Rrënimi dhe rimëkëmbja e Universitetit të Prishtinës

Opinione

Rrënimi dhe rimëkëmbja e Universitetit të Prishtinës

Nga: Musa Limani Më: 1 mars 2021 Në ora: 13:28
Musa Limani

1. Suspendimi i autonomisë së Kosovës dhe rrënimi i Universitetit të Prishtinës

Shikuar historikisht arsimi në gjuhën shqipe u pengua nga të gjithë okupatorët, duke filluar nga Perandoria Osmane e deri në dekadat e fundit të shekullit XX. Andaj, në themelet e zhvillimit të arsimit shqip, gjendet gjaku shqiptar i nxënësve, profesorëve dhe intelektualëve që angazhoheshin dhe luftonin për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e arsimit.

Më 15 shkurt 1970 u themelua Universiteti i Kosovës, më vonë u emërtua në Universitetin e Prishtinës. Themelimi i Universitetit paraqet një ngjarje të madhe për shqiptarët, veçmas të atyre që mbetën jashtë shtetit administrativ të Shqipërisë Londoneze, si dhe me rëndësi të veçantë në historinë e zhvillimit të arsimit të lartë dhe superior në gjuhën shqipe. Universitetin e Prishtinës e themeloi Kuvendi i KSA të Kosovës, i cili, më 18 nëntor 1969 nxori Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, me cilësi të personit juridik. Themelimi i Universitetit të Prishtinës, u bë vatër e arsimit të lartë dhe superior, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët që gjendeshin në republikat e tjera të ish Jugosllavisë, si; të shqiptarëve në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Me fjalë të tjera, nëpërmjet Universitetit të Prishtinës u identifikua populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve tjera etnike shqiptare në ish Jugosllavi. Të gjitha kuadrot në këto troje me arsim të lartë e superior, dolën nga gjiri i Universitetit të Prishtinës. Në këtë mënyrë, Universiteti i Prishtinës, u bë vatër dhe faktor kryesor i përgatitjes së kuadrove të të gjitha profileve, të cilët u bënë bartësit kryesor të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare.

S’ka dyshim se Universiteti i Prishtinës u bë simbol i arsimit të lartë dhe superior, simbol i identitetit kombëtar dhe lirisht mund te themi u bë Panteon i popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve tjera etnike ku jetonin shqiptarët në ish Jugosllavi. Mirëpo, shndërrimi i Universitetit të Prishtinës në një qendër të fuqishme arsimore, shkencore e kulturore, e pengonte Serbinë dhe elementin antishqiptar në ish Jugosllavi. Për ta Universiteti paraqite një bombë atomike, duke potencuar se “vetëm shqiptari analfabet është shqiptar i mirë”. Kjo urrejtje patetike dhe qëndrim antishqiptar, u shpreh në mënyrë institucionale nga ana e hegjemonizmit serb, pas demonstratave, përkatësisht “Pranverës Studentore” të vitit 1981, të cilat ia luajtën themelet ish Jugosllavisë, një krijese artificiale të formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Demonstratat e studentëve vazhduan dhe ishin edhe më të fuqishme në vitet 1988 dhe 1989, duke kërkuar demokraci, liri dhe republikë. Nën presionin e Serbisë të gjitha këto demonstrata u vlerësuan, si armiqësore, kundërrevolucionare dhe kundër sistemit Jugosllav. Pas kësaj filloi ndjekja e studentëve, profesorëve dhe diferencimi i intelektualëve shqiptar. Në periudhën 1981-1990, nga pushteti ushtarako-policor i ish Jugosllavisë u vranë mbi 100 shqiptar në Kosovë, u plagosën me qindra të tjerë dhe u ftuan në trajtim policor mbi 600 mijë shqiptarë. Në periudhën prill-maj të vitit 1990, nga ana e Serbisë u organizua helmimi i mbi 7 mijë nxënësve të shkollave të mesme në Prishtinë, Podujevë e gjetiu. Për fat të keq, në këto ndjekje e diferencime, merrnin pjesë edhe disa profesor universitar, që i karakterizonte heshtja, indiferentizmi, oportunizmi, karrierizmi e rahatia personale e tyre. Në këtë periudhë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, luftonte dy gjëra kryesore në Kosovë, e që ishin: Universiteti dhe nataliteti. Ata Universitetin e Prishtinës e cilësonin si: burim kryesor të separatizmit shqiptar, bastion dhe vatër të nacionalizmit dhe indoktrinimit të rinisë. Qëndrim edhe më ekstrem ndaj Universitetit të Prishtinës pati Shoqata e Arsimtarëve Universitar dhe e Punonjësve Shkencor të Serbisë, të cilët, pos tjerash kërkonin që në Universitetin e Prishtinës, mësimi kryesisht të mbahet në gjuhën serbokroate, në të cilin do të sigurohej mësimi i gjuhës shqipe si lëndë. Ndërkaq, sa i përket natalitetit, Akademia e Serbisë, për të bërë për vete dhe kthyer kundër Kosovës edhe republikat tjera, dilnin me kinse analiza shkencore demografike, duke potencuar se, nëse shqiptarët shtohen me këto norma të larta të natalitetit, në vitin 2030, 70,0% e popullatës së Jugosllavisë do të jetë shqiptare. Për zvogëlimin e natalitetit të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, propozohej planifikimi i familjes me dy fëmijë dhe antinatalitare për shqiptarët dhe pronatalitare për jo shqiptarë. Këtë qëndrim të Serbisë dhe Maqedonisë nuk mund ta quajmë ndryshe, pos racizëm.

Suspendimi i autonomisë së Kosovës më 1989, nga mënyrë arbitrare dhe me forcë ushtarako-policore, përfshiu edhe Universitetin e Prishtinës, përkatësisht edhe sistemin edukativo-arsimor në Kosovë. Synimet shoviniste dhe anti civilizuese Serbia për rrënimin e sistemit edukativo-arsimor, veçmas të Universitetit të Prishtinës, i mbështeti në “Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme”, me futjen e masave të përkohshme edhe në Universitetin e Prishtinës. Universiteti i Prishtinës u rrënua definitivisht më 27 qershor 1991, kur Kuvendi i Serbisë miratoi vendimin: “Për aplikimin e masave të përkohshme për mbrojtjen e të drejtave vetëqeverisëse dhe të pasurisë shoqërore ndaj Universitetit të Prishtinës dhe ndaj fakulteteve në përbërje të tij...”. Me këtë vendim të Serbisë u shkarkuan nga detyra i gjithë stafi shqiptar udhëheqës i njësive akademike (fakulteteve) dhe u emëruan organet e përkohshme punë drejtuese të dhunshme.

2. Rimëkëmbja e Universitetit të Prishtinës

Andaj, duke mos elaboruar më detalisht situatën e Universitetit të Prishtinës në këtë periudhë, që e kishte kapluar plogështia dhe amullia, marrja e masave barbare për heqjen e mësimit në gjuhën shqipe, bllokimi i organeve drejtuese etj. në kuadër të Universitetit u bënë përpjekje që të gjendet forma dhe mënyra e tejkalimit të këtyre sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet ky institucion i lartë arsimor. Hapat e parë në këtë drejtim i bëri Shoqata e Arsimtarëve Universitar dhe e Punonjësve të tjerë Shkencor të Kosovës, kryetar i së cilës ishte i madhi Prof. Dr. Eshtref Ademaj dhe Sindikatat e Pavarura të Universitetit, ku kryetar ishte ligjëruesi Xhafer Xhaferi. Në kontekst të kësaj duhet potencuar, se udhëheqësit e këtyre dy asociacioneve me ndërgjegjen e tyre profesionale e kombëtare, si dhe me guximin e tyre, morën për sipër organizimin dhe koordinimin e formave të rezistencës kundër rrënimit të Universitetit në gjuhën shqipe. Që nga shtatori i vitit 1991, ata me paraqitjen e tyre publike, e sensibilizuan opinionin e gjerë, si vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar, rreth rrënimit të Universitetit të Prishtinës në gjuhen shqipe, në mënyrë arbitrazhe nga ana e Serbisë.

S’ka dyshim se, masat e dhunshme krijuan rrethana të reja dhe tepër të rënda e diskriminuese për pedagogët e stafin administrativ shqiptar në Universitet. Me këtë rast me të madhe filloi largimi i arsimtarëve dhe punonjësve të tjerë në mënyrë arbitrare nga puna. Kështu, në periudhën nëntor 1991, deri në qershor 1992, Organi i dhunshëm i Universitetit të Prishtinës, i largoi nga puna mbi 250 arsimtarë shqiptar, dhe i zëvendësoi me arsimtar serb e malazez, ku shumica prej tyre ishin pa kualifikime përkatëse. Arsimtarët dhe punonjësit e tjerë shqiptar që mbeten nëpër fakultete, iu nënshtruan presioneve të më të ndryshmeve nga administrata e dhunshme serbo-malazeze. Më vonë edhe këta arsimtar e punonjës të tjerë, Udhëheqësia e dhunshme i përjashtonte ata me motive më banale, si: është vonuar në punë, nuk pranon të punojë me organet e përkohshme, përkatësisht të dhunshme, ka marrë pjesë në tubime e protesta, nuk i ka dorëzuar me kohë proceset e provimeve, e kështu me rradhë. Kështu, në fund të vitit 1991, nga Universiteti i Prishtinës u larguan edhe 862 persona, nga të cilët 770 ishin arsimtarë dhe 92 punonjës administrativo-teknik. Për fat të keq, në Universitetin e Prishtinës të serbizuar mbeten 30 arsimtar shqiptar. Me këtë rast unë po i përmendi vetëm ata që mbeten në fakultetin Ekonomik dhe Juridik. Në Fakultetin ekonomik mbetën në procesin mësimor në gjuhën serbokroate, të cilët u ligjëronin studentëve serb e malazez: Prof. Dr. Isak Mustafa, Doc. Dr. Binak Maxharri dhe Kabil Merovci. Ndërkaq, në Fakultetin Juridik vazhduan punën: Prof. Dr. Syrja Popovci, Prof. Dr. Habib Hashani, Prof. Dr. Alajdin Alishani, Prof. Dr. Azem Hajdini dhe Hamdi Vraniqi.

Andaj, edhe për rreth të gjitha trysnive që bënte Udhëheqësia e dhunshme, arsimtarët shqiptar nuk u tërhoqën nga rezistenca, duke vazhduar punën me formimin e organeve të Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Jetësimin dhe mënyrën e organizimit të procesit mësimor në gjuhën shqipe e filluan Prof. Dr. Eshtref Ademaj dhe Prof. Dr. Ejup Statovci, të cilët bënë përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit. Kështu, pas shumë përpjekjeve, më 26 nëntor 1991, mbahet mbledhja e parë e Kuvendit legjitim të Universitetit të Prishtinës edhe atë në rrethana të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje u konstitua Kuvendi dhe për kryetar u zgjodh inxh. Fadil Berisha dhe Këshilli Mësimor-Shkencor, ku për kryetar u zgjodh Doc. Dr. Xhavit Ahmeti, si dhe Këshilli për çështje materiale-financiare, Këshilli botues, Këshilli për akte normative etj. Po në këtë mbledhje Kuvendi zgjodhi edhe Organin e përkohshëm kolegjial punë drejtues, përkatësisht Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Për rektor ishin propozuar tre kandidat: Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof. Dr. Eshtref Ademaj dhe Prof. Dr. Remzi Bakalli. Në mbledhjen e Kuvendit të Universitetit të mbajtur më 26 nëntor 1991, me vota të fshehta, për Rektor të Universitetit të Prishtinës zgjidhet Prof. Dr. Ejup Statovci, prorektor Doc. Dr. Dali Emërllahu ( vazhdim i mandatit).

Andaj, me qëllim që organizimi dhe konstituimi i Universitetit të Prishtinës, të marrë formën legale të funksionimit të tij, më 5 dhjetor 1991, në lokalet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbahet mbledhja e parë historike e Kolegjiumit të dekanëve. Në këtë mbledhje u vendos që të merren të gjitha masat për organizimin e punës në procesin mësimor për student shqiptar nëpër objekte dhe lokale private. Po ashtu, në këtë mbledhje ishte vendosur që puna në Universitet të jetë publike dhe e mbështetur në legjislacion ekzistues dhe në harmoni me vendimet shtetërore të Republikës së Kosovës. Për realizimin e këtyre qëllimeve, si problem në vete për bartësit e organeve të Universitetit, ishte paraqitur çështja e sigurimit të lokaleve dhe sigurimi i financave. Kështu, në rrethana të jashtëzakonshme u mëkëmb Universiteti i Prishtinës, si institucion i veçantë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Për funksionimin e Universitetit, u bë konstituimi i Senatit në mbledhjen e parë të tij, të mbajtur më 20 korrik 1994, kryetar i tij u zgjodh Prof. Dr. Fetah Jagxhiu.

S’ka dyshim se, për mirëvajtjen e procesit mësimor nevojitej edhe sigurimi i hapësirës, përkatësisht lokaleve mësimore. Kjo ishte një sfidë dhe problem mjaft seriozë për organet e Universitetit të Prishtinës. Për sigurimin e lokalit mësimor të parët u angazhuan organet e fakulteteve dhe të shkollave të larta, arsimtarët, veprimtarët e LDK-së të asaj kohe, si dhe arsimdashës të tjerë, duke iu drejtuar popullit për ndihmë në sigurimin e lokaleve mësimore. Si për herë, edhe tani populli edhe pse ishte në gjendje të rëndë politike, ekonomike dhe sociale, iu përgjigj thirrjes për të siguruar lokale mësimore. Kështu, numër shumë i madh i qytetarëve të Prishtinës dhe qytetarë tjerë mbarë Kosovës shprehen gatishmërinë për të ofruar shtëpi e lokale të tyre për nevoja të Universitetit. Si për herë, edhe tani më solidar dhe gatishmëri të veçantë ofruan qytetarët e shtresës së mesme dhe të varfër, shumica e të cilëve shtëpitë dhe lokalet e tyre i lëshuan pa kurrfarë kompensimi material. Bile shumica e tyre vet paguanin shpenzimet e telefonit ngrohjes dhe rrymës. Kështu veproi edhe familja e Nazmi Zhushit, ku ishte vendosur Fakulteti Ekonomik me vite të tëra, e cila familje paguante të gjitha shpenzimet komunale dhe kur kishin provime në shtëpinë e tyre ose afër shtëpisë, na ofronin edhe drekë. Pos qytetarëve, edhe disa shkolla fillore, institucione kulturore e fetare ofruan objektet e tyre për nevoja të Universitetit. Kështu, Medrezja e re në Prishtinë, u bë shtëpi kulture e shkencore, në të cilën me vite të tëra u mbajtën seminare e konferenca dhe mbrojtje të punimeve të magjistraturës dhe të doktoratës. Njësoj veproi edhe kisha katolike në Prishtinë, u shndërrua në institucion kulturor e edukativo-arsimor. Në këtë objekt fetar, u mbajt mbrojtja e punimit të disertacionit të doktoratës të kandidatit Rifat Blaku, ku unë ishe mentor. Gjatë mbrojtjes, erdhi policia. Më thirrën që të dal në bisedë me ta. Më pyetën se çfarë tubimi është ky që po e mbani në kishë?. Unë u thash se është duke u mbrojtur një punim i doktoratës, nëse nuk besoni urdhëroni dhe prezantoni në mbrojtje. Ata e kuptua drejtë ngjarjen dhe me thanë. Mirë vazhdoni punën, nuk na penguan. Këto familje dhe institucione, rrezikonin familjet e tyre, por pa hezituar fare u futën në shërbim të funksionimit të Universitetit të Prishtinës. Puna e tyre ishte madhështore, fisnike e mbi të gjitha kombëtare. Mirëpo, për fat të keq si organet e institucionet e Kosovës, ashtu edhe Universiteti i Prishtinës, sikur e harruan kontributin e tyre. Për fat të keq, në asnjë përvjetor arsimor e shtetëror, nuk përmendet kontributi i tyre dhënë jetësimit të Universitetit të Prishtinës, edhe pse Universiteti u vendos në odat tona, të cilat ishin universitete tradicionale ku u ruajt historia jonë kombëtare. Kjo është për çdo kritikë dhe turp, por marrja nuk po e mbytka askënd.

Andaj, pos lokalit si problem ne vete dhe preokupim i shkollave të mesme, të larta dhe fakulteteve ishte sigurimi i anës materiale, pra, rrogat për punonjësit në këto institucione arsimore. Me suspendimin e Universitetit, përkatësisht me largimin e dhunshëm të punonjësve shqiptar nga ky institucion i lartë arsimor, pushteti okupues serb, nëpërmjet organeve të dhunshme grabiti tërë bazën materiale të këtij institucione. Andaj, për jetësimin dhe rimëkëmbjen e Universitetit të ri shqiptar, shtrohej nevoja urgjente për sigurimin e bazës materiale-financiare. Për sigurimin e këtyre mjeteve, duhej kërkuar burime të reja financiare, pasi që pushteti okupues serb nuk financonte nga mjetet buxhetore të Kosovës. Duke pasur parasysh se pa financa nuk mund të funksionojë Universiteti, në fillim u paraqitën tri burime financiare:

Vetëfinancimi nga pagesa e studentëve,

Financimi nga Qeveria e Kosovës dhe

Financimi i kombinuar.

Nga këto burime, vetëfinancimi paraqite burimin kryesor të financimit të Universitetit. Këshilli qendror i financave të Kosovës, nxori vendimin sipas të cilit studentët duhej paguar nga 60 DM për një vit shkollor, përkatësisht nga 30 DM për semestër. Me këtë rast, fakultetet që kishin numër të madhe studentësh si që ishte rast me Fakultetin Ekonomik, Juridik etj. siguronin të hyra të mira dhe paga të mira. Në pozitë të pavolitshme në këtë rast ishin fakultetet me më pak student, sidomos fakultetet e shkencave natyrore. Andaj, pasi që këto fakultete nuk mund të mbuloheshin me të hyrat nga pagesa e studentëve, ishte e domosdoshme pjesëmarrja e Qeverisë në mbulimin e nevojave elementare të tyre. Ky kompensim material-financiar bëhej nga Këshilli qendror i financimit. Ndërkaq, për nevojat e Rektoratit, përkatësisht mbulimin e shpenzimeve organizative për interes të njësive akademike (fakulteteve) ishte arritur Marrëveshja për formimin e Fondit të përkohshëm financiar në nivel të Universitetit, ku obligoheshin të gjitha organizatat e shkollimit të lartë e superior të participojnë në këtë fond me 5,0% të mjeteve të grumbulluara nga pagesat e studentëve. Sipas Këshillit material-financiar të Universitetit, ishte marrë vendim se mesatarja e kompensimit material (paga) e punonjësve në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta të jetë 80 DM. Në fillim është punuar edhe pa para, apo me një vlerë simbolike. Unë e di kur e kam pasur rrogën 10 DM.

Andaj, duke përfunduar këtë shkrim me rastin e 51 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, duhet konstatuar se, fal gatishmërisë, sakrificës, ndërgjegjes së stafit akademik, studenteve, veçmas popullatës, edhe për rreth suspendimit të autonomisë, presioneve, sfidave dhe peripetinave dhe problemeve të ndryshme që i bëri Serbia hegjemoniste dhe okupuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve institucioneve arsimore, sistemi shkollor nuk u ndërpre, vazhdoi në mënyrë kontinuele dhe mbizotëroi ndaj forcave ushtarako-policore të Serbisë. Në vazhdën e funksionimit të sistemit paralel shkollor edhe Universiteti i Prishtinës mbijetoi dhe u rimëkëmb si institucion arsimoro-shkencor, nga i cili dolën kuadro të të gjitha profileve, me cilësi të larta profesionale e shkencore. Kështu, Universiteti i Prishtinës, gjatë ri okupimit të Kosovës e më pas, me kompetencë të plotë pedagogjike, profesionale, shkencore e kulturore e përfundoi misionin e tij, duke siguruar faktorin më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror (kuadro profesionale), që ishin bartëse të të gjitha transformimeve në Kosovë. Kuadrot e dala nga Universiteti i Prishtinës, po lënë nam, apo më mirë me thënë emër profesional e shkencor edhe jashtë Kosovës, në të gjitha vendet ku po punojnë e jetojnë ata. Kjo, njëherit paraqet edhe fitoren e parë ndaj okupatorit shekullor serbosllav, veçmas ndaj Serbisë dhe xhelatit Millosheviq.

Dhe krejt në fund, vetvetiu shtrohet pyetja. Sot ku është arsimi? Pas çlirimit sistemi edukativo-arsimor dhe shëndetësor ishin nën kompetenca të plota të institucioneve vendore. Që të dy këto sektorë, si dy shtylla kryesore të kombit, pësuan fiasko dhe u sollën në nivelin me të ulët zhvillimor të mundshëm. Në periudhën e pas çlirimit e deri më sot, falë përjashtimeve, ne kemi nxjerrë “analfabet” me diplomë, të cilët u instaluan në institucione shtetërore e arsimore. E gjithë kjo ndodhi në saje të jo profesionalizmit dhe nepotizmit që kanë dominuar në arsim që nga cikli i ulët e deri te ai superior-universitet e në kolegj, si dhe institucione shkencore. Gjatë kësaj periudhe, me të madhe u mbush Kosova me diploma fakulteti, me thirrje master e doktorë shkencash dhe me akademik, që u reflektuan në rënien drastike të cilësisë së sistemit arsimor në Kosovë. Andaj, e gjithë kjo ndodhi falë jo profesionalizmit dhe vetëdijes së ulët intelektuale e kombëtare të një grupi njerëzish, përkatësisht duke filluar nga Ministria e Arsimit, udhëheqësve të institucioneve edukativo-arsimore, universiteteve publike, veçmas të kolegjeve private etj. Andaj, duke u bazuar nga ajo që u tha më sipër dhe duke ditur situatën faktike, e me qëllim të përmirësimit të situatës në sistemin shkollor, lypset të bëhen reforma rrënjësore në sistemin edukativo-arsimor në Kosovë. Kjo, njëherit paraqet imperativ kohe.

Prishtinë, më 01.03.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat