Skllevërit më të lumtur janë armiqtë më të hidhur të lirisë

Opinione

Skllevërit më të lumtur janë armiqtë më të hidhur të lirisë

Nga: Aurel Dasareti Më: 1 mars 2021 Në ora: 07:11
Aurel Dasareti

Heronjtë që vdiqën duke mbrojtur ëndrrat e miliona bashkatdhetarëve të tyre do të jenë gjithmonë ylli ynë udhëzues.

**

Njeriu është produkt i atyre që kanë ushtruar ndikim mbi të. Prindërit e mi, secili më mënyrën e vet, kanë ushtruar një ndikim të thellë mbi mua dhe idetë e mia. Ata janë dhe mbeten të shtrenjtë për mua, prandaj qysh në vogëli secilit prej tyre i thosha: “Të dua deri përtej yjeve”. Nga ata kam mësuar si të trajtoj botën dhe si t`i bëjë analizë vetes. Dhe, kuptohet, të interesohem me shpirt për rrënjët e mia të prejardhjes dhe fatin e të tjerëve.

Prindërit e mi kanë një marrëdhënie shumë të veçantë me Shqipërinë edhe pse janë lindur në Amerikë e Australi. Lidhja e fortë, dashuria që kanë mamaja dhe babai për Shqipërinë (gjithë trojet) u janë transferuar fëmijëve të tyre: mua, vëllait dhe motrës. Ata na mësuan ta duam atdheun e gjyshërve tanë. “Duaje Shqipërinë me gjithë zemrën tënde”, na thonë vazhdimisht.

**

Jam i mahnitur me bukurinë e Shqipërisë. Me pemën e lulen dhe përruan e lumin, me bregdetin, ujin e kaltër kristal të plazheve dhe pamjet e maleve, me horizontet. Kam përjetuar bukurinë që këndon brenda meje, kam arritur një lidhje me krijuesin dhe një jetë që më gjunjëzoi për respekt, çudi dhe mirënjohje që gjenetikisht jam shqiptar. Vendi im (dhe i juaji) është një nga vendet më të mira në botë për të jetuar. Është pothuajse perfekt. Por jo krejt. Duhet pastruar nga bërllok.

Po tani, çka do të ndodhë me ty Shqipëri me trupin tënd të amputuar? Në cilën botë të çmendur të kanë shtyrë të degjeneruarit, hajnat, tradhtarët dhe gazetarët, priftërinjtë e hoxhallarët, dobiçët kriminelët dhe budallenjtë? A ka mbaruar koha e mosrespektimit për shtetin, dhe poshtëruesit e tij të pabesë e hipokritë?

Gjysma e popullsisë është rinia. Gjysma e popullsisë është e papunë. Dhe gjysma e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Gjysma e popullsisë kanë braktisur vendin. Emigracioni i paligjshëm nga i gjithë rruzulli tokësor zë vendin e tyre dhe së shpejti do ta ndryshoje tërësisht demografinë ashtu që shqiptarët do të bëhen minoritet në vendin e vet, ndërkaq nataliteti shkon duke u zvogëluar. Do të shuhemi si komb e vend nëse nuk do të bëjmë ndryshime të menjëhershme. Jeta nuk ka telekomandë, duhet të ngrihesh dhe ta ndryshosh vetë! Asgjë e rëndësishme nuk ndodh para se të prishet një model. Kush dëshiron të realizojë ëndrrat e tij duhet së pari të zgjohet prej tyre.

**

Liria është shumë më e rëndësishme sesa një lojë futbolli. Dinjiteti dhe të drejtat e njeriut janë shumë më të rëndësishme sesa Kupa e Botës. Ne duhet të kërkojmë të drejtën tonë. Kjo është arsyeja pse të gjithë duhet të bashkohemi dhe të luftojmë për vendin. Shqipëria është plot me probleme, dhe qëllimi ynë nuk duhet të jetë t'i bëjmë ato më të mëdha. Problemi kryesor është se qeveria dhe kryeministri që e ka kapur shtetin, nuk dëgjojnë njerëzit e tyre. Praktika e tyre është që "Kryeministri jep urdhra dhe të gjithë tjerët duhet t`u binden". Ata që kundërshtojnë, arrestohen, rrihen dhe poshtërohen, përveç nëse zëri i tyre nuk ka asnjë forcë ndikimi të vërtetë. Atëherë ata mund të vijnë me sa më shumë kundërshtime siç dëshirojnë. Këto janë të njëjtat metoda siç bënte dikur ai diktatori i ndjerë. Të ligtë nuk presin që njerëzit ta marrin çështjen në duart e tyre, ose numri i qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre të rritet. Por nëse ne bëhemi aktiv, në fund të fundit ai patjetër të ik si një kriminel i zakonshëm.

Problemi ynë më i madh në Shqipëri është, për ironi, që ne i shohim vetëm problemet tona. Ne nuk e kuptojmë që megjithëse problemet tona mund të jenë të ndryshme, simptomat janë të njëjta dhe shkaqet janë të njëjta. Ne kemi ndalur (përfunduar) dhembshurinë për të varfrit. Sa prej nesh kanë menduar se si është e mundur të mbijetosh një muaj të plotë në një çek prej 500 lekësh? Ne e injorojmë këtë realitet dhe e çregjistrojmë atë si të parëndësishme për veten tonë. Çfarë ndodh me një person të tillë? Ai ose ajo do të vjedhë, do të pranojë ryshfet dhe do të jetë i hapur për korrupsion. Ose do të largohet nga vendi, braktis atdheun. Ky person mund të ndikojë tek ju drejtpërdrejt sepse ai është drejtuesi i një organi publik, ai i mëson fëmijët tuaj, është mjeku juaj etj. Dhe nëse ky person vendos të jetë një qytetar i ndershëm që nuk pranon ryshfet do të përfundojë me një standard jetese të ulët çnjerëzore, do të humbasë të gjitha ndjenjat e përkatësisë dhe atdhetarisë dhe do t'i transmetojë këto ndjenja te fëmijët e tyre. Dhe këtu janë ngritur thëniet e të varfërve: "Ky nuk është vendi ynë, është i tyre!" - ("i tyre", atëherë i referohet regjimit dhe njerëzve të biznesit përreth tyre).

Traditat dhe kultura jonë e lashtë pellazge/ilire sërish duhet të na nxiti të kujdesemi për të tjerët përreth nesh. Problemet në një shoqëri janë shumë më të rrezikshme sesa problemet e një personi të vetëm. Ne jemi të gjithë në të njëjtën barkë, dhe nëse lejojmë që dikush të shpojë vrima në të, e gjithë anija do të fundoset përfundimisht dhe askush nga ne nuk do të mbijetojë.

Qeveria ka kohë që ka një traditë t`u tregojë gënjeshtra njerëzve përmes mediave kukull të kontrolluara nga kapsit e shtetit. Megjithatë, njerëzit kanë marrë informacion të mirë nga mediat e pakta të pavarura dhe me të vërtetë kanë filluar të shohin dhe dëgjojnë për problemet e vendit në një masë të vërtetë.

Reagimet e autoriteteve deri tani ishin gjithnjë ose të dobëta ose qesharake. Njerëzit humbën besimin në qeveri dhe qeveria mendoi se për shkak se populli nuk thotë asgjë, ata janë të kënaqur, ose se nuk ka asnjë problem para se njerëzit të ndërmarrin veprime. Për mbështetësit e ekipeve të futbollit: Nëse veni bast po aq sa bëni kur është një lojë futbolli, mund ta ndihmoni Shqipërinë (Kosovën, FYROM-in, të gjitha trojet) për ndryshime pozitive. Ne të gjithë jemi mbështetës të Shqipërisë. Prandaj, le të takohemi për të treguar mbështetjen tonë kur Atdheu Thërret. Përdorni shpirtin tuaj luftarak për më të mirën e Shqipërisë.

Shqiptarë, mos e lini vendin. Mos u dorëzohuni. Shpëtojeni Shqipërinë (gjithë trojet) nga shitja dhe shkatërrimi i sigurt.

Shqipëria ka miliona të varfër dhe të papunë. Nëse të gjithë bashkohen, askush nuk mund të na ndalojë. Dhe nëse përdorim strategjinë e duhur, gjithashtu edhe mbrojtësit e rendit do të jenë në anën tonë.

Shqiptarë, tani kur gjendemi para shpërbërjes si Komb dhe Vend, nuk duhet të humbim kohë duke fajësuar njëri-tjetrin se çfarë gabimesh kemi bërë, por si të riktheheni në rrugën e duhur.

Dhe, kush ka thënë se pikërisht këta insekte të kalbura (servilë të pushtuesve) që sundojnë mbi shqiptarët këto 20-30 vitet e fundit, kanë ardhur në botë për të na dhënë lumturi dhe dritën e diellit në udhëtim? Pse i hyjnizoni? Ata janë shërbëtorët e juaj. Ti nuk mund të fillosh kapitullin tjetër të jetës tënde ndërsa ende je duke lexuar atë të mëparshmin.

Miqtë e mirë janë si dritat e shtyllave elektrike gjatë rrugës së errët. Ato nuk e bëjnë distancën më të shkurtër, por e bëjnë më të lehtë ecjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat