Në të gjitha kohërat Serbinë e kanë poshtëruar vet serbët

Opinione

Në të gjitha kohërat Serbinë e kanë poshtëruar vet serbët

Nga: Gjokë Dabaj Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 15:13
Gjokë Dabaj

Më bëri përshtypje përgjigjja e presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj letrës shumë të arsyeshme dhe shumë njerëzore të presidentit Joe Biden.

Me vertikalitetin e një zorre dhe shumë i ngjashëm edhe fizikisht me një zorrë, ai iu përgjigj presidentit Bajden: “Ne nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë”.

Një politikan që vetë e ka poshtëruar Serbinë deri në neveri, nuk kish si përgjigjej ndryshe, veçse duke mos pasur turp të thotë që Serbinë po e poshtërojnë të tjerët!

Nuk po hyj më thellë në histori, sepse nuk po dua t’i marr shumë kohë lexuesit, por po mjaftohem të sjell këtu vetëm disa raste nga lufta e parë botërore e këndej.

Mbreti i atëhershëm i Sërbisë, Petar i Parë Karagjorgjeviq, i jati i një Aleksandri të mëvonshëm, e la Sërbinë në mëshirën e një ushtrie të huaj dhe iku nga Seerbia me gjithë ushtrinë e vet. A ka poshtërim më neveritës se sa të braktisësh vendin tënd duke ikur me gjithë ushtrinë, e cila s’ka detyrë tjetër më të shenjtë, se sa të mbrojë popullin e vet?!

Kur po kthehej për në Serbi, me ndihmën e francezëvet, ushtria serbe e nxori inatin duke vrarë popullsinë shqiptare, duke djegur vendbanimet e shqiptarëve dhe duke çuar në Serbi plaçkën e grabitur nëpër Shqipëri.

Në luftën e dytë botërore, kur të gjithë popujt e Evropës po luftonin për të çliruar veten dhe të tjerët nga e keqja, serbët, qoftë si çetnikë monarkistë, qoftë si partizanë komunistë, gjenin rastin për të masakruar qindra mijë shqiptarë. Kush e poshtëroi Serbinë në ata vite më keq se vetë serbët?!

Në vitet kur kroati Tito, sado që me dy apo tri fytyra, po ua njihte shqiptarëve disa të drejta, sërbët, të dirigjuar nga një kriminel fytyrëzymtë, që quhej Aleksandar Rankoviq, vranë përsëri me mijëra shqiptarë dhe i dëbuan nga atdheu i vet mbi 250.000 shqiptarë! Aq sa, dikur, vetë Titoja u detyrua ta shmangë nga politika këtë lloj Aleksandri, ironikisht dhe tragjikisht të përsëritshëm.

Mbas atij Aleksandri, erdhi në krye të Serbisë njëfarë Sllobodani, i cili e poshtëroi aq shumë atdheun e vet Serbinë, sa vetë miqtë e tij u detyruan t’ia dorëzojnë një gjykate ndërkombëtare. Kush po e poshtëronte Serbinë edhe këtë herë, në mos vetë ata serbë që adhuronin “prijësin” e tyre?!

Kërkesa e demokratit të moshuar amerikan është gati prindërore: “Mos e poshtëroni Serbinë, siç e keni poshtëruar deri më sot!” Por Serbia nuk di të përgjigjet ndryshe, veçse duke u shtirur sikur e kanë poshtëruar dhe sikur po e poshtërojnë të tjerët.

Vra e dëbo civilë gjermanë në fund të luftës së dytë! Vra hungarezë, duke i spastruar masivisht nga Vojvodina! Vra kroatë! Vra mysalimanë të Bosnjës! Vra shqiptarë! Dhe ankohu… se “po e poshtërojnë”! Bota duhet të mësojë, më në fund, si të sillet ndryshe… me këto lloj kriminelësh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat