Zoti Lajçak, n’a zhgënjeve deri në dëshprim e mosbesim

Opinione

Zoti Lajçak, n’a zhgënjeve deri në dëshprim e mosbesim

Ramazan Bekteshi Nga Ramazan Bekteshi Më 28 shkurt 2021 Në ora: 08:32
Miroslav Lajçak

Z. Lajçak, kur sytë e popullit tim janë fokusuar te ju dhe Evropa, ju zotëri, n’a dëshpëruat fort me hartat që shërbeheni, ju n’a kthyet në kohë okupimi, harta që n’a kujtojnë vuajtjet tona kolektive, harta inkuizicioni, harta të prekura me gjenocidi e dëbime biblike, harta të mohimit të ekzistencës së shtetit, nga ju dhe fqinji ynë, që për një shekull shkaktoi shumë tragjedi dhe këtë të fundit, me të madhen pas Luftës së II-të Botërore.

Kur shpresat e popullit tim filluan të mbështeten mbi supet tuaja dhe Evropës, ju n’a zhgënjyet fort me hartat tua arkaike, me hartat e lara me gjak për një shekull, të vendosura pas shpinës suaj, nga ju apo një burokrati tjetër, që Evropën e duan të lire vetëm për disa shtete, derisa neutrale vetëm për vendin tim, duke e shndërruar atë në një burg kolektiv të vetmin në oborr të Evropës.

Kur zemëratë e popullit tim të lënduar rrahin fort me aritmi pas netëve, viteve e dekadave të stërzgjatura të agonisë dhe vuajtjes, ju zotni, dhe shteti juaj që i keni shërbyer si kryeministër i mohoni kufijtë e shtetit tim të pavarur, derisa Evropa që ju e përfaqësoni ka qëndrim neutral, për shkak të marrëzisë së pesë shteteve që s’e njohën vendin tim, për shkak të marrëzisë së vetë Evropës që e peshon veten sa pesë vendet që e frenojnë njohjen e pavarësisë.

Z. Lajçak, ëndrrat e pafund të popullit tim, më të riut në Evropë, janë kthyer në një ankth nga ju dhe Evropa, sepse, ju dhe Evropa plakë sikur me sy indolentë e shikoni njëlloj viktimën dhe agresorin, duke bërë eksperimente për ndarje me Mogherini-n dhe me një vizion të mjegulluar tuajin dhe te BE-së për një vendim të drejtë final.

Tani, dashuria e popullit tim është shndërruar në një ankth kolektiv pershkak jush, dhe BE-së, dhe politikanëve tanë super të korruptuar, që para syve të Misioni Evropian vepruan turpshëm, dhe ju as pas një dekade dështimesh nuk jeni në gjendje të bëni ndryshimin. Si mund t’ju besojmë juve, bosit tuaj dhe BE-së, me këtë qëndrim patetik e pa vizion për të zgjidhur problemin shqiptaro-serb, që e zgjodhi presidenti Ahtisari, por e komplikuat ju me BE-në, z. Lajçak.

Populli im, moti e ka çrrënjos mendësinë kolonialiste, por jo dhe disa liderë evropian. Ishte BE-ja, që e shtiu Thaçin të pranoj Dhomat Speciale pa kusht, ishte BE-ja që i mashtroi politikanët tanë për Çakorrin në këmbim të vizave, BE-ja e hëngër premtimin, dhe Kosova mbeti as pa liberalizim të vizave as pa tokë të falur padrejtësisht.

Z. Lajçak, derisa ju nuk e kritikoni Vuçiqin, kur ai lëvdon kryekriminelin Millosheviq me fjalët: “Millosheviqi ishte një lider i madh serb qëllimet e të cilit ishin për më të mirën…”, e tha këtë në Mitrovicë, derisa Daçiq thotë: “Se Serbia do te vazhdoje me çnjohje edhe pas marrëveshjes së DC-së. Ju heshtët, por i kërkuat Kosovës të ndërrojë kushtetutën e saj.

Ju, z. Lajçak kërkoni që Kosova të bëjë lëshime mbi sovranitetin e saj, qoftë përmes “Zajednicës” apo resurseve të saj natyrore, ju po ashtu kërkoni një qeveri që do ti kënaqte dëshirat e Vuçiqit, por ndodhi e kundërta. Para jush nuk do të keni më kukulla vasalë si Thaçi, Hoti, e Hyseni, dhe për këtë ishte hidhëruar edhe Moska.

Ju, nuk mund ta amnistoni Serbinë që shkaktoi krime makabër, derisa në Kosovë u vranë 1500 fëmijë, 5% më shumë se në Luftën e Dytë Botërore, u dhunuan rreth 20.000 femra, u dogjën e u plaçkiten fshatra e qytete, trupa të viktimave u dogjën nëpër furra të fabrikave, frigoriferë me trupa viktimash përfunduan në Serbi për fshehje krimi, dhe u krijuan varre masive rreth-e-rrotull Beogradit me të pagjeturit që mbeten një plage e pashëruar edhe pas 22 vitesh.

Z. Lajçak, pajtimi nuk bëhet duke e shpërblyer agresorin, por kur ai detyrohet të kërkoj falje për krime të tmerrshme ndaj njerezimit, të paguaj dëmet e luftës, të tregoj ku fshihen varrezat masive të të pagjeturve, dhe të dalin para gjyqit ndërkombëtar kriminelët e shumtë që i shpërbleu dhe i ruan Vuçiqi. Kosova e bëri kompromisin e madh me planin e presidentit Ahtisari, derisa Serbia si agresore duhet të marr dënimin e merituar.

Z. Lajçak, tani kemi një moment të ri në Kosovë, triumfi i madh i LVV dhe Listës Vjosa, me një vote plebishitare që theu rekordin e vendit, dhe që i ngjante një revolucioni paqësor për të mbrojtur dinjitetin qytetar, dhe sovranitetin e shtetit eshte nje realitet i ri.

Fitorja, e bazuar në platformën anti-korrupcion, ringjallje ekonomike, mirëqenie sociale, drejtësi sociale, vende pune, sikur i ka dhënë oksigjen qytetarit të ngulfatur dhe të dëshpëruar me dekada. Tani, prit të ballafaqohesh, me njerëz që kanë dinjitet, nëse do të mbetesh aty. S’e di me ju dhe Vuçiqin që kërcënon se asnjëherë s’do ta njeh Kosovën, a ia vlen të vazhdohet dialogu, apo duhet pritur të ikni të dy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat