Shën Valentini një ditë magjike për dashurinë

Opinione

Shën Valentini një ditë magjike për dashurinë

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 15:48
Albert Z. Zholi

Po troket Shën Valentini! Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve, që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ujkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej pastaj në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë, se për kë bëhej fjalë. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VAL. Ç’do ëndërr dashurie ka një dëshirë, ç’do dëshirë ka një realitet, dhe ç’do realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës s’ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë kjo ditë një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

Si njihet kjo festë në botë?

Shën Valentini njihet në të gjithë botën si “Padroni i të dashuruarve”. Ky përcaktim lindi nga një sërë legjendash, të cilat janë shtuar me kalimin e kohës. Trëndafili i bashkimit, fëmijët, pëllumbat, dashuria sublime, të gjitha gjërat që e kanë bërë atë një festë model për të dashurit. Që të dashuruarit të duhen për të gjithë jetën, dhe më shumë në këtë ditë, nuk mjafton vetëm dita e “Shën Valentinit”. Janë disa elementë, që na vijnë nga shekujt e kaluar dhe janë shtuar në kohë, që e bëjnë këtë feste kaq të madhe dhe kaq popullore në të gjithë botën. Trëndafili i bashkimit Shën-Valentini ishte duke dëgjuar një ditë, teksa ziheshin dy të rinj të fejuar, të cilët po kalonin përtej kopshtit të tij. Valentini iu doli përpara sakaq, me një trëndafil të bukur në dorë. Me një fytyrë të qetë, e të shndritshme që rrezatonte, plaku i mirë trëndafilin e mbajtur lart e dhuroi për çiftin. Ky veprim pati fuqinë magjike që të bënte paqe mes dy të rinjve të dashuruar. Kur ai u dhuroi të dyve lulen e purpurt, iu kërkoi të dyve të shtrëngonin bishtin e lules me kujdes për të mos u shpuar dhe shpjegoi lidhjen e dy personave të martuar. Pas kësaj, dashuria e tyre ishte kthyer si më parë. Të dy të rinjtë u kthyen menjëherë tek ai. Me dëshirën e tij dhe vullnetin e të rinjve, ishte pikërisht Shën Valentini, i cili bekoi martesën e tyre të lumtur. Me t’u bërë e njohur kjo gjë, u bë një proces ndaj Valentinos. Emri i Shenjtit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.

SHËN VALENTINI
Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Etimologji
Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
Lutja e të dashuruarve
Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.

Paro Ziflaj

Erdhi sërish 14 shkurti. Por këtë vit na gjen të mbyllur. Zemra na gëzon por dhe Pandemia na sulmon. Megjithatë…Sa e bukur kjo ditë, sa magjike! Kujtdo kjo ditë zgjon kujtime, zgjon mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit.

Margarita Xhepa

Dhe pse mes dhimbjesh se po na ikin njerëz të dashur, pjesë e jetës sonë (një homazh për Zenepe Lukën) sërish 14 shkurti duhet kujtuar. Festa e të dashuruiarve! Eh! Erdhi mes mimozash…Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë sepse kam recituar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Kam përcjell vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.

Ermir Dizdari

Pandemia na ka mbyllur por 14 shkurti të tundon. Ah, sa bukur që më kujtove!…Jam në Durrës. Magjia e Durrësit të mbërthen. Jam fare pranë…Aty ku valët të çojnë në magjinë e ëndërrimit. Jam këtu ku deti magjepsës dhe të dashuruarve u jep më shumë frymëzim. Jam tek vendi ideal për të dashuruar me gjithë fuqinë e shpirtit. Këtu romantizmi të vjen vetiu dhe të ngulet në zemër. Deti të entuziazmon me madhështinë, sekretet, mistikën e tij. Tani që po flasim po kujtoj Shopenin duke kujtuar dhe Zhorzh Sand. Me ata në pentagram duket sikur fluturoj gëzimeve të tyre me dëshirën për Majorka. Ndihemi sikur jemi bashkë me rininë në këtë ditë feste sipas mënyrës së gjithsecilit. Edhe ne me tingujt e miteve të muzikës përjetojmë momente feste në këtë vend magjik ku deti duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron. Mes detit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore…!

Luftar Paja

Dhe pse situate e vështirë është një ditë e bukur. Duket se sjell pranverën një muaj më shpejt….Duket sikur zgjon ndjenja të fuqishme dashurore njerëzore për të qenë më të butë, të paqmë, të sinqertë…Në këtë ditë kaq të bukur, disa janë çmendurisht të dashuruar, të tjerëve u pëlqen ideja e dhuratave, disa të tjerë duan të festojnë për inerci. Baza mbetet e njëjtë për çdo Shën Valentin: Ai nuk kuptohet pa dhurata. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren për të qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet, ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për ta përecjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën. Gëzojeni!

Valbona Peraj

Bashkëardhetarët e mi! Sa doja të isha sot aty në Tiranën tonë. Të ishim jo kështu të mbyllur. Po ah, S’është në dorën tonë. Ndaj ju uroj gëzuar nga Amerika e largët! Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dike s’mjafton 14-15 shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e don më shumë se veten.

Kastriot Tusha

Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Pork y 14 shkurt nuk është si më parë. Gëzimi nuk mund të shpërthejë natyrshëm. Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim,lumturi,g jatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritenët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve) se është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen fesat të tilla. Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe. Diku për këtë ditë kam lexuar një kartolinë dashurie: Unë ndjehem një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..

Bashkim Alibali

Dua ta pres me këngë, e pres me Sot dua të bëj një këngë për dashurinë. Një këngë shumë shpirtërore. Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë. Sidomos kur vjen kureshtja më shtunë të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e 18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. Shën Valentini mbetet shenjtëria e dashurisë njerëzore. Në sistemin komunist as njihej, as festohej, as se kishim idenë e kësaj dite. Por të jem i sinqertë më pëlqen kjo ditë. Shoh që është dita më e bukur e rinisë por dhe e gjithë shoqërisë. Shoh të qeshura, lule dhurata, gëzime. Një ditë e mbushur me atmosferë. Shumë keq që se kemi festuar dhe atëherë. U uroj këtë festë madhështore të gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre që akoma janë në kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë simpati ndaj ndonjë partneri…

Alida Hisku

Erdhi, e prisnim. E prisnim po erdhi ndryshe këtë vit. Nuk do gëzpjmë me atë atmosferë si ccdo vit. Ju përshëndes nga Gjermania, vendi që e feston bukur këtë ditë. Kështu dua të jetë dhe në Shqipërinë time dhe pse kohë Pandemie. Është një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shuë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit: Të duash dike s’mjafton 14-15 shkurti! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e do më shumë se veten. Mos i harroni dhuratat, të çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë….nëse nuk mundeni apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një “buzëqeshje” sepse edhe buzëqeshja është një dhuratë zemre ndoshta më e ngrohta…

Mesazhe
Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjese nga libri “Nje dite per dashurine”)
****
Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.
***
Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
***
Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, mi çon mendimet tek ty…
****
Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.
****
Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të pranverës se syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm që më çon tek ty si me magji.
****
Unë ndjehem një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..
******
Çastet kur jam pa ty i kaloj me shijet e fjalëve që të qëndis në mesazhe zemre. Nëpër luginën e dëshirës shoh zjarrin e dritës së verbër që më prin në vetmi për të më lexuar ndjenjat e mbuluara me velin që lëshon shiu.
****
Kënga ime e dashurisë për ty gjallon thellë në ajër aromë malli e fjalë me lëng lulesh që kam mbi buzë çdo çast për ty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat