Mbi varrezën masive të kufomave shqiptare është ndërtuar godina e xhandamerisë serbe

Opinione

Mbi varrezën masive të kufomave shqiptare është ndërtuar godina e xhandamerisë serbe

Nga: Xhavit Çitaku Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 12:40
Xhavit Çitaku

Në një videooincizim që po qarkullon edhe në rrjetët sociale, Jovan Goluboviq, ish- pjesëtar i Njësive të Veçanta të policisë serbe, në fillim të këtij muaji në një intervistë për një kanal televiziv serb shpalos detaje të hidhura e të tmerrshme për krimet e bëra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë nga forcat paramilitare të policisë dhe ushtrisë sebe. Në fillim ai prezentohet se është kryetar i degës së Partisë Republikane në Vlasotince, ndërsa më pas tregon se çfarë ishin Njësitë e Veçanta të Policisë serbe. Sipas tij, këto Njësi ç’është e vërteta ishin formacione paraushtarake, sepse të gjitha përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e nevojshme kryheshin në kazerma ushtarake, ndërsa ishin të komanduara direkt nga Goran Radosavleviq- Legia. Se ishin formacione parashtarake, ai këtë e argumenton me faktin se si njësi policore edhe në bazë të konventave ndërkombëtare nuk kanë pasur të drejtë të përdornin armatim të kalibrave të mëdhenjë dhe mjete të rënda transportuese, të cilën gjë e bënin, por duke u fshehur nën uniformën ushtarake me ngjyrë të gjelbërt. Këto njësi të veçanta ishin formuar në vitin 1993, ndërsa ideator për këtë ishte Milosheviqi dhe se formimi i njësiteve vrastare ishte tepër sekret shtetëror.

Ardhja e këtyre njësiteve në Kosovë kishte për qëllim frikësimin e popullatës

Ky polic serb, që kishte udhëhequr një Çetë të këtyre njësive, rrëfen më tej se për herë të parë njësitë e veçanta policore në Prishtinë kishin ardhur në vitin 1995 në Kazermën Ushtarake. Qëllimi iardhjes në Kosovë ishte trajnimi i një numri të caktuar policësh për të vepruar në rast të ashpërsimit të situatës, e cila ishte në pikën kritike. Mirëpo, shkas i vërtetë i pranisë së tyre ishte frikësimi i popullatës. Kjo bëhej me daljen me mjete motorike ushtarake, tanke e automjete tjera të blinduara në qendër të Prishtinës, disa herë me radh, pastaj marshuta e kësaj makinerie vrastare në drejtim të Pejës e Deçanit. Po ashtu, pjesëtarët e kësaj njësiie kryen bastisje të shumta, siç thotë ai, kinse për t’i arrestuar “ terroristët” shqiptar. Në ato raste u ushtrua represion i paparë, burgosje e dënime të shqiptarëve pa asnjë fakt se kanë bërë ndonjë vepër. Kështu ishte vepruar në gjashtë muajt e qendrimt të këtij polici me njësitë e veçanta në Kosovë. Trajnimi i policëve serb bëhej në Gazimestan, që njëherit ishte poligon ushtarak serb.

Ishte urdhëruar që nga Prekazi nuk bënë të dalë askush i gjallë

Goluboviq rrëfen edhe për vrasjen e familjes të Komandantit legjendar, Adem Jashari, në të cilën morën pjesë këto njësi e më pas edhe Njësia Elite profesionale e policisë serbe. Aq ishte i përgatitur aksioni kundër kësaj familjeje sa që në perimetrin prej 10 kilometra gjithçka ishte bllokar dhe asgjë nuk lejohej të lëvizte. Urdhëri ishte i prerë se askush i gjallë nga Prekazi nuk mund të dalë. Fillimin e luftës së përgjakur e kishte provokuar policia me krisma pushkësh, edhe pse zyrtarisht thuhej se këtë e bënë familja Jashari. Ky polic serb e pranon se lufta ishte e ashpër që zgjati dy ditë, derisa u vranë të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari dhe gra, fëmijë e pleq të lagjës Jashari dhe të mysafirëve që kishin qëlluar atë ditë të kobshme. Adem Jasharin e konsideron se ishte i përgatitur ushtarakisht dhe njohës të taktikës në rrethanat e luftës mbrojtëse dhe të sulmit. U vranë gra, fëmijë e pleq për shkak ushtrimit të dhunës së tepruar ushtarake e policore, e cila nuk arsyetohej as nga Bashkësia Ndërkombëtare. Ai tregon edhe rastin kur komandanti i tij ia kap pushkën nga dora dhe për të treguar përkushtimin e tij në zbatimin e urdhërave të Kryekomandantit Radosavleviq, e vret një plak që kishte një shkop në dorë. Urdhëri për të mos dalë askush i gjallë u realizua me përpikëri dhe pos kësaj të gjitha shtëpive të Prekazit të Poshtëm iu vu zjarri. Ai tregon edhe krimin e dytë që bënë këta terrorist serb me kufomat, të cilat njëherë i varrosin në një varrezë masive e më pas i zhvarrosin nga frika e gazetarëve të huaj. Nuk mbaroi vetëm me kaq. Barbaria serbe vazhdoi edhe me plaqkitjen e shtëpive të këtij fshati duke grabitur ari, marka gjermane, traktorë, vetura e aparate tjera të amviserisë. Është rrëqthës ngjarja tjetër kur duke i grumbulluar në një kamion kufomat, një policë e vërën të një plak një orë të mirë xhepi dhe i thotë Goluboviqit: sa e mirë qenka, dhe e fut në xhep të tij. Kjo s’do koment. Pas këtij aksioni terrorist, këto njësi vazhduan rrugën për në rajonin e Dukagjinit, duke ushtruar terror mbi popullaten e pafajshme shqiptare. Për gjithë këtë terrorizem të ushtruar nga këto Njësi, ky polic fajëson Milosheviqin, Komandantin e Njësive të Veçanta Radosavleviq, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Shefin e Intelegjencës serbe, të cilët, ata që janë gjallë, duhet të përgjigjen penalisht pranë Tribunalit të Hagës. Si mud të shpjegohet edhe çmenduria tjetër e barbarisë serbe kur me një top të kalibrit të madh goditet traktori përplot me gra e fëmijë shqiptar dhe për këtë kënaqen shpritërat e ligë serb të uritur për gjakun shqiptar. Për të gjita këto tmerre që kanë bërë pjesëtarët e këtyre njësiteve paraushtarake, rrëfyesi i këtyre ngjarjeve thekson se janë lajmëruar kmandanti përgjegjës, mirëpo përgjigja e tyre ishte se secili do të përgjigjet për atë çka ka bërë, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Daqiçi dhe Vuçiqi e dinë se kush i pushkatoi vëllezërit Bytyqi

Jovan Golubovq jep versionin e tij për vrasjen e tre shqiptaro- amerikanëve të kapur nga xhandarmëria serbe. Në fillim, thotë ai, ishte marrë vendim që atyre t’iu ndihmohet për të udhëtuar për në SHBA. Ishin vendosur në një kazermë ushtarake në jug të Serbisë dhe në vend që të transportohen në destinacionin e duhur, një grup paramilitaresh i marrin dhe i pushkatojnë vëllezërit Bytyqi. Përgjegjës për këtë është Dragolub Stankoviq, babai i të cilit është mik i madhi i Daqiçit dhe Vuqiçit. Për këtë arsye është heshtur dhe nuk dëshirojnë të hetohet ky rast serizisht. Aryeja tjetër është se përgjegjësi duhet të merr edhe vetë Daqiçi, por edhe Vuqiçi. Sa i përket bartjes së kufomave shqiptare të vrarë nga soldateska serbe për në territorin e Serbisë, polici serb e vërteton këtë fakt dhe pohon se në një kamion- frigorifer kanë qenë 42 veta nga mosha dy vjeçare deri në atë mbi 70. Në fillim ishte planifikiuar që për të humb gjurmët e krimit, këto kufoma duhet të futën në ndonjë furrë për t’i djegur, mirëpo më vonë ata i varrosen në përiferi të Surdulicës. Për këtë varrëz ishte i njohtuar edhe Tribunali i Hagës, të cilët kishin dërguar një ekip që kishte bërë disa foto dhe më pas nuk është ndërmarrë asnjë hap për nxjerrjen e atyre kufomave dhe kthimin e tyre në Kosovë. Që e keqja të jetë edhe më e madhe autoritet e policisë serbe për t’iu shmangur groposjes eventuale të atij vendi ku ishte varrëza me trupa të vrarë shqiptarësh ndërtuan godinën e re të policisë së Surdulicës.

Pse është gënjyer e akoma po gënjet se Serbia nuk mori pjesë në luftërat e përgjakshme në ish- Jugosllavi

Duke filluar nga Milosheviqi, Koshtunica, Tadiqi e së fundi edhe Vuqiçi, kryetar të Serbisë, gjithnjë kanë thënë se Serbia nuk ka marrë pjesë në luftërat e përgjakshme në ish- Jugosllavi. Ndërkaq, e vërteta është krejt ndryshe, e vërteta është tronditëse, e tmerrshme. Forcat paramilitare, policore, e grupe tjera radikale serbe jo vetëm që kanë marrë pjesë aktive në këto luftëra, por kanë bërë gjenocidë mbi popullin e pafajshëm kroat, boshnjak e shqiptar. Polici serb Goluboviq me njësitë e veçanta të policisë serbe kishte marrë pjesë në luftën e zhvilluar në Bosnje e Hercegovinë. Ai tregon edhe momentin kur ishin tubuar në rrafshnalten Tara afër kufirit me Bosnjen rreth 250 pjesëtar të njësive të veçanta të policisë serbe dhe para se të fueshin ilegalisht në territorin e këtij vendi fqinjë kishte ardhur urdhëri që të gjitha shenjat e uniformës policore të hiqen si dhe tabelat e automjeteve me të cilat identifikohej se ishin serbe. Më pas kishin hyrë ilegalisht dhe kishin zbatuar urdhërat që vinin nga kreu shtetëror serb. Ai permend rastin e Srebernicës, ndarjen e burrave nga gratë e fëmijët dhe pushkatimin e tyre në masë. Kudo që hasnin meshkuj boshnjak ata vriteshn pa kurrfarë paralajmërimi. Krime të rënda u bënë atje, pohon polici serb. Me një fjalë, aty u bë spastrim etnik i paparë. Për të gjitha ngjarjet që ndodhnin në rajonin ku ishte edhe Goluboviqi, i raportohej kriminelit Arkan. Pjesëmarrës në luftën e Bosnje Hercegovinës dhe në Kroaci ishte edhe edhe Aleksandër Vuqiç. Këtë fakt të pamohueshëm e vërteton edhe Goluboviq, i cili e kishte parë në vendin e quajtur Nemet afër Osjekut, Kroaci, bile me pistolet në brez. Ka në dispozicion foto. Edhe për Daqiçin thotë se ka parë në llogoret e lufts. Thënë shkurt, në luftën e Bosnjes dhe në Kroaci kanë marrë pjesë njësitet elite të policisë dhe ushtrisë serbe që kanë bërë krimet më të rënda kundër njerëzimit.

Jovan Goluboviq është dëshmitar i mbrojtur i Gjykatës speciale për krime të luftës të Serbisë, i cili ka depunuar material të shumtë për krimet që kanë bërë pjesëtarët e policisë e ushtrisë serbe si dhe paramilitarë, por që askush deri me tash nuk është dënuar apo arrestuar për krimet që kanë bërë. Ai permend vetëm një rast kur është arrestuar Nenad Stoikoviq për vrasjen e plakut në Prekaz si dhe për shumë krime tjera që ka kryer sidomos në Bosnje, por që i njëjti pas 90 ditëve është liruar. Bile ai është avansuar në policinë serbe pasi që është emëruar Kryeshef i Xhandarmerisë në Leskofc. Përgjëgjësi për të gjitha krimet që janë bërë në ish- Jugosllavi sipas Golubovoqit duhet të japin sidomos Vuqiçi e Daqiçi.

Dhe krejt në fund: Një fjalë populore thotë se trupi i njeriut mund të humb, por gjaku kurrë. Dalëngadalë, vetë ata që kryen krimet, vetë po i zbulojnë. Disave gjaku ua shkund i ndërgjegjën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat