Përgjigjet e “vërteta” të Isa Mustafës, pas dorëheqjes së tij

Opinione

Përgjigjet e “vërteta” të Isa Mustafës, pas dorëheqjes së tij

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 shkurt 2021 Në ora: 12:20
Isa Mustafa

Zotëri Mustafa, ju të hënën dhatë dorëheqje nga kryetari i LDK-së?

-Po.

Pse?

-Thjesht e realizova misionin tim.

Që është?

-Shkatërrimi i LDK-së. Ka qenë një rrugë e gjatë por në fund, ia dola me sukses.

E si ia dolët?

-Me ndihmën e të gjithëve në LDK, përjashto Vjosa Osmanin, Shpejtim Bulliqin dhe Haxhi Avdylin këto vitet e fundit. Por ajo çfarë dua të them është, se e kemi bërë maksimumin në këtë drejtim, madje kemi shkuar deri në kufijtë e së pamundurës.

E sa i përket pjesës tjetër?

-Të gjithë. Unë them se për shkatërrimin e LDK-së jam ndihmuar edhe nga votuesi më ordiner në fshatin e fundit të Dragashit. Ai që e ka votuar LDK-në këto dhjetë vitet e fundit, kuptohet sa kam qenë unë në krye të saj, do të thotë se është pajtuar me çdo vendim timin, që për qëllim kanë pasur asgjësimin e saj.

Po e elaboroj me një shembull. Kur unë dhe Agim Veliu punonim prapa skenave me ish-presidentin Thaçi për rrëzimin e qeverisë Kurti, kanë qenë të informuar të gjithë anëtarët e Kryesisë së LDK-së dhe e kam pasur përkrahje pothuajse anonime nga të gjithë (përjashto Vjosën dhe Haxhinë).

Kur unë e përkrahja në heshtje dhe Agim Veliu publikisht, deklaratën e ish-presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme me fillimin e pandemisë në Kosovë, kemi marrë mbështetje përmes rrjeteve sociale edhe nga militantët dhe votuesit e LDK-së.

Me pak fjalë, ju po thoni se fajtorë për humbjen e LDK-së në zgjedhjet e së dielës, janë edhe ata të cilët e kërkuan dorëheqjen tënde?

-Po. Ne disa aspekte më shumë se unë. Në shumë raste, anëtarët e kryesisë arrinin të m'i lexonin edhe mendimet në kokë. Merrnin iniciativa para se unë të propozoja diçka ose, i zbatonin urdhrat e mi më shumë se sa që kërkoja unë. Tash të njëjtit po e kërkojnë reformimin e LDK-së.

Duhet të përmendi edhe një fakt. Disa të tjerë brenda partisë herë pas herë me kritikon, por këtë gjë e bënin për përfitime të tyre personale jo se u dhimbsej zhbërja e LDK-së.

Si përfundim, për organizimin e LDK-së ashtu siç po pretendohet nga disa, duhet të formohet një parti e re, me njerëz që nuk kanë qenë kurrë në asnjë strukturë të saj dhe në fund, me votues të rinj. Është ironike të riorganizohet, të ribëhet ky subjekt politik me qytetarët ordinerë të cilët e votonin LDK-në që dikur e drejtoja unë.

A mund të na tregosh sekretin se si i binde njerëzit brenda LDK-së për të përkrahur në zhbërjen e saj.

-Për njerëzit e nën-degëve, degëve, kryesisë dhe Këshillit te Përgjithshëm, e përdorja karrotën dhe shkopin. Jo këtë shkopin që jam duke e përdorur për ecje, por shkopin si metafor. Thjesht, i joshja me pozita brenda partisë-në institucione publike dhe me përfitime tjera të shumta. Kurse, ata që refuzonin përfitimet, i kërcënoja me përjashtim nga partia, me mos futje në liste për deputet e kështu me radhë.

E sa i përket votuesve?

Shume thjesht. E kam përdorur një hile psikologjike. Thirresha çdo herë në ruajte të rugovizmit, në vlera rugoviane, etj. Nuk e di nëse ju kujtohet kur patëm votuar në Këshillin e Përgjithshëm për lidhjen e koalicionit qeverisës me PDK-në(viti 2014), ku unë u zgjodha si kryeministër, Kadri Veseli kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi president, prapa shpinës time ka qenë një foto e madhe sa krejt muri e ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Kjo ka bërë që votuesi ordiner të më sheh mua si Rugovën jo si Isa Mustafë.

Pyetja e fundit zotëri Mustafa. Ju me herët thatë se angazhimi i juaj për shkatërrimin e LDK-së është një proces i gjatë.

-Po. Angazhimi im për shkatërrimin e LDK-së ka filluar gjatë kohës sa kam qenë ministër në qeverinë në ekzil. Nga momenti i bllokimit të fondeve nga ana e qeverise Bukoshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat