Misioni i Isa Mustafës për shkatërrimin e LDK-së

Opinione

Misioni i Isa Mustafës për shkatërrimin e LDK-së

Nga: Gani Qarri Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 00:21
Gani Qarri

Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, dëshmuan se Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë, për mënyrën se si erdhi në krye të LDK-së, si dhe misionin që ai kreu me kaq sukses në shkatërrimin e kësaj partie, partisë dikur më të madhe të Kosovës të krijuar dhe udhëhequr për shumë vite me plot arritje shtetërore nga Dr. Ibrahim Rugova.

Isa Mustafa që me ardhjen e tij, me 2010 në krye të LDK-së, jo vetëm që nuk ka lejuar asnjë reformë, por ai ndryshoi edhe statusin e partisë dhe përshtati në atë mënyrë që Isa Mustafa pa asnjë konkurencë, të rizgjidhej kryetar i LDK-së, sa herë të dëshironte, duke mos lejuar të futej në garë për të parin e partisë asnjë kandidatë tjetër, njëjtë si në sistemin ish komunist jugosllav.

Dhe megjithëse kishte njerëz të interesuar të konkurronin për kryetar të partisë, statusi i përgatitur nga Isa Mustafa, që nga viti 2010 nuk ua lejonte kandidimin asnjërit prej tyre, ndaj nga atëher, u zgjodh e rizgjodh dy-tre herë radhazi, vetëm Isa Mustafa kryetar i LDK-së.

Kështu që demokracia në këtë parti ishte mbytur qysh me ardhjen e Isa Mustafës në krye të saj, e për aq më keq, me gjithë dorëheqjen e tij dhe të kryesisë, ai i la një trashëgimi tejet të keqe dhe shumë të rrezikshme përbrenda LDK-së, duke krijuar katër klane të papajtueshme rajonale në kryesi, nga të cilat, pas kaq vitesh ekzistence dhe veprimtarie të suksesshme partiake e shtetërore, partia e mirënjohur dhe me aq shumë famë e Dr. Ibrahim Rugovës, përfundimisht rrezikohet të ndahet apo edhe të shuhet tërësisht si parti dhe subjekt politik më vete.

Ajo që dëshpëroi pafundësisht votuesin besnik të LDK-së, është fakti se Isa Mustafa dhe benjamini i tij Avdullah Hoti nuk kanë mundur asnjëherë ta arsyetojnë, as qëllimin e ardhjes në krye të Qeverisë kundër kushtetuese si parti e dytë në zgjedhjet e kaluara parlamentare, përveç plotësimit të dëshirave të kuislingut Hashim Thaçi për rrëzimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nga qeverisja e vendit, për shkak të frikës nga ndëshkimi për krimet në të kaluarën e tij kriminale.

Madje Isa Mustafa si kuadri më besnik i ish LKJ-së, me përvojën më të gjatë në skenën politike të Kosovës, bashkë me Avdullah Hotin, përveç se pranuan detyrën e turpshme që u dha Hashim Thaçi për ngritjen e një Qeverie kundërkushtetuese, ata u shërbyen edhe me votë të kundërligjshme të deputetit të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për hajni e korrupsion, siç ishte ajo e deputetit minoritar të hashkalinjëve Etem Arifit.

Kështu që pas shuarjes së tërësishme gati dhjetvjeçare të degës së LDK-s në Gjakovë dhe rënies rapide e më të ulët të mundshme në nivel vendi, humbja aktuale kaq drastike e kësaj partie edhe në bastionet kryesore të LDK-së, në të gjitha qytetet e Kosovës, po dëshmon katërçipërisht se përveç kalimit të Vjosa Osmanit në VV edhe një pjesë e madhe e elektoratit të frustëruar të LDK-s në këto zgjedhje, ka kaluar në VV, nga dëshpërimi me Isa Mustafën e Avdullah Hotin i cili nuk mori vota të mjaftueshme as në Rahovec, prej nga ai vjen edhe vet.

Ndaj përgjegjësinë për të gjitha këto dështime epokale, dhe rënien drakonike në këto zgjedhje, në rend të parë, e mbajnë Avdullah Hoti si kandidatë për kryeministër dhe Isa Mustafa si kryetar i LDK-së, si dhe pjesa e vjetërsuar e LDK-së, qëllimi i të cilëve, tanimë duket të ketë qenë, pikërisht shkatërrimi i partisë së Dr. Ibrahim Rugovës, nëse vije deri te pensionimi pa dëshuirën e tyre, me votën e elektoratit të dëshpëruar nga Isa Mustafa & Co.

Për aq më tepër edhe në kohën e digjitalizimit modern, në të cilën sot jetojmë, LDK që nga vdekja e Dr. Ibrahim Rugovës, kurrë nuk diti ti adaptohet kohës, përshtatet kushteve as njerëzve të rinj, duke mos pranuar asnjë llojë reforme të brendshme dhe luftuar hapur pjesën më inteligjente të gjinisë femërore në parti, brenda vendit kundër Vjosa Osmanit dhe nga jashtë të Donika Gërvallës.

Ata të cilët kanë përcjellë zhvillimet në këtë parti ende e kanë të freskët rastin, se si vetëm pak vite më parë, me urdhër të Isa Mustafës, kundë të bijës së heroit të kombit, Isuf Gërvalla, Donika Gërvallës, qe përdorur edhe forca fizike për dëbimin e saj, duke e nxjerrë zvarrë nga salla ku po mbahej një tubim partiak i LDK-së, gjë që ishte ndër aktet më të turpshme, që në atë formë dhe mënyrë, nuk është parë kurrë, tek asnjë parti tjetër në Kosovë.

Ndërsa së fundmi, po këta njerëz me argatët e tyre, pa marrë parasysh dëmin që mund ti shkaktonin LDK-së, u ngritën në mënyrën më brutale edhe kundër Vjosa Osmanit, u përdorën edhe fyerjet më çnjerëzore deri në sharjet më të ulëta dhe poshtërimi më primitiv, i llojit më të pakulturuar të ofendimit, që nuk përkon aspak me formën e jetesës së sotme, as mënyrën e sjelljes bashkëkohore të shekullit XXI, në vendet demokratike.

Në të njëjtën kohë Isa Mustafa me këshilltar të tipit, si Bajram Gecaj i cili në zgjedhjet e kaluara, i ka marrë vetëm 8 vota nga elektorati i LDK-së, shkoi deri atje, sa e armiqësoi tërësisht LDK-në, edhe me votuesit më besnik të kësaj partie, duke deklaruar publikisht para nëpër emisione dialoguese para kamerave televizive, se; “nuk është me rëndësi vota e qytetarit", "qytetari nuk mund të krijoj qeveri" dhe se "populli nuk mund të vendos për qeveri dhe politikën në vend"!

Madje Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së edhe me moshë të tejkaluar pensionimi, lanë plotësisht në margjina komunikimin me publikun, si dhe qasjen e afërt me votuesit e vet, ndaj është shumë e drejtë dhe plotësisht e kuptueshme shkërmoqja kaq katastrofale e kësaj partie, dikur nga më të mëdhatë në vend, njëjtë siç është pritur dhe paralajmëruar, rënja e saj tmerruese, disa herë edhe në shkrimet tona, në Bota sot.

Ndaj duke marrë parasysh frustrimin tepër të madh të qytetarëve të vendit për flirtet e vazhdueshme të Isa Mustafës dhe eksponentëve të vjetër të LDK-së, me Hashim Thaçin dhe PDK-në, si dhe gjendjen kaotike të shkaktuar nga ky njeri edhe brenda vet LDK-së, u dëshmua se votuesit dhe qytarët e Kosovës janë dëshpëruar aq shumë me kryesinë "De-mode" dhe tërësisht të konsumuar të kësaj partie, sa që votën e tyre, janë në gjendje t`ia falin edhe kundërshtarit më të madh të LDK-së, vetëm që të pensionohen përfundimisht nga politika dhe ikin përgjithmonë nga LDK, Isa Mustafa me shokë.

Këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë më tepër, se populli i Kosovës ,është dëshpëruar aq shumë jo vetëm me jugokomunistin Isa Mustafën por veçanërisht me Avdullah Hotin i cili lejoi të bëhet vegël e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për larjen e hesapeve me LVV-në, mu në kulmin e pandemisë me Covid-19, duke e shkelur edhe Kushtetutën e vendit, për të formuar një Qeveri të kundërligjshme, sa që unë nuk habitem fare, se si LDK, ka rënë vetëm në vendin e tretë, me humbjen më të madhe të votave, në gjithë historinë e kezistencës së saj si parti.

LDK-ja, në krye me Isa Mustafën, ka tradhtuar në vazhdimësi votuesit e vet, për pazare politike me njerëzit e krimit të organizuar dhe partinë e inkriminuar të Hashim Thaçit, madje edhe ish anëtari shumëvjeçar di LDK-së, kryesisë së saj dhe ish kryetari i Ferizajt z. Adem Salihaj, pas dështimit katastrofal të LDK-së në këto zgjedhje, tha publikisht se votuesi i LDK-së është mbushur aq shumë mllef në kryetarin aktual të kësaj partie sa që Isa Mustafën e quan njeriun më të neveritshëm të të gjitha kohërave, njeriun më pa dinjitet, shkatërruesin e LDK-së, e të vlerave rugoviane, të lirisë e të demokracisë, si dhe argati i të keqes dhe pjesë e bandës kriminale.

duke pasur parasysh faktin se në tetor, duhet të mbahen edhe zgjedhjet lokale në Kosovë, ku LDK, në krye me njerëz të tillë, pritet të pësoj fiaskon më tragjike në gjithë historinë e ekzistencës së saj partiake dhe politike, edhe në nivelin lokal, protagonisti i gjithë këtij episodi tragjik gjithsesi, me gjithë dorëheqjen e parevokueshme, mbetet Isa Mustafa me kaskën e vjetër të pleqve të LDK-së të cilët partin e Dr. Rugovës e sollën para shuarjes dhe buzë shkatërrimit total.

Ndaj pas këtij pësimi kaq drakonik dhe dështimit epokal, duke vënë në rrezik edhe ekzistencën e mëtejme si parti e njëmendtë konkurruese të LDK-së, në Kosovë, Isa Mustafa kreu me sukses të plotë misionin për shkatërrimin e LDK-së dhe tash mundë të shkojë i qetë në pensionin e dyfishtë, atë të LKJ-së, si dhe këtë të LDK-së, pasi që atë të parën e shkatërroi koha dhe ndryshimet politike, ndërsa LDK-në e solli vet Isa buzë shuarjes dhe shkatërrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat