Krejt dhe Drejt- në bashkëpunim me miqtë..!

Opinione

Krejt dhe Drejt- në bashkëpunim me miqtë..!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 23:08
Zejnullah Jakupi

Sokrati ishte një filozof grek i cili jetoi në shekullin V para Krishtit, në Athinë, idetë e të cilit dhe mënyra e mësimdhënies për rritjen e njohurive të dialogut të lojërave me pyetje dhe përgjigje (Maeutics) në sheshet publike të Athinës kishin një ndikim të qëndrueshëm në filozofinë perëndimore. Ai nuk fitonte asgjë, por e bënte këtë për t´i mësuar të tjerët. Madje sipas Jacques Lacan, oratori, pra, edhe këshilla ime ka këtë synim, mësimin, të flas, të tregoj zgjidhjet. Por sa kemi mundësi të na marrin këto ekspertiza me vlerësim pozitiv, është pyetje tjetër.

E lus Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin t´i lexojnë këto rreshta të ekspertizës në stilin e lirë dhe dashmirëse. Sinqerishtë e kam! Ta dini se Rusisë po i pengon fitorja e LVV-së ku bënë pjesë edhe Vjosa Osmani me Listën e saj, ajo është kundër dy fituesëve të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

Vetëm ata që nuk dijnë ose nuk dëshirojnë të ecet Drejt mund të thonë se pas fitores së LVV mund të paraqiten sfida dhe potencialisht edhe vështirësi të reja. Për çdo vështirësi ka zgjidhje.

LVV ka tanimë mjaft përvojë që të mund t´i shmang presionet dhe kompromiset e ndryshme. Albin Kurti nuk ka asnjë faji pse ish-qeveritë e deri tanishme kishin miratuar demarkacionin me Malin e Zi. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk duhet të bien pre e asnjë presioni i ardhur nga Turqia e Erdoganit, ndërsa propozimi i ardhur nga Netanjahut në anën tjetër duhet të mirëpritet dhe pa asnjë dyshim, në kordinim me SHBA-në dhe Izraelin të vendoset, siç është miratur në marrëveshjen në Uashington, të jepet PO-ja për vendosjen e selisë së ambasadës në Jerusalem. Aq sa janë këto dy sfida të vështira, ato janë gjithashtu edhe shanse për një fillim të mbarë, prej nga Albini dhe Vjosa do të dalin fitues.

Gjithashtu, siç kam shkruar edhe më parë, LVV duhet të jetë e gatshme për bisedime me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje dosido, brenda dy apo tre viteve të ardhshme. Nuk ka asnjë mundësi që gjërat të rrjedhin më keq, seç ishin deri më tani. Si negociatorë në këto bisedime me Serbinë duhet të jetë një ekip ku do përfshihen ekspertë të shumtë; si Azem Vllasi, Veton Surroi, profesor të Drejtës Ndërkombëtare, mes tyre edhe ata ndërkombëtar. Kur je i përgatitur si ekip nuk ka mundësi të na paraqitet asnjë rreziku nga i cili mund të rezultojë një marrëveshje më e keqe, ndonjë devijim, siç kishte ndodhur në të kaluarën nga viti 2011.

Gjithashtu Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë zotuar se do ta përdorin një fshesë për t´i pastruar parazitët në institucione dhe kuadrot që vetëm po i trashin ndryshkun jofunksionalitetit dhe po e dobësojnë shtetin ligjor. Vetëm kur shteti e lufton korrupsionin, strukturat e saja jo-funksionalitetin, ka pastaj mundësi ta mbrojë shtetin të mos dëmtohet, deri në kufijtë e shndërrimit të tij në shtet disfunksional.

Gjithashtu, me sa po shihet, qeveria e re e Kosovës nuk do ketë probleme as fërkime me Edi Rama, siç paraqitet, sepse sipas parashikimeve Edi Rama do i humb zgjedhjet, kjo tashmë duket në horizont. Lojërat e Edi Ramës dhe humbja e tij do rikonfirmohet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, prandaj nuk kemi nevojë fare të hyjmë në një proces të gjatë rivalitetesh ndërmjet Ramës e Kurtit, mes shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Sidoqoftë, në asnjë rast, në asnjë instancë, nuk do të duhet të dëmtohen raportet ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.

Me bashkëpunimin e ngushtë mes SHBA-ve dhe Izraelit, Kosova dhe Shqipëria bëhen faktorë kryesor për ta luftuar ekstremizmin fetar kudo që ai na paraqitet në trojet shqiptare. Armiqët e LVV dhe Listës së Vjosa Osmanit do të mundohen të krijojnë armiqësi dhe do i nxisin grupe ose individë të infiltruara në LVV, për të kundërshtuar politikën e LVV-së pro perëndimit, por kjo nuk do të ketë suksese.

Jo vetëm në luftimin e ekstremit fetar, por edhe në rrafshin politik karshi Serbisë, qeveria e re, në konsultime të ngushta me SHBA-në, por edhe shërbimin inteligjent të vendit duhet të jenë sy qelë që të analizojnë ´sulmet´ e mundshme simbolike joformale të cilat mund të inicohen për të destabilizuar Kosovën duke inicuar protesta dhe tensionime në Veri të Kosovës.

Pra, rruga e vetme është krijimi i besmit dhe bashkëpunimit me partnerë të besueshëm siç janë SHBA dhe Izraeli. Ky i fundit, tanimë pas njohjes së Republikës së Kosovës, do e bëjë lobin e fortë tek shtetet për të njohur Kosovën, sepse Izraeli e ka këtë fuqi dhe autoritet. Shteti i Kosovës duhet ta ruajë ekujlibrin, ta mbrojë rendin simbolik politik me shtetet që sot udhëheqin rendin botëror.

Dhe përfund do themi; bazuar në teorinë e Jacques Lacan, filozofit francez, mos përkrahja e rendit simbolik do të thotë gjithmonë se edhe ana tjetër nuk të merrë seriozisht dhe ne si shtet do mbesim pa përkrahje. Prandaj, nuk duhet të humbet kjo mundësi. Bashkëpunimi me SHBA-në dhe Izraelin janë kushti i ekzistencës sonë. Kjo ideologji dhe idealizim nuk mund të mohohen; nëse do të kishim refuzuar, do të ishim shfaqur si humbës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat