Ku është LDK-ja sot?

Opinione

Ku është LDK-ja sot?

Nga: Haki Ismajli Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 08:07
LDK

Pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës themeluesit të LDK-ës dhe arkitektit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, individ dhe grupe individësh duke tentuar të marrin nën kontroll udhëheqjen e LDK-së, partisë politike më të madhe në Kosovë i shkaktuan probleme të shumta si në strukturat e saj, në shtrirjen e saj, në pakësimin e anëtarësisë së saj, në përjashtimin e figurave kyçe të saj, për poste të pamerituara, për pozita në institucionet shtetërore, për pasuri dhe pushtet të përjetshëm, të pakufishëm dhe të paprekshëm dhe në dëm të interesave të anëtarësisë së LDK-së në veçanti e në dëm të shtetit dhe popullatës së Kosovës në përgjithësi.

Problemet serioze të LDK-ës u shfaqen në Kuvendin e VI zgjedhor të vitit 2006 në mes të krahut të Fatmir Sejdiut dhe krahut të Nexhat Dacit të cilët në pamundësi për të kontrolluar grupet e tyre dhe për të bërë një garë demokratike, në përputhje me statutin e partisë dhe në interes të anëtarësisë ndikuan që kjo parti politike të ndahet në dy pjesë.

Por mëkatet më të mëdha ndaj LDK-ës i ka bërë Isa Mustafa më bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të cilët e sollën këtë parti në prag të shkatërrimit dhe në rezultatin e saj më të dobët në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021.

1. Mëkati i parë - Veprimet politike të Isa Mustafës, Agim Veliut dhe të kryesisë qendrore në përgjithësi në dëm të interesave të popullit, të Kosovës dhe në mos përfilljen e vullnetit të anëtarësisë së LDK-së morën ndëshkimin e merituar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

2. Mëkati i dytë – Shkarkimi i Qeverisë Kurti që popullata e Kosovës e shpresonte dhe e besonte aq shumë për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Me votat që i kishit fituar nga Vjosa Osmani. U ndëshkuat më votë më 14 shkurt.

3. Mëkati i tretë – Formimi i Qeverisë Hoti që ishte e panevojshme dhe padëshirueshme për popullatën e Kosovës, në rrethanat dhe kushtet e pandemisë së Koronavirusit. U ndëshkuat më votë më 14 shkurt. Ju harruat se sovrani ju voton por edhe ju ndëshkon.

4. Mëkati i katërtë – Manipulimet me zgjedhjet e brendshme të LDK-së nëpër nëndegë, degë dhe në kuvendin qendror duke favorizuar servilet tuaj që nuk ishin të zgjedhur nga anëtarësia e LDK-së në përputhje me statutin dhe rregulloret e zgjedhjeve nëpër nëndegë dhe degë. Ky kryetar i degës banë e ky nuk banë se ky është me ne e ky është kundër nesh. Kështu keni vepruar edhe me delegatet që kanë marrë pjesë në kuvendin qendrorë të LDK-së duke i siguruar nga kryetarët e degëve të marrin pjesë vetëm ata delegatë që do tu votojnë vetëm ju dhe sipas porosive tuaja.

Ju kujtojmë Donika Gërvallën e cila edhe pse ishte zgjedhur nga anëtarësia dhe aktivistet e LDK-ës Kryetare e Degës së LDK-ës për Gjermani, ju e konsideruat bashkëpunëtore të Vjosa Osmanit dhe me rojat tuaja e tërhoqët zvarrë duke mos e lejuar të marrë pjesë në punimet e kuvendin qendrorë të LDK-ës pa ju vrarë ndërgjegjja se ajo ishte vajza e heroit kombëtarë Jusuf Gërvalla.

Rast tjetër në Skënderaj, ju nuk keni lejuar që LDK-ja në Skënderaj të mbaj zgjedhje nëpër nëndegë dhe degë që nga viti 2006. Servili i juaj Isa Fejzullahu kryetar i vetëshpallur i degës së LDK-së në Skënderaj më ka thënë hajde i shkruajmë emrat në kompjuter dhe përmes e-malit ja dërgojmë kryesisë qendrore të LDK-ës në Prishtinë se Isa Mustafa na ka thënë mos mbani zgjedhje të LDK-ës në Skënderj se në ato zgjedhje fitojnë “Shtatë Vëllezërit” dhe na e prishin shtrofullën (shtrufullogun) neve në Prishtinë e juve në Skënderaj. Me 14 shkurt ju ndëshkojë anëtarësia e gjerë e LDK-së sepse ju nuk i pranuat të zgjedhurit e tyre por servilet tuaj.

https://www.facebook.com/100001394787444/videos/pcb.3747103272012795/3747098222013300

1

5. Mëkati i pestë – Përjashtimet, etiketimet, linçimet e figurave më të votuara të LDK-së duke përfshirë edhe ata që për këtë parti punuan në kushte dhe rrethana shumë të vështira qoftë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, qoftë nga SHIK-u dhe militantët e PDK-së për tri dekada.

Isa Mustafa me garniturën e tij mendonte vetëm se si ta përjashtonte Shpejtim Bulliqin

nga LDK-ja por kurrë nuk mendonin se Shpejtim Bulliqi një ditë do ta marr Podujevën e Agim Veliut.

Isa Mustafa më bashkëpunëtorë mendonte dhe punonte ditë e natë se si ta përjashtonte nga LDK-ja Vjosa Osmanin dhe si ta shkatërronte politikisht duke bashkëpunuar edhe me Hashim Thaçin por kurrë nuk menduan se Vjosa Osmani e ka me vete ma shumë se gjysmën e elektoratit të LDK-së. Prandaj ju me 14 shkurt morët ndëshkimin e më shumë se gjysmës së elektoratit të LDK-së për përjashtimet që i bëtë kundër dëshirës dhe vullnetit të anëtarësisë së LDK-së.

6. Mëkati i gjashtë – Lista e deputetëve të LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit pa Vjosa Osmanin në listë dhe me bartës të listës Abdullah Hotin (kandidat për kryeministër) personin më të urryer nga popullata e Kosovës dhe nga votuesit me të drejt vote. Për shkak se iu imponua kryeministër Kosovës kur popullata shpresonte në “Qeverinë e Shpresës” që do të drejtohej nga Albin Kurti. Prandaj më 14 shkurt ju ndëshkojë sovrani që më Kosovën të qeverisë “Qeveria e Shpresës”, është fat i madh që nga votat e sovranit formohen institucionet shtetërore.

7. Mëkati i shtatë - Manipulimi dhe shfrytëzimi i institucioneve shtetërore, siç janë: Gjykata Kushtetuese, KQZ, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykata Supreme për të zvarritur lëndë, për të dobësuar lista të kandidatëve të subjekteve politike, për të mos i licencuar kandidatet në zgjedhje. Kapja e institucioneve shtetërore për lojëra politike u ndëshkua më votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

8. Mëkati i tetë – Manipulimi i Isa Mustafës dhe garniturës së tij me votat e elektoratit të LDK-ës. Ju nuk keni të drejtë të fajësoni elektoratin e LDK-ës sepse elektorati i LDK-së e ka votuar LDK-ën por ju e keni keqpërdorë votën e tij. Sepse ju Isa Mustafa me deputete e zgjedhur nga elektorati i LDK-së e keni votuar Hashim Thaçin dhe PDK-në. Në përjashtim të Vjosa Osmanit, Anton Qunit, Fatmir Rexhepit. Hashim Thaçi më të sigurta i ka pasur votat e deputetëve të LDK-së se sa votat e deputetëve të PDK-së. Ju u ndëshkuat me 14 shkurt edhe për shkak të manipulimit me votat e elektoratit të LDK-së.

2

9. Mëkati i nëntë – Koalicioni parazgjedhor me AKR-në e Bexhet Pacollit i pa analizuar mirë dhe si duhet, sepse AKR-ja është parti e vogël nuk ka as anëtarë dhe as votues dhe ishte një barrë e rëndë në kurrizin e lodhur të LDK-së nga problemet e brendshme. Elektorati i LDK-së ju ka ndëshkuar me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit edhe për shkak të koalicioneve në dëm të LDK-ës.

10. Mëkati i dhjetë – Mungesa e transparencës financiare e të hyrave dhe shpenzimeve në strukturat e LDK-ës ishte edhe një tjetër arsye e elektoratit të LDK-ës që ju ka ndëshkuar me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

11. Mëkati i njëmbëdhjetë – Manipulimi në përzgjedhjen e komisionarëve dhe vëzhguesve të LDK-ës në zgjedhjet e përgjithshme, lokale dhe lënia e tyre pa ushqim dhe pije në ditët e zgjedhjeve ishte një tjetër arsye e ndëshkimit më votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

12. Mëkati i dymbëdhjetë – Në njërën anë e keni shkatërruar dhe po e shkatërroni LDK-në e në anën tjetër >>Ju thirreni në emër të Ibrahim Rugovës, e të LDK-ës<<. Por ju ndryshe flisni e ndryshe veproni edhe për këtë arsye ju kanë ndëshkuar më votë në zgjedhjet e 14 shkurtit ndjekësit e vërtet të filozofisë politike të Ibrahim Rugovës. Mos shkoni të varri i tij se është mëkat i madh.

Duke filluar nga Isa Mustafa, Agim Veliu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Imri Ahmeti, Anton Quni, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj,Muharrem Svarqa, Sokol Haliti, Vlora Dumoshi, Lumir Abdixhiku, Valon Murtezaj, Skender Hyseni, Brikenda Kryeziu, Fadil Krasniqi, Rrezeartë Krasniqi, Arban Abrashi, Mirjeta Kalludra, Besian Mustafa, Florian Dushi, Selim Kryeziu, Doruntinë Maloku, Naser Osmani, Mybera Mustafa, Safet Kamberi, Lutfi Zharku, Lirije Kajtazi dhe Fidan Rekaliu të gjithë ju jeni fajtorë dikush më shumë e dikush më pak që keni ndikuar në shkatërrimin e LDK-ës.

Në mesin e këtyre emrave ka edhe intelektual të shquar të cilët e dinin që LDK-ja po ecte në rrugën e shkatërrimit të madh por heshtën nga frika e përjashtimit dhe hakmarrjes që mund ta bënte ndaj tyre Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Ismet Beqiri diktatorët që e kontrolluan më grushtin e çelikut LDK-ën dhe e dërguan në kuotën e 13%. Dashtë Zoti që në të ardhmen këta individ të mos e kenë mundësin e vendimmarrjes në LDK sepse LDK-ja nuk do të mund ta kalojë as pragun zgjedhor.

As njëri nga këta emra nuk e meriton të drejtojë LDK-në sepse nuk mund të drejtojnë dhe shpëtojnë LDK-ën ata që e shkatërruan. Elektorati i LDK-ës dëshiron të rreshtohet vetëm pas Vjosa Osmanit. Vjosa Osmani është e vetmja shpresë për shpëtimin e LDK-ës. E di se kjo juve nuk ju pëlqen por na thoni cili nga ju do të mund të fitoni një garë zgjedhore me Vjosa Osmanin kundër kandidate. Dashtë Zoti që Vjosa Osmani të zgjidhet kryetare e LDK-ës sepse LDK-ja pa Vjosa Osmanin do ta këtë shumë të vështirë të mbijetoj. Në të kundërtën LDK-ja gjithmonë do të jetë e humbur nga Vjosa Osmani gjatë gjithë karrierës së saj politike nëse ajo rreshtohet në një subjekt tjetër politik.

Ne anëtarët dhe aktivistët e LDK-ës në Skënderaj kërkojmë urgjentisht nga strukturat drejtuese të LDK-ës të na mundësohet dhe lejohet mbajtja e zgjedhjeve të lira, demokratike, publike dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloret e punës për zgjedhjet e nëndegëve dhe degës, ku me votat e lira të delegatëve të nëndegëve të zgjidhet kryesia e degës së LDK-ës në Skënderaj dhe të jetësohet vullneti i anëtarësisë së LDK-së në komunën e Skenderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat