Pasojat dramatike të Isa Mustafës, të cilat i vuan partia e Rugovës!

Opinione

Pasojat dramatike të Isa Mustafës, të cilat i vuan partia e Rugovës!

Prof. Enver Bytyçi Nga Prof. Enver Bytyçi Më 15 shkurt 2021 Në ora: 22:22
Isa Mustafa

Kosova dje votoi. Më saktë bëri një referendum dhe të gjithë pushtetin ia dha Lëvizjes Vetëvendosja, më të cilën është bashkuar edhe Lëvizja e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit u përjashtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj e shkëputën fatin e tyre nga kapësit e pushtetit, nga të korruptuarit dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. E shkëputën vendimmarrjen politike e ligjore nga kushtëzimet e Listës Srpska, e cila diktonte sjelljet e qeverisë së kaluar për shkak të votave me të cilat ajo e mbante në këmbë atë qeveri. 

Lëvizja VV+V fituan mbi 48 përqind të votave. Pasi të lexohen votat me postë të emigrantëve ajo do të shkojë mbi 50 përqind. Një rezultat i paparashikuar edhe nga më optimistët. Por fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është më shumë vepër e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, sesa e vetë fituesve të zgjedhjeve të djeshme në Kosovë. Refuzimi është arsyeja e fitores, më shumë sesa projektimi i të ardhmes. Eshtë detyrë e zotit Kurti dhe zonjës Vjosa që refuzimin ta shndërrojnë plotësisht në alternativë zhvillimi dhe progesi.

Fitorja e Vetëvendosjes dhe Lëvizjes Vjosa shkaktoi humbjen dramtike të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe rënien drastike të Partisë Demokratike. Për Partinë Demokratike nuk funksionoi skema e "mbrojtes së çlirimtarëve" nga vetëvetja. Ndërkaq Nisma me këtë skemë e fundosi veten në fund të pusit elektoral! 

Po pse numri i deputetëve të LDK-së u përgjysmua krahasimisht me zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019? Sepse Isa Mustafa as në momentet kyçe për fatin e kësaj partie nuk i ndërpreu marrëdhëniet e tij të ngushta me Hashim Thaçin, ndërkohë që ish- presidenti i vendit po përgatiste ceremoninë e varrimit të kësaj partie.

Që kur Hashim Thaçi u shfaq në skenën politike si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën regjinë e Fatos Nanos dhe Edi Ramës, ai hartoi skemën e eleminimit politik e madje fizik të Ibrahim Rugovës dhe pas tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fillimisht nxiti megallomanin Nexhat Daci që ta përçajë partinë e Rugovës dhe më pas skicoi konfliktin midis ish-presidentit të rrëzuar prej tij, Fatmir Sejdiut dhe ish-këshiltarit të tij, Isa Mustafës. Mustafa erdhi në pushtet me ndihmën e Hashim Thaçit. Hashimi aktivizoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij në LDK, përfshirë ish-kryeministrin Bukoshi e të tjerë, me qëllim që ta largonin Fatmir Sejdiun edhe nga funksioni i kryetarit të partisë. Atëbotë pjesë e komplotit u bë edhe djali i ish-presidentit historik. Dhe skema funksionoi.

Qëllimi ishte shkatërrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk dihet nëse kjo skemë i është bërë e diitur Isa Mustafës apo jo. Por është evident dhe publik fakti se shumë prej nesh e kemi paralajmëruar Isa Mustafën për komplotin e Hashim Thaçit kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky komplot u shfaq në formën e ndërprerjes së qeverisjes së kryesuar në LDK dhe shkaurjes në zgjedhje të reja. Pastaj në formën e pozicionimit të Isa Mustafës në zgjedhje paraelektorale me VLAN-in dhe pas zgjedhjeve me Partinë Demokratike, akt i cili uli kreditet dhe besueshmërinë e LDK-së te qytetarët dhe elektorati. 

Kulmi i komplotit të Hashim Thaçit ishte rrëzimi i qeverisë Kurti me ndihmën e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Abdullah Hotit. Ndërkohë që Partia Demokratike e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit qëndroi në opozitë dhe nuk e votoi qeverinë Hoti, Hashim Thaçi udhëtonte në mesnatë për të siguruar votën e fundit të deputetit të AAK-së për këtë qeveri. Qëllimi ishte që PDK të mos implikohej me qeverisjen dhe të shfaqej si parti opozitare. Kjo i shërbeu krijimit të përceptimit se vetëm LDK dhe jo PDK, është përgjegjëse për dështimet e qeverisjes në 20 ose së paku 13 viteve të fundit, sipas parimit "I fundit e shin lamën"!

Pjesmarrja aktive e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe deri diku Abdullah Hotit në rrëzimin e qeverisë Kurti në fillim-pranverën e vitit të kaluar i dha fund këtij procesi dhe solli në vëmendjen e qytetarëve faktin që Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë përgjegjëse për gjithçka kishte ndodhur më parë në Kosovë. Madje u tërhoq vëmendja dhe njerëzit filluan të harrojnë se nepotizmi, korrupsioni, lidhjet me krimin e organizuar ishin atribute kryesisht të Partisë Demokratike e më pak të Lidhjes Demokratike. Lidhja Demokratike mori vullnetarisht të gjitha përgjegjësitë e dështimeve të qeverisjeve të mëparshme, përfshirë dhe qeverisjeve të kryesuara nga vetë Hashim Thaçi.
Kjo sepse ish-presidenti Thaçi gjeti blerësin e dobiçit të vet tek Isa Mustafa. Jo vetëm kaq, por Isa Mustafa, Agim Veliu dhe të tjerë kultivuan arrogancën si mjet për të shtypur demokracinë brenda partisë së tyre, derisa e përjashtuan nga radhët e LDK-së më të merituarën e kësaj partie, Vjosa Osmanin. Duhet thënë me plot gojën se edhe Vjosa Osmani u largua dhe u përjashtua nga Lidhja Demokratike në funksion të intrigës së Thaçit dhe Mustafës për ta vetëshkatërruar LDK-në.

Tani jemi këtu, kur kjo parti, dikur 700 mijë anëtarëshe, të marrë vetëm diku te 100 mijë vota elektorale, ose 13-13.5 përqind të votave të përgjithshme të elektoratit. Partia që në vitin 2001 me Rugovën fitoi aq vota sa sot fitoi Vetëvendosja, doli në vendin e tretë, madje në përqindje më të ulët sesa AAK e Haradinajt në disa zgjedhje të mëparshme!  

Kjo është pasoja dramatike e rolit dhe intrigës së Isa Mustafës dhe askush të mos mendojë më se ai person erdhi në krye të LDK-së për interesat e kësaj partie. Ai erdhi në krye të Lidhjes Demokratike për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike. Në këto kushte angazhimi i tij për të bërë ndryshime ditët e ardhshme në LDK është hipokrizi e pastër dhe shpreh intrigën e pabesinë e radhës. Isa Mustafën nuk duhet ta lejojnë më anëtarët e kësaj partie të afrohet te selia e saj. Ai duhet të japë dorëheqjen nga ballkoni i shtëpisë së tij dhe të mos duket asnjë çast të selia e partisë. Jo më të interferojë për ndryshime dhe angazhime të tjera në LDK! Nëse Isa Mustafa do të angazhohet përsëri në LDK, ai do të ketë mision që këtë parti ta trashëgojë te besnikët e tij. Dhe kjo do ta rrënojë edhe më shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sa më shumë t'i jepet mundësi ndërhyrjeje në LDK Isa Mustafës, aq më keq do të bëhet ajo!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat