Marshi i Vetëvendosjes

Opinione

Marshi i Vetëvendosjes

Anton Marku Nga Anton Marku Më 8 shkurt 2021 Në ora: 17:57
Foto ilustrim

Rrëzimi i qeverisë ‘‘Kurti 1’’ u bë kryesisht në emër të kauzës së mos-rrezikimit të prishjes së marrëdhënieve me SHBA. Ç'është e vërteta, duket se ai edhe i prishi pak ato, sidomos me Grenell, emisarin me Presidentit Trump, por jo dhe me Amerikën, e cila është më e madhe se këta të dy dhe interesat e së cilës për Kosovën i tejkalojnë keqkuptimet ditore. Ai po ashtu ishte i vetmi nga politikanët kosovarë që mbështeti hapur zgjedhjen e Joe Biden në krye të shtetit me të fortë në botë, derisa të tjerët ende besonin se megjithatë nga shtëpia e bardhë nuk do të shpërngulet askush. Në këtë mënyrë partitë në pushtet që e rrëzuan, me apo pa vetëdije, u përkujdesën që ai, brenda pak muajve, të dyfishojë fuqinë e tij politike, të cilën do ta materializojë bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Njeriu mund të mos pajtohet me Kurtin në shumë çështje, sidomos në qasjen e tij ndaj shtetëzimit të ndërmarrjeve shoqërore, reciprocitetit, diskursin polemizues me bashkësinë ndërkombëtare, kontraversitetin në raport me simbolet shtetërore, etj, por duhet pranuar se ai me thellësi të mendimit, artikulimin e qartë, guximin për veprim, integritetin moral, dinjitetin personal, këmbëngulësinë, sinqeritetin, përgjegjshmërinë dhe modestinë e tij imponon respekt edhe tek jo-votuesit e tij, ndër ta dhe rugovistë për nga bindja, si puna ime.

Në anën tjetër kundërshtarët e tij politikë nuk kanë frikë nga Albini si person por nga ‘‘Albinizmi’’ si ideologji, e cila përfaqëson luftën e pa-kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe mediokritetit dhe atë në emër të shtetit dhe qytetarit dhe në shërbim të avancimit të rolit dhe pozitës së tyre në shoqëri. Sot, më ndonjë përjashtim të rrallë, ai përballë vetes ka disa ushtarë të dezorientuar të cilët i ka kapur paniku dhe bërtasin, dhe atë fort.

Numrat

Sondazhet janë një barometër i matjes së fuqisë aktuale politike. Ato në vazhdimësi kanë qenë dhe do të jenë të kontestuara nga ana e partive që nuk janë të kënaqura me përqindjen e tyre në tabelat e paraqitura dhe të mbivlerësuara nga ato që paraqiten si fituese të mundshme. Sidoqoftë, nëse në një hark të shkurtër kohor rezultatet e anketave të organizatave të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, janë përafërsisht të njëjta, atëherë as opinionistët zhumaxhinj nuk mund të mohojnë faktin se ato pasqyrojnë disponimin momental të popullatës.

Ata që i druhen, mbase deri diku dhe me të drejtë, vendosjes eventuale së autoritarizmit dhe kanë frikë nga fitorja e tij, e pritshme, relative, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, harrojnë faktin se tash e tetë vite PS e Edi Ramës qeverisë në mënyrë absolute me Shqipërinë, duke pasur me shumë se 2/3 e deputetëve në kuvend dhe pothuajse të gjitha bashkitë. E me gjasë kështu do të mbetet edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti pasi që ky vend faktikisht ka mbetur pa opozitë, e cila pothuajse është vetëshuar.

Stacioni i dytë

Fitorja e VV duket e pashmangshme. Dita e Shën Valentinit do të jetë vetëm një ndalesë e shkurtër dhe vazhdim i trasesë së filluar në tetor të vitit të kaluar. Marshi i VV është në gjysmë të rrugës. Ai nuk përfundon këtu derisa vizioni i saj të bëhet realitet dhe libri i historisë më të re të Kosovës të kalojë jo në një faqe por në një kapitull tjetër.

Megjithatë, sfidat me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re, me apo pa VV në të, do të jenë të mëdha: Nga pandemia, konsensusi rreth emrit të presidentit, gjykata speciale, dialogu me Serbinë, ringjallja ekonomike, shpëtimi nga kolapsi të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, etj. Dhe me gjasë ky vit nuk do të kalojë pa edhe një palë zgjedhje të tjera. Po ndodhi kjo VV pandalshëm do të rritet edhe më shumë, për të arritur, ndoshta dhe tejkaluar, cakun që pretendon tani, duke marrë në konsideratë edhe mobilizimin gjithnjë në rritje të mërgatës për të ndikuar në proceset evolutive në vendlindje, e cila shpreson se herën tjetër do të mund të votojë masovikisht nëpër ambasada dhe konsullata gjithandej.

Liria jonë e pasluftës ka shumë vrima. Pjesa më e madhe e tyre janë ende të hapura. Në këtë botë dinamike, në të cilën pragmatizmi shpesh i zë vendin parimeve, është gabim të besohet ekskluzivisht në një koncept të caktuar. E mira dhe e keqja banojnë në të njëjtën rrugë, veçse në adresa të ndryshme. Kujdes në cilën troket!

Ndodhë që jeta të vonohet, më shpesh vonohemi ne. Të shpresojmë se kësaj radhe do të jetë ndryshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat