Ç’kanë të përbashkët “Tigri anadollak” dhe “Ariu siberian”

Opinione

Ç’kanë të përbashkët “Tigri anadollak” dhe “Ariu siberian”

Nga: Merxhan Jakupi Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 10:29
Merxhan Jakupi

Para dy dekadave, me ardhjen në pushtet të dy liderëve të dy shteteve ish-perandorake, Turqisë dhe Rusisë (Taip Erdogan dhe Vladimir Putin), këta dy liderë ishin pro-evropianë dhe kishin reputacion, kredibilitet në perëndim. Shumica e kancelarëve në Bruksel dhe në SHBA madje mendonin se jo vetëm Turqia, me negociatat euro-integruese do të hynte në BE, por edhe Rusia, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, do të mund të hynin në BE, ndoshta në fillim Rusia do të kishte një status special, por, në fund, do të bashkohej i tërë kontinenti evropian.

Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli, të dy liderët që vinin nga shtetet, Vladimir Putin dhe Taip Erdogan, filluan me reforma, demokratizimin e vendit dhe të shoqërisë. Ata kishin vizion pragmatik, liberal, me orientim properëndimor. Putin, pas vdekjes së Boris Jellcinit, filloi rimëkëmbjen e ekonomisë, rritjen e standardit dhe daljen e Rusisë në skenën globale. Po ashtu, edhe Taip Erdogan demokratizoi Turqinë, filloi me reformat dhe bëri një bum ekonomik. Eliminoi nga skena politike sekularistët hibridë e primitivë, bashkë me gjeneralët që e kishin kapur shtetin dhe tentonin të bënin puçe. Në dhjetëvjetëshin e parë, lideri i partisë AKP, Taip Erdogan, u bë burrë shteti dhe reformator. Në atë periudhë, Turqia u bë një ndër shtetet më të zhvilluara në botë, duke e quajtur "tigri i Anadollit". Në fillim të dekadës së dytë, të dy liderët e të dy shteteve të fuqishme, Vladimir Putin dhe Taip Erdogan, filluan të qeverisin me dorë të hekurt, duke forcuar pushtetin. Ata u shndërruan në liderë autokratë dhe autoritarë. Presidentin rus Putin e konsideronin si pasardhës i dinastisë cariste, ndërsa Taip Erdoganin si pasardhës i sulltanëve.

TEZA MBI FUNDIN E HISTORISË

Pas ngjarjeve epokale të vitit 1989, që sollën shembjen e komunizmit, sikur të ishte një "kullë prej kartoni", presidenti i asokohshëm amerikan, Ronald Regan, e quajti Bashkimin Sovjetik si "Perandori e kuqe" dhe si mbretëri e krimit. Pas shembjes së Murit të Berlinit, filozofi dhe historiani amerikan, Francis Fukujama, botoi një artikull në revistën prestigjioze "The national interest", me titullin "The end of history", që tronditi gjithë opinionin botëror. Artikulli nxiti shumë komente dhe kritika. Më pas, Fukujama botoi dhe librin e tij, me të njëjtin titull. Sipas këtij filozofi, artikulli dhe vepra lidhet me teorinë dhe tezat e filozofit Hegel dhe Karl Marks, që të dy teoricienë gjermanë, prej të cilëve, njëri mbron tezën e sistemit liberal dhe shoqërinë demokratike, ndërsa tjetri, shoqërinë komuniste.

Francis Fukuyama thotë se pas shpërbërjes së komunizmit dhe rrëzimit të Murit të Berlinit, si dhe përplasjet e ideologjive në fillim të shek. 20, ideologji këto që sollën dy luftëra botërore, në veprën e tij nënvizon se fundi i ideologjive totalitare dhe autoritare do të ngadhënjejë në të ardhmen në gjithë globin, si liberalizimi, demokracia, pluralizmi, traditat iluministe, socialdemokrate dhe tregu i lirë liberal në gjithë globin. Sipas doktrinës dhe teorive konspirative, ai paraqet fundin e ideologjive dhe fundin e historisë, ndërsa më vonë, në një artikull, ka piketuar se historia vazhdon dhe, në fund, kishte thënë "Ipso facto" (e kisha gabim).

Pas maksimës - fundi i historisë apo i ideologjive, edhe disa analistë dhe historianë evropianë ishin entuziastë, kur përsëritën frazën e Charles De Goulle, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e kontinentit të Evropës, prej Atlantikut deri në Ural. Diplomati, politikani dhe eksperti i politikës së jashtme amerikane, Zbigniew Brzezinski, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të një epoke të re, deklaroi se ëndrra, aspiratat e etërve dhe iluministëve evropianë për shtetet e bashkuara të Evropës, në fund do të kompletohet edhe me dy shtete ish-perandorake, Rusinë dhe Turqinë. Me hyrjen e këtyre dy shteteve, Evropa në të ardhmen do të bëhet lidership botëror.

ORIENTIMI MES LINDJES DHE PERËNDIMIT

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, shumica e intelektualëve, kundërshtarë të komunizmit, dhe elita politike pro-evropiane kishin aspirata dhe ideale se federata ruse do të vazhdojë me orientimin për integrim në BE. Rusia dhe populli rus janë pjesë e kontinentit dhe familjes evropiane. Politologu dhe analisti rus Vladisllav Surkov, shkruan se Rusia gjeografikisht i takon kontinentit evropian, por koncepti i sovranitetit, të demokracisë, evropeizmit, kulturës politike dhe mentalitetit të vlerave, traditave liberale, për t'u evoluar dhe transformuar shoqërinë ruse duhet më së paku një shekull.

Analisti dhe studiuesi i Kremlinit bëri një ilustrim mes liderëve perëndimorë dhe atyre rusë. Në rusi regjimi radikal, amoral dhe elita politike, oligarkët, me presidentin Vladimir Putin, bëjnë afera globale. Lideri i opozitës Aleksej Navalani zbuloi nëpërmjet kamerave, sekrete nga Pallati i Carit që kap një investim prej 10 miliardë dollarësh. Ndërkaq kancelarja gjermane, zonja e hekurt, Angela Merker, gjatë mandatit 16 vjeçar, ka jetuar si qytetare e thjeshtë, në një banesë dhe me një makinë. Zonja Merkel, kur e pyetën disa gazetarë se pse vishej me rroba të thjeshta, ajo u përgjigj se një ndër virtytet dhe vlerat më sublime të njeriut është që të jetë modest.

Rusia pas carit të parë, Ivanit, më se katër shekuj ka qenë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes oksidentit dhe orientit, e ndarë mes qytetërimit perëndimor dhe lindor. Rusët si shoqëri janë të ndarë në dy taborë: pjesa urbane është më afër me Evropën, janë më liberalë dhe pro-evropianë. Tabori i dytë është shoqëria tradicionale, me një mentalitet hibrid lindor, pansllavist, ortodoks, bizantin dhe kanë gjak lindor-puritan. Edhe pas sa dekadash, për këta Lenin dhe Stalini ende kanë mbetur si idhuj dhe kulte personaliteti. Rrallë kanë dalë jashtë shtetit pas shembjes së komunizmit, shoqëria tradicionale ruse jeton si në periudhën e Bashkimit Sovjetik. Nga vlerat e demokracisë kanë shijuar pushimet verore në rivierën turke, të Egjiptit dhe Tunisit dhe kanë makina nga Japonia dhe Evropa Perëndimore.

Katër shekuj nën sundimin dhe diktaturën e carëve, afër një shekull nën diktaturën dhe tiraninë e perandorisë së kuqe të komunizmit, Rusia post-sovjetike vazhdon me të njëjtën linjë, doktrinë, agjendë të strukturave dhe stereotipeve të pararendësve të tyre. Sipas opozitës, disidentëve, shkrimtarëve që janë larguar nga shteti, presidenti Vladimir Putin vazhdon impaktin, traditën e dinastisë së carëve autokrate. Rusia cariste, Rusia komuniste dhe federata ruse si trashëgimtare nën sundimin e autokratit dhe despotit Putin vazhdon me të njëjtën mënyrë e mentalitet, me hegjemoni dhe diktat, hasmëri ndaj Evropës, shteteve fqinje, duke vazhduar me të njëjtën kauzë e aspirata për ekspansion, aneksim të zgjerimit të territoreve, ani pse kanë një të tretën e rruzullit tokësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat