Përse truri përqendrohet te negativja?

Opinione

Përse truri përqendrohet te negativja?

Nga: Lekë Imeraj Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 14:24
Lekë Imeraj

Thuhet se njeriu është zot i mendimeve të veta. Të paktën shumica kështu mendojnë.

Eshtë mendim i gabuar, thonë psikologët. Sipas psikologjisë, truri i njeriut, vendos për pjesën më të madhe të mendimeve dhe verprimeve të njeriut.

Në këtë çështje, problemi madhor është se, te shumica e njerëzve, truri priret drejt mendimeve negative. Kjo është tendenca e trurit „katastrofal“.

Këtu ka dhe një gjë të mirë, ti nuk je i detyruar të ndjekësh rrugën e trurit. Nëpërmjet makanizmit të ndjenjave, mund ta manipulosh atë.

Të mbijetuarit është qëllimi kryesor i trurit. Sot, ky qëllim, duket sikur ka kaluar diku, në fshehtësi të trurit, nuk është aq aktiv sa dikur. Jetojmë në një vend të lirë, demokratik, relativisht të sigurt.

Kështu mendojmë ne, por jo dhe truri ynë. Në trurin tonë, vazhdon si më parë „programi“ i para mijëra viteve. Programi kur njeriu, përballej me shumë rreziqe, të ditës dhe natës. Ai përqendrohet në rreziqet e mundshme.

Interesant është fakti që, truri, i ruan për një kohë shumë të gjatë, skenat e rrezikut, edhe nëse ato nuk shfaqen kurrë. Kjo do të thotë që, proceset që zhvillohen në trurin tonë, truri nuk i diferencon ato reale, nga ato të menduara.

Disa situata nga të cilat njeriu ka frikë, zgjojnë tek ai ndjenjat negative. Shpesh ato qëndrojnë për një kohë të gjatë, derisa njeriu bindet se, nuk përbëjnë rrezik ose, kaloi rreziku.

E keni përjetuar një gjë të tillë? Nëse po, pa merak! Nuk jeni i vetmi.

Eshtë e vështirë të shijosh të mirën, dhe të përqendrohesh tek pozitivja. Truri „katastrofal“ vazhdimisht përqendrohet në modelin e mendimeve negative. Të mirat i mjegullon. Nëse e njihni këtë „marifet“ të trurit, nuk duhet të shqetësoheni fare. Nuk t’a dëmton aspak kualitetin e jetës. Nëse truri të provokon me skena të së kaluarës, dhe ti je i bindur se ato nuk janë më pjesë e jetës tënde, vetëm injoroji. Truri është „mashtrues“ i keq. Ashtu si çdo mashtrues tjetër, duhet të mësosh t‘a mashtrosh edhe ti, trurin tënd. Një gjë e tillë mund të mësohet, madje shumë mirë.

Për këtë, ka rëndësi të mësuarit e principeve bazë.

Nëse ti pret diçka negative, për shkak të trurit tënd “katastrofal”, ka shumë mundësi që do biesh në “kurthin” e trurit dhe, ta përjetosh atë që pret.

Nëse truri yt, e ka projektuar bashkëshortin apo kolegun tënd si njeri negativ, ashtu do të reagosh ndaj tij. Do të përqendrohesh vetëm në anët negative të tij, dhe do ta mendosh njeri negativ.

Frika e dështimit, është shumë e njohur. Nëse truri yt, të përserit vazhdimisht se je i dështuar, dhe ti e dëgjon atë, sigurisht që do të dështosh. E garantuar kjo. Thjesht truri, nga natyra e vet, është programuar për të “ndjellur” të keqen dhe errësuar pozitiven.

Shtrohet pyetja: Ka shpëtim nga ky tru “mashtrues”?

Po, përgjigjja është pozitive.

Këshillat e mëposhtme, të ndihmojnë për të ndërtuar “mekanizmin” e mbrojtjes kundër trurit “mashtrues”. Por, duhet pak vullnet.

1. Hape një ditar dhe çdo ditë, shëno gjërat e mira të ditës. Gjithçka të mirë që ke përjetuar, në familje, punë, shoqëri dhe kudo. Në mënyrë të vetëdijshme, injoroji dhe bllokoji të këqiat. Zhduki, nga mendja dhe ditari.

Kështu ti e trajnon trurin tënd që të përqendrohet në gjërat e mira, në pozitiven. Edhe për vogëlsirat.

2. Mundohu që, në mënyrë të vetëdijshme, t’i harrosh ndodhitë negative të ditës, dhe të përqendrohesh vetëm në pozitivet. Sidomos në rastet kur ndjen frikë, kur e vë re se, humori yt është i keq dhe ndjehesh i nervozuar.

3. Përqendrohu në, “këtu” dhe “tani”. Harroje të djeshmen, dhe lere të nesërmen!

Rikthimi tek e djeshmja, zgjon shumë ndjenja negative, të cilat mund të jenë në gjendje dremitjeje. Frika dhe emocionet tjera negative, nga mundësia e përseritjes së gjërave, edhe nëse ato nuk ndodhin kurrë, janë shumë të dëmshme. Truri nuk heq dorë nga ato. Këtë duhet ta bësh ti, duke menduar dhe përqendruar në të sotmen. Ktheje “timonin” e mendimeve, përseri, dhe përseri. Anija merr kursin që i jep timonieri dhe jo era.

4. Gërmo në sirtaret e tua dhe zgjidh fotot, videot dhe korrespondencat më të këndshme, nga aktivitetet dhe kontaktet me botën dhe të tjerë. Përqendrohu tek momentet më të kësndshme që ke përjetuar.

Teorikisht, ti nuk ke pushtet mbi mendimet e tua, por mund ta kërkosh dhe fitosh. Një gjë e tillë, nuk është aq e vështirë, dhe kurrsesi e pamundur. Duhet durim dhe ushtrime. Të ushtruarit e bën njeriun mjeshtër.

Nga të përsëriturit e kësaj strategjie, mendimi pozitiv, do të bëhet një gjë rutinë, për trurin tënd.

Gradualisht, krijohen lidhje të reja të sinapseve, dhe të vjetrat kalojnë në gjendje dremitjeje. Bashkë me ato, edhe mendimet tua katastrofale.

Durim dhe guxim dhe, shumë shpejt do të ndihesh optimist, i qetë dhe i sigurt, në jetë dhe punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat