde.

LVV-ja e z.Kurti, tanimë hapur kërkon subordinimin e institucioneve shtetërore, organeve kushtetuese dhe pushteteve të pavarura me kushtetutë, ndaj "Vullnetit Popullor", siç e quan ai, frymën e "ndryshimit", e cila realisht, nuk është ndryshim pozitiv, por regres dhe kthim mbrapa në një mendësi të kaluar dhe të shkallmuar më, në Evropë dhe gjithandej në botën e qytetëruar perëndimore!

Zhveshja nga kauzat dhe përpjekja për të fshi të kaluarën makiaveliste në luftën për pushtet, është një fyerje për ndërgjegjen tonë nacionale dhe dëmin që i ka shkaktuar vendit, pa përjashtuar edhe viktimat në aksione anarkiste dhe shkatërruese kundër pronës publike, organeve të rendit dhe institucioneve shtetërore, për çfarë ky vend dhe ky popull ka mbamendje, ka kujtesë dhe nuk harron.

Z.Konjufca, znj.Albulena Haxhiu dhe ca prej syresh nga garda e vjetër, tanimë kanë kuptuar faktin se z.Kurti i anashkalon dhe i injoron në proceset e vendimmarrje në VV, dhe kjo pozitë inferiore karshi Liderit Suprem dhe të preferuarve të Tij si ardhje të reja në LVV, por të pa asnjë bagazh politik brenda Lëvizjes nder vite, sikur ka sjellë ish bashkëpunëtorët e afërt të z.Kurti, para dilemes; Të vazhdojnë të qëndrojnë duarkryq, të përbuzur dhe nëpërkëmbur, apo t’i thyejnë shtizat dhe t’i dalin kundër liderit prepotent, Albin Kurti?

Beteja politike, Kurti vs Konjufca e pakompromis !

Një betejë e imponuar nga egoja dhe mendësia bolshevike e z.Kurti për pushtet absolut, nuk mundet më të shtyhet tutje dhe pa pasoja për VV-në, ngase njeriu i dytë i Lëvizjes në mbi 15 vite, siq është z. Glauk Konjufca, znj. Albulena Haxhiu dhe Arberie Nagavci, nuk gëlltisin dot pozitën inferiore në parti, pozitë të cilen z.Kurti i ka rezervuar një dezertoreje të kampit rival ( LDK), znj. Vjosa Osmani & Co, për kontributin e tyre në dëmtimin e LDK-së dhe përpjekjen e fuzionimit të VV-së së z.Kurti.

"Era" e PSD II, në horizont!

Kulti i individit, nuk duron rival dhe as rivalitet, pra nuk duron "DYSH", në hirarkinë e pushtetit absolut, pushtet i cili i takon "NJËSHI-të", dhe ky është Albin Kurti.

- Logjika e kësaj mendësie absolutiste, mendësi kjo që përshkon karakterin dhe profilin e z.Kurti dhe liderëve autoritarist, pranon afër veti, vetë figura servile të cilët janë aty për t’i shërbyer liderit dhe jo për të menduar dhe pasur mendim, ngase për diçka të tillë, kujdeset lideri, dhe kjo mjafton.

Paraqitjet në publik të LVV-së dhe zymtësia e paraqitjes së fundit në ekip, ku nuk munguan të lartëpermëndurit, jep përshtypjen reale se kjo Lëvizje, dikur e një ideologjie strikte të ekstremit të majtë dhe përjashtuese për kundershtarët poltik të cilët i shihte dhe i trajtonte edhe si armiq, siç është rasti me LDK-në dhe presidentin historik Rugova, tani më i ka hapë dyert për ta dhe për secilin prej tjerëve duke u kthye në strajcë të lypsarit, në kalkulimin e vetëm; një votë ma shumë për pushtetin e Kurtit.

Me gjasë, z. Konjufca dhe të tjerët, nuk kanë durimin të presin kalkulimet e Kurtit në dëm të Vjosa Osmanit, të cilën ky i fundit pret t’a djeg politikisht në momentin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, me ç'rast do të shuhet ëndrra e Vjosa Osmanit, pasi që është përdor nga Albin Kurti që nga dita e nxjerrjes së saj nga LDK-ja.

Z. Konjufca, në këto 15 vite, pavarësisht se rrugëtimi i LVV-së, le shumë për të dëshiruar, megjithatë ka qenë konsistent dhe nuk besoj se do të gëlltisë poshtërimin që i bënë z.Kurti me sjelljet dhe qasjet e Tij autoritariste, andaj do të gjej momentin e duhur, i cili nuk është i largët, për t’i thënë lamtumirën Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat