A do ta votojë LDK, Vjosën për presidente?

Opinione

A do ta votojë LDK, Vjosën për presidente?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 23 shkurt 2021 Në ora: 20:22
Vjosa Osmani

Ndonëse procesi i certifikimit të rezultateve po vonohet më shumë se që pritej, ky proces nuk mund të vazhdojë më shumë se edhe muajin mars. Kështu që, i bie që në prill Kosova të bëhet me qeveri të re, besoj edhe me president të ri. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vendi shkon përsëri në zgjedhje.

Në situatën aktuale, partitë opozitare nuk e kanë në favorin e tyre një gjë të tillë, për faktin se nga masa do kryqëzohen si shkaktarë për zgjedhjet e reja. Kjo do i jepte një atu Albinit dhe Vjosës, për të vazhduar t’i mëshojnë edhe më shumë “ klasës së vjetër” që s’po e lë shtetin të merr frymë. Kjo do të përkthehet në vota për VV dhe listën e tyre me Vjosën. Besoj se partitë tjera, sidomos LDK dhe PDK e kanë kuptuar mesazhin e qytetarëve; tani është koha e Albinit dhe Vjosës. Nëse nuk e kanë kuptuar këtë, vetëm sa do të fundosën edhe më shumë, kështu që shkuarja në zgjedhje duhet të shmanget nga dy partitë në fjalë: njëra me u.d të kryetarit, e tjetra me kryetar të dorëhequr.

Lexova diku se Isa ka thënë se LDK s’do rri në Kuvend kur të votohet Vjosa për presidente, s’di sa është ky lajm i vërtetë, mirëpo kjo arrogancë e ka sjellë LDK në këtë gjendje. Për më tepër Isa s’ka pse të përzihet akoma në LDK, derisa ka dhënë dorëheqje, me merakun që i ka ngelur për të qenë vendimmarrës.

Isa, nuk e kapërdin dot se Vjosa i dha fund karrierës së tij politike formalisht, pasi esencialisht kishte mbaruar qysh moti. LDK, në situatën hipotetike, nëse nuk rri në Kuvend kur Vjosa votohet për presidente, e njëjta LDK që Hashimin e bëri kryetar, jam i bindur se shkuarja në zgjedhje do e fundos përfundimisht. Jam i bindur se as pragun s’do e kalonte dot.

Vjosa do të jetë presidente, dhe ky është fakt që do të ndodhë, sa më shumë tentojnë ta ndalojnë, aq më shumë do të rritet. E kam theksuar disa herë dhe prapë po e them, LDK sa më shumë godet Vjosën ajo vetëm rritet, andaj duhet të ndryshojnë strategjinë, ose do të prekin fundin.

Deputetët e ardhshëm të LDK-së duhet të dëgjojnë zërin e arsyes, të votojnë Vjosën, ajo është e ardhmja, Isa i takon të shkuarës. Mos lejoni tu marrë me vete, njeriu i dështuar, të cilit populli ia dha ndëshkimin që meritonte.

Nëse e kanë votuar Hashimin, si mos ta votojnë Vjosën, ky do të ishte një turp që kurrë s’do largohet, për më tepër vetëm sa do ta largonte Vjosën nga partia, të cilës edhe i takon. Vjosa duhet, dhe do të kthehet në LDK një ditë, ata që mundohen ta pengojnë, ata që mundohen ta godasin Vjosën e godasin veten, këtë gjë e ka provuar më së miri Isa. Andaj, ju të tjerët merrni mësim, mos bëni gabimin e njëjtë, ose do të pësoni të njëjtin fat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat