Dhomat e Specializuara : drejtësi apo politikë?

Opinione

Dhomat e Specializuara : drejtësi apo politikë?

Nga: Arnaud Boutin dhe Jehona Pnishi Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 17:15
Gjykata Speciale

Përgjigjje të nxjerra nga një intervistë e bërë më 9 dhjetor 2020 me Loïc Trégourès, profesor në Institutin Katolik të Parisit dhe specialist i Ballkanit perëndimor.

Ashtu sikur “[k]auza e drejtë e pavarësisë së Kosovës bënë thirrje për një përgjegjshmëri të lartë morale”, e njëjta gjë vlenë dhe kur duhet “përballur me të kaluarën tonë, gjë që Serbia ende nuk është në gjendje ta bëjë”. Është pikërisht në këtë frymë, të përshkruar nga Loïc Trégourès, specialist i Ballkanit perëndimor, që Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës janë parashikuar dhe iniciuar.

Elemente mbi krijimin, ndikimin dhe fushëveprimin e Dhomave të Specializuara

Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës e miratoi amendamentin e 24-të të Kushtetutës së Republikës së Kosovës pas ndikimit të raportit të senatorit zviceran Dick Marty në Këshillin e Evropës. Ky amendament miratoj Artikullin 162 për krijimin e Dhomave të Specializuara. Është pikërisht në bazë të pretendimeve të këtij raporti i cili denoncon një trafikim organesh njerëzore të kryer nga UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) që u krijuan Dhomat e Specializuara, të cilat rishtas kanë akuzuar ish-luftëtarët e UÇK-së, të bërë aktorë politik të shtetit pas luftës në Kosovë. Kështu pra, Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës që nga vitin 2007 deri në 2014, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës që nga vitin 2014 deri në 2019, Hashim Thaçi, president i Kosovës në vitet 2016-2020, dhe Rexhep Selimi, deputet i partisë Vetëvendosje! janë akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Është pikërisht në emër të kësaj përgjegjshmërie morale që klasa politike kosovare dhe opinioni publik pranuan ndëshkimin e çdo krimi lufte ose krimi kundër njerëzimit përmes Dhomave të Specializuara, krijimi i të cilave u mundësua me insistimin e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Mirëpo, ky miratim publik ishte larg pëlqimit të asaj që duket sot të jetë dobësimi i dukshëm dhe çëllimplotë i kauzës së drejtë të UÇK-së.

Kjo nuk është hera e parë që imazhi i UÇK-së vihet në gjykim përballë Gjykatave të ndryshme me akuzimin e ish-luftëtarëve të saj. Në fakt, ishte së pari Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) që ishte i ngarkuar të sjell para drejtësisë njerëzit të supozuar të jenë përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare të kryera në teritorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991. Për shembull, TPNJ-ja ka akuzuar dy herë ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, të cilin e shpalli të pafajshëm në fund të procedurave.

Sido që të jetë, krijimi i Dhomave të Specializuara ngjalli debat në rajon. Për disa, krijimi i tyre është zanafillë e një shprese të re që do të plotëson boshllëqet në vendimet e TPNJ-së në lidhje me ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilat konsiderohen të pjesshme dhe të paqëndrueshme. Ndërsa për disa të tjerë, krijimi i tyre konfirmon një vullnet të pandërprerë për të dëmtuar imazhin e kauzës së drejtë të UÇK-së si dhe atë të Kosovës si shtet, duke bërë luftën e UÇK-së për pavarësi jo legjitime. Sepse, kur struktura udhëheqëse e një organizimi të armatosur falë të cilit çlirohet një vend akuzohet, atëherë kjo akuzë dobëson legjitimitetin e shtetndërtimit dhe pavarsisë së tij !

Imazhi i UÇK-së me Dhomat e Specializuara

Përveç që parandaluan Hashim Thaçin të nënshkruajë ndonjë dokument me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Zyrën Ovale, Dhomat e Specializuara luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e negociatave dhe marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas Loïc Trégourès, “Vuçiqi nuk është i interesuar të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe opinioni serb nuk është aspak i gatshëm për të, nëse besojmë në studimin e fundit të Bezbednost-it ”. Ai shton se në sytë e presidentit serb dhe të Kishës ortodokse serbe, “Kosova është zemra e Serbisë, status koha [për rikthimin e saj] nuk ka asnjë rëndësi”. Gjoja rajon historik serb pas humbjes së tij nga Perandoria osmane më shumë se 630 vjet më parë, qarqet fetare dhe politike serbe mendojnë se Kosova përfundimisht do t'u kthehet atyre.

Në këtë dinamikë, Dhomat e Specializuara ngjallin dhe më shumë debat. Ato u krijuan si pasojë e raportit të Dick Marty-it i cili akuzoi ish-organizatën ushtarake për trafikim organesh. Por sot, këto dhoma të zhvendosura në Hagë akuzojnë ish-luftëtarët e kësaj ushtrie çlirimtare për krime të shumta, por jo për trafikim organesh. Pra Dhomat e Specializuara nuk bazohen në atë për çfarë ishte dhe akuza kryesore e Dick Marty-it dhe të raportit të tij - trafikimi i organeve njerëzore - që inicoj dhe vet krijimin e tyre. Ky element ushqen sot debate dhe mosbesim mbi mbarvajtjen e misionit dhe vet ekzistencën e dhomave.

Ky dobësim i imazhit të luftës për pavarësi dhe posaçërisht imazhit të Kosovës si shtet, ballë për ballë Serbisë, i sjell dobi kësaj të fundit. Siç thotë Loïc Trégourès me të drejtë, “Sigurisht që ka një padrejtësi në lidhje me mungesën relative të dënimeve të oficerëve serbë”. Ndikimi negativ i Dhomave të Specializuara në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve konfirmohet me faktin që këto të fundit nuk kanë akuzuar ndonjë oficer serb deri më sot.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pohoi në vitin 2017 se “dhomat nuk do të ndjekin penalisht asnjë grup etnik. Ato nuk do të padisin asnjë organizatë. Ato do të ndjekin dhe do të mbajnë përgjegjës vetëm persona individual”. Loïc Trégourès thotë se disa njerëz “ngatërrojnë akuzat individuale me UÇK-në. Kjo është shumë e kuptueshme, por sidoqoftë është jo e vërtetë”. Nëse ky pohim mund të jetë i saktë në disa aspekte, ne duhet të kemi parasysh se kjo lloj ndarje mbetet mjaft e vështirë kur shikojmë se pjesa kryesore e strukturës udhëheqëse të UÇK-së akuzohet. Nëse analizojmë vetëm pak këtë çështje, kjo i bie se e gjithë UÇK-ja mund të jetë e kriminalizuar. Duke pasur parasysh këtë dinamikë të analizës, a mund të themi se këto dhoma akuzojnë vetëm individ dhe jo imazhin e UÇK-së ? Sidomos kur shohim pasojat e këtyre akuzave të cilat ndikojnë në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje dhe dobësojnë Kosovën, e cila vazhdimisht vihet në bankën e të akuzuarve në negociatat me Serbinë. Me këto aktakuza ndaj ish-ushtrisë çlirimtare, Kosova gjendet në fakt në taborrin e palës fajtore. Kur jemi tek aktakuzat e të akuzuarve të lartë përmendur, seanca gjyqësore e radhës do të mbahet në vitet që vijnë. Sipas avokatëve mbrojtës në verën e vitit 2022, ndërsa sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë vitit 2021.

Sa i përket debatit në lidhje me Dhomat e Specializuara, nëse secila nga palët e interesuara gjen argumente që i shkojnë në favor, një e përbashkët mes TPNJ-së dhe Dhomave të Specializuara tërheq vëmendjen : as TPNJ-ja, e as Dhomat e Specializuara, nuk kanë treguar ndonjë efektivitet real në ndjekjen penale të njerëzve që potencialisht kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit ose shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, gjatë luftës në Kosovë. Përballë këtyre fakteve dhe kësaj mungese proporcionaliteti, populli kosovar ka humbur të gjithë besimin në këtë drejtësi tranzicionale të promovuar nga komuniteti ndërkombëtar. Ky problem i efikasitetit gjyqësor, i cili fillimisht u ngrit me TPNJ-në, duket pra se po vazhdon dhe me Dhomat e Specializuara.

Kështu si përfundim mund të thuhet se, mungesa e një paanësie që duken të kenë këto dhoma në punën e tyre gradualisht po godet imazhin dhe trashëgiminë e simbolikës së UÇK-së dhe, si pasojë, tërë imazhin e Kosovës dhe luftës së saj për pavarësi. Konteksti i vështirë në Ballkan dhe nevoja për paqe duhet të jenë një motiv për një punë të paanshme nga ana e Dhomave të Specializuara. Andaj, një trajtim, gjykim, padi ose hetim të palës serbe, në të njëjtën mënyrë që Shqiptarët e Kosovës akuzohen për krime të mundshme të kryera gjatë kësaj periudhe, do ishte një hap drejt një paanësie nga këto dhoma si dhe një shkëndi shprese për një të ardhme më të mirë e stabile për të gjithë rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat