LDK midis intrigës së Isa Mustafës dhe shanseve për reformimin e saj në opozitë!

Opinione

LDK midis intrigës së Isa Mustafës dhe shanseve për reformimin e saj në opozitë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 8 shkurt 2021 Në ora: 14:00
Isa Mustafa, LDK

Të premten e kaluar isha në Prizren. Aty organizohej një tubim elektoral i LDK-së dhe shkova pa mëdyshur, sepse doja të shihja nga afër sa më shumë detaje, si dhe të mbështesja disa miq të mij në këtë parti, para së gjithash Sylë Hoxhën. Por rasti e solli që të parin që takova të jetë Salih Morina. Një mik i mirë imi që para 10 vitesh kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës në Kosovë. Bëmë foto së bashku dhe u kenaqëm duke biseduar me çiltërsi.

Në Kosovë kam shumë miq virtualë. Disa prej tyre duan e kërkojnë të jem i stacionuar me njërën ose tjetrën parti politike. Nëse dikush është me LDK-në kërkon të mos kritikohet ajo. Nëse është kundër LDK-së, kërkon të linçohet ajo! Në fakt Lidhja Demokratike si parti politike është për mua e veçantë. Ajo u themelua atëherë kur u shkatërruan institucionet e Kosovës me heqjen e autonomisë nga Milosheviçi, ndaj dhe konsiderohet me vokacion besnikërie ndaj këtyre institucioneve. Eshtë partia e parë opozitare në Europën Lindore, krahas Solidarnostit polak të Les Ëalesas. Eshtë partia që shkatërroi brenda 24 orëve Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë. Eshtë partia që grumbulloi në pak javë 700 mijë anëtarë, më shumë anëtarë çdo parti politike në ish-Jugosllavi. Por kjo ishte atëherë… A mjafton historia për të determinuar të sotmen dhe të ardhmen?! Jo, ajo vetëm ndihëmon! Kaq!

Sot gjykoj se LDK nuk është ajo e fillimit dhe kjo për një arsye të thjeshtë: Kryetari I saj, Isa Mustafa, punoi për shkatërrimin e saj, sepse këtë mision ia ngarkoi Hashim Thaçi. Pas likuidimit të Rugovës, Thaçi ndërmori hapin tjetër, likuidimin e LDK-së. Fillimisht nxiti Nexhat Dacin ta përçajë atë. Pastaj organizoi puçin kundër presidentit Sejdiu dhe mundi të sjellë në krye të LDK-së anti-rugovistin e titistin më të madh të vendit, Isa Mustafën.

Megjithë këtë vlerësim, lidhjet e mia me politikën në Kosovë nuk bazohen te ideologjia, por te interesat kombëtare të saj. Unë e kam shumë mik p.sh Lutfi Hazirin. E dua dhe e respektoj për anën njerëzore. Shpesh herë edhe për lëvizjen politike që bën. Por nuk ia kam kursyer kritikën kur ai mbështeste idenë e Thaçit për shkëmbimin e territoreve. Kam njohje e respekt për Abdullah Hotin, të cilin e takova të premten në Prizren, e kam vlerësuar dhe e vlerësoj për urtësinë, thjeshtësinë dhe njohuritë e tij në planin ekonomik. Por nuk e kam kursyer as nga kritikat, kur kam gjykuar se zoti Hoti ka gabuar. Edhe dje e kam kritikuar, sepse m'u duk spekullim mburrja e tij me miqësinë amerikane në rastin e letrës së Biden!

Në Prizren shkova të takoj dhe mbështes, siç thashë në fillim, Sylë Hoxhën. Por miqtë e mi në Lidhjen Demokratike janë të shumtë. Përveç Salih Morinës, aty takova edhe martirin e lirisë e të demokracisë të mbetur gjallë, Fetah Rudin. E takova për herë të parë live. Ai ka qenë dhe mbetet shkollë e sakrificës dhe e përkushtimit për Kosovën. Ashtu, me karrocë, e ndjek Lidhjen Demokratike në tubimet e saj elektorale. I ngjan Ëolfgang Schoebles së Gjermanisë. E ndërsa Fetah Rudi e ndjek LDK-në gjithandej me karrocë, shefi i kësaj partie nuk e ndjek atë me shkop, por e vështron nga televizori.

Kishte mundësi të shumta që Lidhja Demokratike të ndahej nga lideri i saj! Dje në Prizren në bisedë me aktivistë të LDK-së ata e pranojnë se Isa Mustafa nuk është lider që i ndihëmon kësaj partie. Dhe besojnë se të rinjtë janë ata që kanë marrë përsipër fatin e saj. Në fakt po dje takova gjithashtu edhe disa nga lidërët e kësaj partie, Arben Gashin e Kujtim Gashin, Anton Çunin e Ludimir Abdixhikun, Driton Selmajn e Armend Zemaj. Disa mendjehapur e dikush më i mbyllur. Disa të duartrokitur pavarësisht pozicionit në hierarkinë e partisë e të qeverisë e ndonjë i pritur me indiferencë. Si kudo. Vetë kryeministri në detyrë, Hoti, gjithashtu i ri dhe i shkolluar!

Duke i përcjellë të gjithë këta të premten në Prizren thoja me vete atë që e kam dëshiruar gjithmonë: "Lidhja Demokratike e Kosovës ka potenciale të jashtëzakonshme. Nga potenciali intelektual, për nga orientimi dhe pozicionimi është pa dyshim partia më e mirë në Kosovë"! Po pse lejoi që reputacionin e saj, forcën e saj, orientimin, karakterin dhe mençurinë e saj ta nëpërkëmbë për interesat e një njeriu, Isa Mustafës, me dy-tre nëpërkëmbës të tjerë?! Pse ky grupim kaq i ditur dhe i përkushtuar i nënshtrohet kaq natyrshëm diktatit të një ose dy vetave në LDK?! Cili është ai mekanizëm që e mbyll debatin politik brenda partisë, duke e bërë atë bisht të PDK-së së Hashim Thaçit?!

Kur një imazh krijohet qoftë dhe padrejtësisht, duhet menduar për ta ndryshuar atë. As këta të rinjtë e LDK-së nuk e kuptuan ende se imazhi i njësimit me PDK-në dhe kritika e njëjtë për përgjegjësitë e qeverisjes për të dyja këto parti vijnë nga bashkëpunimi i Isa mustafës me Hashim Thaçin. Në fillim të qershorit të vitit të kaluar ra në këtë kurth edhe Abdullah Hoti kur u nis me Thaçin për të shkuar në Uashington e për të marrë pjesë në ceromoninë e firmosjes së një me Serbinë. Hoti krijoi përshtypjen se është marionetë e të dyve dhe nuk duket se po bën përpjekje për të dal nga ky kurth.

Kësisoj Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dëshiron t'i shfrytëzojë potencialet e saj e për të dalë nga rrethi i ngushtë e sektar i Isa Mustafës. Të gjitha oportunitetet, përfaqësimi dhe aftësitë që i sheh te ajo shkojnë dëm për shkak të kryetarit të saj. Ky është problemi më i madh, të cilin e vuan LDK, ndaj dhe besoj se do t'i duhet kohë të rikthehet në normalitet. Ende nuk dihet nëse do jetë e aftë të reformohet ose jo. Por duhet besuar se qenia në opozitë do ta ndryshojë atë. Për këtë arsye opozitarizmi duhet parë si shans dhe mundësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat