Kosova në rrugë kryq

Opinione

Kosova në rrugë kryq

Nga: Skender Musliu Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 18:06
Skender Musliu

Kastat e kaluara politike gjatë veprimeve të tyre kanë patur sjellje arrogante në ushtrimin e pushtetit. Në Programet e tyre qeverisëse, nëse mund të quhen Programe, kanë përdorur vetëm sllogane pa kurfarë substance, duke sunduar në mënyrë dhe kontura feudale.

Gjatë qeverisjeve të tyre në opinion kanë plasuar, përveç tjerash, deklarata me përmbajtje të rreme dhe diskurs mashtrimi, duke i prezentuar ato si të vërteta, dhe siç dihet kur rrena përsëritet disa herë, ajo bëhet e vërtetë, kështu opinioni është indoktrinuar dhe gjendjen abnormale e kanë imponuar si normale.

Suksesi më i rëndësishëm që ata kanë arritur t’a bëjnë është hajnija, nepotizmi, korrupcioni dhe krimi i organizuar. Me dashje apo pa dashje, Hashim Thaçi në një letër adresuar qytetarëve të Kosovës në vigjile të zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021, bëri një mea culpa, publikisht duke pranuar pjesën e tij të fajsisë për keqpërdorimet dhe korrupcionin gjatë kohës deri sa ai ishte në politikë. Po ashtu ai thot se e ka luftuar Ibrahim Rugovën me të gjitha mjetet, pendohet dhe e urren veten se pse nuk u harmonizuan qënrimet në Konferencën e Osllos mes FARK-ut dhe Shtabi të Përgjithshëm, e pranon se ka qenë Enverist i flakët dhe e pranon se lakmia paska qenë e poshtër. Në fund të këtij shkrimi porostitë se nëse qytetarët nuk ia japin votën PDK-ës, atëherë t’a votojnë Isa Mustafën dhe se Diaspora fund e krye janë Albinista. Edhe pse ai i pranon gabimet që i ka bërë nga lakmia, prapë se prapë ai edhe më tutje është kundër ndryshimeve dhe kundër frymës dhe disponiomit të popullit dhe Diasporës.

Ky « amanet » apo rrëfim i Hashim Thaçit nga Haga lë të kuptohet ndërlidhjen me manipulimet dhe keqqeverisjet e PDK-së dhe LDK-së që njihen si sinonim i nepotizmit, korrupcionit dhe krimit të organizuar.

Lidershipi i partive qeverisëse kanë qenë raste sociale dhe menjëherë pas lufte, mbrenda natës u bënë milionera dhe njerëz të paprekshëm. Kjo fillimisht ka ndodhur me vjedhjen e Fondit « Vendlindja thërret » dhe të Fondit « 3% », duke filluar nga privatizimi i shfrenuar dhe arrogant të aseteve të popullit të cilat i ka ruajtë dhe mbrojtur ndër gjenerata nga armiku. Pastaj kanë vazhduar me mbledhjen e haraçit nëpër Kompani private, kanë vendosur përqindje për lejen e bizneseve të reja, kanë marrë provizion nga investitorë të ndryshëm, kanë shtruar asfalt me çmimet më të larta në Europë duke vjedhur një shumë të majme të këtyre investimeve, kanë keqpërdorur tendera duke marrë përqindje, dhe si mos të bëhen milionera duke vjedhur taksapaguesit e ndershëm e të shkretë. Këta milionera në Kosovë e kanë të deklaruar vetëm 10 % e pasurisë së tyre, pjesa dërmuese e pasurisë është jashtë Kosovës, ose është investuar në Kosovë, Mal të Zi, Zvicër…..në emra të tjerëve kurse paratë janë nëpër banka jashtë Kosovës. Tani nuk po ju mjaftojnë këto miliona si dhe milionat që Buxheti i Kosovës i ka ndarë, por kanë hapur xhirollogari për të mbledhur fonde për mbrojtjen e tyre juridike në Hagë!

Madje ka milionera që janë edhe në Listën për deputet edhe pse ata e dijnë se do të jenë pjesë e proçeseve në Gjykatën Speciale të Hagës, por këta milionera këte e bëjnë me qëllim, se edhe kur të jenë në Hagë do t’a marrin pagën e deputetit. Ky është morali dhe etika e këtyre politikanëve të Kosovës.

Është interesant të përmendet se në proçeset gjyqësore të Gjykatës Speciale të Hagës, gjer më tani, nuk ka emra të komandantëve, oficerëve dhe ushtarëve të FARK-ut si formacion me strukturë të organizuar ushtarake.

Zatën lidershipi i këtyre kastave politike që u bënë milionera, instaluan dhe strukturuan nepotizmin, korrupcionin dhe krimin e organizuar duke e kapur totalisht shtetin, kurse popullin e lanë në mjerim, shpërngulën qindra mijëra qytetarë nga Kosova, në mesin e të cilëve nuk ka asnjë politikan apo fëmijë i tij.

Tani koha është për ndryshime dhe për një qeverisje tjetër, që po vërehet edhe nga enthuziazmi i një pjese të madhe të popullatës, e cila u mobilizua që përmes votës t’i largojë nga skena politike keqbërësit. Këte po e dëshmon edhe vendosmëria dhe vullneti i Mërgatës, e cila për një kohë të shkurtër, edhe përkundër obstrukcioneve të KQZ-ës dhe Ministrisë së shëndetësisë me testet PCR, po e bënë të pamundërën të votojë për ndryshime politike.

Qeverisë në ardhje do t’i duhen ndoshta dy mandate për t’a çkapur shtetin. Ate e pret një punë kolosale fillimisht për t’i stabilizuar dhe rehabilituar institucionet shtetërore.

Etablishmenti i vjetër duhet të shkojë në opozitë, ndoshta për dy mandate, kështu do të kenë mjaftë kohë të reformohen dhe të sjellin në skenë një gjeneratë të re të pakorruptuar.

Me ardhjen në pushtet të një garniture të re politike dhe me një strukturë të re në Kuvendin e Kosovës, ngelë të shpresojmë të kemi debate më të emancipuara, më konstruktive, pa obstrukcione, me një fjalor dhe veprime më me në nivel, duke lënë pas të kaluarën e hidhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat