Dhuna e tipave të ideologjizuar

Opinione

Dhuna e tipave të ideologjizuar

Nga: Lekë Imeraj Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 13:40
Lekë Imeraj

Ideologjizimi, mendohet njëri nga burimet më të rrezikshme të dhunës. Ai shoqërohet me ballafaqime të dhunshme dhe të përgjakshme për arsye bindjesh politike, fetare dhe botëkuptimesh të ndryshme. Kjo kryhet nga njerëz të ideologjizuar, të cilët për të arritur qëllimin e tyre, përdorin dhunën e pakufishme.

Psikologët Jakobs dhe Potter e mendojnë këtë fenomen, agresivitet i kriminelëve urryes. Burimi për sulme urrejtjeje janë grupe dhe shtresa të veçanta njerëzish për shkak të racës, besimit, bindjeve politike ose orientimeve seksuale. Në raste të veçanta, kriminelët urryes mund të drejtohen edhe kundër administratës, rendit dhe Shtetit të së Drejtës.

Dhuna e ideologjizuar përfshin të gjitha llojet e dhunës të cilat vijnë si pasojë e një botëkuptimi ideologjik, p.sh. inskenimet për vetëvrasje masive nga sektet dhe veprimtarinë dhunuese në kuadrin e satanizmit dhe okultizmit.

Josef Sachs thotë se, veprimtaria kriminale e tipave dhunues të ideologjizuar, nuk mendohet, deri tani, se vjen si pasojë e sëmundjeve psikike.

Sot në Europë vihet re një tendencë e theksuar e zhvillimit të ekstremizmit të djathtë. Aktivistët janë të moshave të reja, dhe gjithnjë e më të rinj. Sipas Sachs, në Zvicër, bërthama mendohet të përbëhet nga rreth 1000 persona. Vazhdimisht krijohen bërthama të tilla, rechtsekstremistësh, të cilat lidhen me njëra-tjetrën. Disa nga ata provojnë të futen në politikë. Atentatet e tyre, të cilat lidhen me ideologjinë rechtsekstremiste (urrejtjen ndaj të huajve), drejtohen kundër të huajve. Disa nga këto kryhen në grupe. Më aktivët marrin përsipër aktin terrorist por, me vendimin e grupit. Edhe klikat e grupeve të të rinjve të pastabilizuar, luajnë një rol të rëndësishëm në aktet terroriste.

Aktivitetet terroriste, së shumti, bëhen të planëzuara dhe të mirorganizuara. Nuk përjashtohen edhe shpërthimet spontane, nga “ujqërit e vetmuar”.

As që mund të mendohet se, vendosja e tritolit në një shtyllë të tensionit të lartë, në shinat e trenit apo diku tjetër, zjarrvënia e parlamentit apo në institucionet shtetrore, siç ndodh tek ne, të kryhet spontanisht dhe nga njerëz gjakftohtë. Ato janë vepra terroristësh, të mirorganizuar dhe tejet të ideologjizuar nga një prapavijë politke agresive, antinacionale.

Në shoqëri nuk ka ndonjë shtresë të caktuar, të predispozuar për ideologjizim. Çdo individ, çdo grup dhe çdo shtresë mund të infektohet nga ideologji të ndryshme.

Psikologu Wahl thotë se, shkaku i motivimit për dhunë tek ekstremistët, të majtë dhe të djathtë, mund të jetë i shumfishtë. Ka raste që të rinjtë e prirur për akte dhune dhe barbarizma, nga natyra janë të pashoqërueshëm, të ndrojtur dhe të frikësuar.

Shumë studio janë të mendimit se terroristët janë njerëz të edukuar që në fëmijërinë e tyre, me ndjenjën e autoritetit dhe të dhunës. Shoqëria e individualizuar i shtyn të rinjtë për të gjetur identitetin e tyre në grupe, raca apo nacionalitete të ndryshme.

Meqënëse politika normale nuk i përkrah në këtë drejtim, ata bëhen armiq të saj dhe shkojnë pas asaj që i përkrah, pas ekstremizmit. Këtu fillon ideologjizimi i tyre.

Heitmeyer thote se, karakteristikë për të rinjtë e dhunshëm të ideologjizuar është se, ndëshkimet vështirë se mund ti trembin ata. Përmirësimi i kulturës politike dhe siguria sociale, janë mjetet më të suksesshme për vënien e tyre nën kontroll.

Një politikë agresive, gjithmonë do t’i gjejë mbështetësit e vet, individë dhe grupe, pavarësisht nga numri, për të destabilizuar rendin dhe rrezikuar sigurinë nacionale. Dhe për aq kohë sa një politikë e tillë do të spekulojë në një terren të varfër dhe të brishtë, njerëzit do të ideologjizohen gjithnjë e më shumë prej saj. Ekstremistët shtohen në numër dhe rrisin veprimtarinë e tyre të dhunshme, deri në terrorizëm.

As që mund të mendohet që një forcë politike e drejtuar nga politikanë fanatikë, populistë, tejet të ideologjizuar, të mund të modernizohet dhe humanizohet.

Të tillë politikanë, nëse bëhen të plotpushtetshëm, përbëjnë një rrezik potencial për vendin dhe rajonin. Të tillë kan qënë Hitleri, Stalini, Sadami, Millosheviçi. Populistët janë tipa fanatikë, që vuajnë nga pasioni për pushtet, lavdi dhe pasuri. Ata e shikojnë botën vetëm bardhë e zi dhe karakterizohen nga ide fikse, të paprekshme, të pakundërshtueshme dhe të pandryshueshme. Nuk kanë fleksibilitet të trurit, nuk bëjnë kompromise, nuk bashkëndiejnë dhe nuk bashkëvuajnë. Për ata, kapitali më i shtrenjtë dhe i pazëvëndësueshëm, janë idetë e tyre për realizimin e të cilave, janë gati të sakrifikojë çdo gjë dhe cilindo. Nëse bëhen të pushtetshëm, nuk njohin ligje, as moral dhe as etikë. Ata nuk kanë kozmos, kanë vetëm mikrokozmosin e tyre. Për ata, fundi i botës është fundi i interesave të tyre. Jasht këtij kufiri ata nuk e perceptojnë dot botën sepse nuk e njohin atë. Janë tipat e kiametit. Prandaj preferojnë principin: Pas meje, u bëftë kiameti!

Mirëqenien dhe civilizimin e shoqërisë e mendojnë në trekëndëshin, bukë, brek, fishekë. Janë kundër kohës moderne, nga frika se u dalin njerëzit nga dora.

Ata njohin vetëm miq dhe armiq. Miq, mendojnë ata që përkrahin dhe mbështesin ideologjinë e tyre, dhe armiq të gjithë ata që janë kundër tyre.

Inteligjentët dhe modernët janë armiqtë e tyre, për çdo rast, dhe si të tillë, sulmojnë ata me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Dhe kur armiqësohen me të vetët, kalojnë në kampin e “armiqve”. Janë të gatshëm të bashkëpunojnë me çdo llum, për të turbulluar ujrat e kundërshtarit. Kështu ka funksionuar politika jonë në këto 30 vjet, me politikanë të ideologjizuar populistë, të cilët janë hedhur sa majtas-djathtas dhe me koalicione llumrash.

Tipa të tillë, zakonisht, janë burimi i tragjedive të mëdha nacionale dhe terrorizmit të sotshëm botëror. Mund të thuhet se, ne si nacionalitet, në këto 30 vjet të pushtetit lumpenkomunist, kemi përjetuar tragjeditë më të mëdha të shekujve. Dhe e gjithë kjo se ne jemi drejtuar nga politikanë populistë, tejet të ideologjizuar.

Tragjedia më e madhe ishte degjenerimi i njeriut. Politikanët populistë, në majë të shtetit dhe pushtetit, me joshje, dhunë dhe terror, e ideologjizuan njeriun, deri në barkun e nënës. Te ne fëmijët lindin të ideologjizuar sepse prindërit e tyre, nga njerëz, janë kthyer në qenie të ideologjizuara. Ideologjizimi i fëmijëve është një rrezik potencial për vet ata dhe për shoqërinë. Friedrich Nietzsche ka thënë: -Politikani i ndan njerëzit në dy klasa; në vegla dhe armiq. Kjo do të thotë se ai njeh vetëm një klasë: Armiqtë.

Pyetja fare normale që mund të shtrohet para prindërve të tillë, të cilët mundohen që ti fusin fëmijët e tyre në burgun e ideologjisë, ashtu si dhe vetveten, është: Çfarë dëshironi ju që të bëhen fëmijët tuaj; vegla qorre të liderit tuaj apo armiq të armiqve të liderit tuaj? Vetëm te ne dhe te popujt e tjerë të ideologjizuar kështu si ne, individët mbajnë flamuj partishë politike dhe portrete politikanësh në shtëpi, zyra dhe dyqane. Vetëm te ne shikon postera politikanësh, në majë të shtyllave, kudo anës së rrugëve dhe shesheve. Kështu ndodh kudo ku, pushtetin e marrin politikanët populistë të cilët degjenerojnë njeriun dhe shkatërrojnë shtetin.

Krahas ideologjizimit politik, vihet re edhe ai fetar, i cili në shumë raste përbën rrezik të madh social. Nëse në rastin e politikës, janë të rinjtë ata që ndezin flakën, majtas dhe djathtas, në ekstremizmin fetar, janë, më së shumti, të rriturit. Sachs thotë se, të rinjtë, në rrethe të tilla, janë më shumë viktima të dhunës psikike dhe fizike, se sa fajtorë.

Në Shtetin e së Drejtës, shteti është i ndarë nga feja. Edhe në kushtetutat e trojeve shqiptare, është e shkruar një gjë e tillë. Praktikisht, ndodh e kundërta. Politikanë të ndryshëm, shqipfolës, në fushatë elektorale, thërrasin në ndihmë klerikë të ndryshëm. Jo se janë besimtarë, por vetëm për të siguruar vota.

Individët dhe grupet që vuajnë nga ide fikse fetare, karakterizohen nga veprime aktive dhe të ashpra dhune. Në raste të tilla, dhuna vjen si pasojë e gjendjes së tyre psikike, të dëmtuar. Në pamjen e jashtme duket sikur religjioni është ai që i shtyn ata drejt dhunës por, shkaku nuk është ky. Shumë veprime të dhunshme nga të rinjtë lidhen me okultizmin dhe satanizmin. Në rrethe të veçanta subkulturash të rinjësh, janë të pëlqyeshme praktikat shpirtërore dhe përdorimi i simboleve të djallit. Shpesh ato përhapen me shpejtësi, si një epidemi, tek adoleshentët. Grupe të tilla, shpesh shkaktojnë konflikte ndërfetare duke dhunuar objekte kulti, varreza etj. Por jo në të gjitha rastet, dhunues të tillë, janë të ideologjizuar nga dashuria për djallin. Mund të jet thjeshtë një aksion proteste për diçka tjetër.

Në disa raste dhune, vihet re një lidhje midis satanizmit dhe rechtsradikalizmit.

Satanistët jetojnë me rrezikun suicid. Njerëz të tillë, vazhdimisht e mendojnë vdekjen pasi kanë kënaqësi që të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, në prehërin e shejtanit. Shpesh kryejnë vetëvrasje. Të njëjtin rrezik jete paraqesin edhe për të tjerët. Mjedisi dhe kafshët shpesh bëhen objekte sulmi nga grupe dhe individë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat