Votues, shkoni në votime se nesër nuk bën fajde “pishmanimi”!

Opinione

Votues, shkoni në votime se nesër nuk bën fajde “pishmanimi”!

Nga: Skënder Sadri KAPITI Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 13:36
Skënder Sadri Kapiti

Deri në orën 11.00 pjesmarrja në votime në Kosovë është shumë e ulët dhe deri në këtë moment kjo pjesmarrje e vogël nuk ishte e pritshme. Kjo pasi gjatë rreth një muaji të gjithë kanë folur e parashikuar se këto zgjedhje të 14 Shkurtit 2021 kanë rëndësi jetike referendare për Kosovën, pasi Kosova realisht është në një udhëkryq politik, demokratik, ligjor dhe gjithinstitucional; dhe se Kosova po përballet me shumë sfida të vështira ekonomike, punësimi, eksodi, korrupsioni, si dhe  në mosshtetndërtimin e shtetit  modern, në moszhvillimin dhe në mosprogresin gjithpërmasor dhe atë integrues të brëndshëm dhe atë ndërkombëtar.

Kjo pjesmarrje e ulët deri më tani në këtë orë  nuk e justifikon as atë opinion të gjërë publik që premton pjesmarrje të madhe  në zgjedhje, për të zgjedhur më të mirën dhe më të duhurën  në parlament, në presidencë, në qeverisje dhe në administratë; kjo pjesmarrje e deritanishme nuk i shërben as VETING-ut politik ku sot atë do ta bëjë vota referendare e këtyre zgjedhjeve.

Prandaj shkoni në votime se nesër do të jetë vonë dhe nuk bëjnë fajde as pishmanimi dhe as “kritikat”, as analizat  e as llafallogjia nëpër kafene, lokaleve, skutave e nëpër media se pse kështu, apo si ka mundësi kështu etj.

Prandaj shkoni e votoni sepse nuk po kërkohet as sakrificë, lodhje fizike, as ndonji stermundim tjetër por thjesht shkoni dhe votoni, sepse vota në demokraci është vlera më e madhe për një shoqëri që synon demokracinë, shtetin ligjor, lirinë, progresin, zhvillimin, emancipimin dhe integrimin. Vota është ajo e cila ndëshkon krimin ,korrupsionin, hajninë dhe papërgjegjshmërinë politiko-institucionale. Sa më e madhe të jetë pjesmarrja aq më i fuqishëm dhe më i pasfidueshëm do të jetë verdikti popullor dhe shumë më inkurajues e premtues për ndërmarrje reformash do të jetë edhe fituesi i këtyre  zgjedhjeve për kryerjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat