Letër e hapur Isa Mustafës

Opinione

Letër e hapur Isa Mustafës

Ismet Rashiti Nga Ismet Rashiti Më 19 shkurt 2021 Në ora: 21:18
Isa Mustafa

Nuk e kisha në plan të merrem me humbjen e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Nuk jam anëtar i asnjë partie politike dhe nuk kam asnjë interes personal. Më nxiti një shkrim i Z. Isa Mustafa si gjithnjë demagogjik se gjoja nuk po i ditka arsyet e humbjes katasrofale.

Një ndër arsyet e shumta është deklarata jote publike z. Isa Mustafa se « populli duhet të votoi dhe pastaj nuk ka nevojë të pyetet ». Kjo ishte njëra nga deklaratat më skandaloze që mund t’a bëj një kryetar i një partie demokratike institucionaliste siç shpreheni vend e pavend. Si duket, Ti zoti Isa Mustafa ende ke mbetur në modelin e vjetër të LKJ-së , kur nuk pytej asnjëherë populli dhe për më keq kur vendosej kundër vullnetit dhe interesave të tij. Kjo sjellje juaja dhe mënyra e udhëheqjes me mentalitet monist në një sistem pluralist, ka ndikuar së tepërmi që elektorati shqiptar të ju braktisë në heshtje dhe të mos kthehet më kurrë nën udhëheqjen tuaj tinzare.

Zoti ish kryetar i LDK-së, Ti dhe klani juaj brenda Kryesisë së LDK-së, në të gjitha fushatat zgjedhore, qofshin ato lokale apo qendrore, e kini mashtruar elektoratin, duke premtuar diçka dhe duke bërë krejt diçka tjetër pas marrjes së votave. Nxitja e urrejtjes ndaj partive tjera për « kauza » të shpifura gjatë tubimeve elektorale dhe arritja e marrveshjeve brenda natës për interesa meskine me të njejtat parti, ka qenë goditja më e madhe ndaj LDK-së. Kjo mënyrë e sjelljes hipokrite, nuk ka asnjë lidhje me LDK-në e Rugovës, as me filozofinë e tij politike.

Z. Isa Mustafa ardhja juaj në krye të LDK-së sot e asaj dite ka mbetur enigmatike. Ti, gjatë gjithë kohës sa ke qenë ministër i Financave dhe Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës në ekzil, jo vetëm që nuk ke qenë në LDK, por edhe ke vepruar kundër politikës së Presidentit Ibrahim Rugova. Me veprimet tua ke ndikuar shumë në përqarjen e mërgatës, duke mos bashkpunuar me degët dhe nëndegët e LDK-së, ani pse ato kanë qenë kontribueset më të mëdha në grumbullimin e mjeteve financiare. Ti z. Mustafa ke arritur deri në atë shkallë sa ti ndashë Këshillat e 3% nga degët e LDK-së dhe në fund të fundit ke shkuar deri në atë shkallë sa t’mos u dhësh llogari institucioneve më të larta shtetërore për mënyren e ndarjes së mjeteve financiare dhe përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve më të larta që atë kohë funksiononin sipas Kushtetutës së Kaçanikut. Inatet tua ndaj LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova kanë shkuar deri aty sa për një kohë mos ti mbulosh edhe shpenzimet e Presidencës dhe Presidenit Ibrahim Rugova për udhëtime zyrtare! Me një fjalë, Ti, jo vetëm që nuk ke qenë në LDK, por edhe e ke vepruar kundër LDK-së për një kohë të gjatë.

Sa i përket Fondit të 3%, më duhet të them se është një kapitull i tërë me të cilin patjetër një ditë duhet të merren seriozisht organet e drejtësisë. Pra duhet të zbardhet e vërteta mbi mjegullën e madhe që është krijuar. Ajo që mund të them unë si publicist dhe propagandues i Fondit të 3% në Zvicër, është keqpërdorimi i Fondit Shtetëror, duke e rikthyer në Fond Humanitar, pa përlqimin dhe miratimin e Kuvendit të Kosovës. Ky veprim juaji, z. Isa Mustafa ka qenë antikushtetues dhe për këtë duhet të ishit përgjigjur deri tani para organeve kompetente.

Ti z.Isa Mustafa, asnjëherë nuk e ke marrë mundimin t’i falenderosh me asnjë mirënjohje ata mijëra veprimtarë të 3%, duke filluar nga Umagu i Kroacisë, ku të kanë mbajtur me muaj të tërë, duke t’i hekurosur edhe rrobat dhe pastaj në mbarë Evropën, deri në Australi e Zelandë të Re. Këto veprime mosmirënjohëse ndaj mërgatës tregojnë se ti je bërë sinonim i së keqës dhe njeriu më i padëshiruar tek mërgimtarët tanë. Ti sado që që nuk ke guxim të deklarohesh hapur, në njëfar mënyre tinzare, ke dalur hapur edhe kundër të drejtës për votim të mërgimtarëve shqiptarë!

E dhimbëshme, z. Mustafa. Një kryetar i një partie siç shpreheni orë e çast, institucionaliste, kini ra në pozita kaq të ulëta, sa pothuaj askush nuk ju dëshiron në skenën politike, përveq klaneve dhe tregëtarëve politik që ditën hiqeni si kundërshtarë, e natën ndani poste e bëni plane se si me i formu, apo me i prishë koalicionet!

Ti, z. Mustafa me klanin tënd të padishëm, kini arritur ti diferenconi pothuaj të gjithë themeluesit e LDK-së brenda dhe jasht Kosovës. Me një fjalë çdo kush që nuk i ka mbështetur planet tuaja meskine dhe logjikën e veprimit monist, kini arritur ti largoni apo isoloni brenda LDK-së, duke u thirrur në emër të demokracisë e rugovizmit. Ka shumë emra të respektuar që pas ardhjes tuaj në krye të LDK-së janë larguar nga çdo lloj përgjegjësie. Humbja totale e besimit dhe sjelljet tuaja anti LDK, kanë bërë që të përqahen dhe pothuaj të pasivizohen krejtësht degët e LDK-së në mërgatë të cilat kanë qenë fuqi jashtëzakonisht e madhe e të gjitha zhvillimeve para dhe menjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Fakti që Ti me klanin tënd e kini ngre zhag koridoreve vajzën e ideologut të Lëvizjes Kombëtare për Pavarësi, tani Hero i Kosovës, Jusuf Gërvalla, zonjën e nderuar dhe politikanën intelegjente dhe të shquar, Donika Gërvalla, shpërfaqë krejt totalitarizmin tënd dhe mënyrën e veprimit kundër frymës rugoviane në të cilën thirresh pa asnjë meritë ! Se vërtetë nuk ke arritur ta menagjosh urrejtjen ndaj mendimit ndryshe dhe sidomos ndaj intelektualëve dhe rugovistëve të vërtetë, së fundmi është edhe mënyra e përjashtimit të zonjës së nderuar, Vjosa Osmani vetëm se donte ta mbante fjalën e dhënë para elektoratit në zgjedhjet e vitit 2019. U pa si ditën me diellë, se Ti dhe klani juaj e kini kandiduar Vjosa Osmanin për kryeministre vetëm për grumbullimin e votave dhe pastaj ta devijoni vullnetin e popullit andej nga ju konvenonte juve. Kjo dhe prishja e kooalicionit me Vetëvendojen e Albin Kurtit, pa asnjë arsye, ama pa asnjë arsye, duke e akuzuar » si antiamerikan », tregon se Ti si tinzar, je dëshmuar vetëm si treguar shumë i zgjuar për krijimin e kurtheve e prapaskenave. Pastaj kritikat banale për antiamerikanizëm të Albin Kurtit, si majtist e marksist-leninist « , e gjepura tjera të tilla të cilat sa janë qesharake, inatçore dhe diletantiste, po aq janë fyerje ndaj intelegjencies së popullit shqiptar. Ta akuzosh dikan si majtist, kur vet pothuaj një gjysum shekulli ke qenë udhëheqës i LKJ dhe funksionar i lartë në Qeverinë e Dhunëshme të Kosovës deri me 05 korrik 1990, është tepër e ulët dhe e neveritëshme. Këto dhe shumë arsye tjera, kanë bërë që votuesit të ju ndëshkojnë kaq rëndë sepse ka ikur koha e demagogëve të vjetër që kanë shkrryer mbi vullnetin e popullit dekada me radhë. Ti, Isa Mustafa, kurrë dhe në asnjë rast nuk je dëshmuar me asgjë për interesin e popullit. Në të kundërtën çdo herë dhe në çdo hap ke qenë i paguar dhe përfitues me para dhe poste mbi sakrificën e mijëra djemëve e vajzave të burgosur, të përndjekur dhe të persekutuar nga dhuna dhe gjenocidi serb. Pra ti, personalisht ke qenë një lloj mercenari që edhe në ditët më të vështira ke përfituar mbi kurrizin e të tjerëve.

Z. Isa Mustafa, mos harro se Kosova ka mbajtur zgjedhje parlamentare në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi dhe nuk ka mbajtur zgjedhje për ndryshimin e sistemit demokratik shumëpartiak. Akuzat tuaja dhe të klanit tuaj të padishëm apo tendencioz gjatë kësaj fushate, jo vetëm që nuk ka ndikuar pozitivisht, por përkundrazi kanë krijuar urrejtje të paparë ndaj subjektit që ju përfaqësonit deri dje !

Krejt fushata juaj ka qenë kundër Albin Kurtit si « antiamerikan » dhe si i majtë ekstrem. Ti, z. Isa Mustafa duhet t’a dishë se populli ju ka kuptuar njëherë e përgjithëmonë dhe asesi nuk i beson demagogjisë dhe veprimeve tuaja tinzare. Pra, në sistemin demokratik, ku populli shpreh vullnetin me votën e tij të fsheht, çdo fjalë është e kushtueshme dhe çdo veprim antipopullor është i denueshëm me votë demokratike! Të kota janë frazat « parti institucionaliste », « rugoviane » « demokratike », kur në praktikë ato përkthehen si demagogji, tregëti politike dhe interesa personale.

Këto dhe shumë arsye tjera janë ato që ju kanë goditur juve personalisht dhe LDK-në në përgjithësi. Edhe po të jeshë i verbër, i shurdhur dhe pa mend në kokë duhet ti kishe kuptuar. Besoj edhe i ke kuptuar, por edhe kjo është në vazhdën e demagogjisë tënde sa për t’u përmendur emri edhe për të keq qoftë!

E vetmja gjë që duhet t’a bëni në këto momente është kërkimfalja publike për kaq shumë të këqija që i ke sjellur Kosovës gjatë gjithë karierës tënde të vjetër politike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat