Lista Serbe me apetite të mëdha

Opinione

Lista Serbe me apetite të mëdha

Nga: Skender Musliu Më: 1 mars 2021 Në ora: 20:23
Skender Musliu

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 Shkurt-it, për herë të parë, doli në shesh një fenomen që mund të ndikojë në manipulimin e votës duke devijuar vullnetin e sovranit dhe që mund të ndikojë në destabilizimin e procesit zgjedhor.

Respektivisht, partive tradicionale të pakicave joserbe, Boshnjakëve, Turqve, Ashkalijve, Egjiptianëve dhe Romëve,që sipas Kushtetutës i kanë të rezervuara 10 deputet në Kuvendin e Kosovës, Lista serbe, për interesat e veta, i krijoi edhe tre Lista tjera fantome, si pandam të këtyre pakicave, dhe ate : « Ujedinjena Zajednica » e boshnjakëve që përfaqësohet nga Adriana Hoxhiq ; « Romana Iniciativa » e romëve që përfaqësohet nga Gazmend Salijeviq ; dhe « Goranska Zajednica » e goranëve e përfaqësuar nga Adem Hoxha. Kjo fushatë e Listës serbe ka qenë e organizuar dhe orkestruar nëpër të gjitha komunat, me qëllim që mos të votohen partitë tradicionale të pakicave joserbe, port ë votohen Listat e pakicave që zbatojnë politikat e Listës serbe.

Këto tre Lista apo Iniciativa të qytetarëve, në realitet nuk përfaqësojnë vullnetin burimor të këtyre pakicave, sepse këto Lista janë votuar pothuajse ekskluzivisht nga serbët e jo nga pakicat përkatëse, madje nëpër komunat ku nuk jetojnë këto pakica ata kanë marrë edhe 80% të votave nga serbët, prandaj edhe pse këto vota janë legale, ato nuk janë legjitime, sepse nuk përfaqësojnë autenticitetin e votës sipas regjistrimit të votave që garantohet me Kushtetutë. Prandaj votat e pakicave jo serbe duhet të vijnë nga votat e këtyre pakicave, sepse përfaqësuesit e tyre politik, përfaqësojnë dhe artikulojnë interesat e tyre, ndryshe nuk kishin me patur kuptim vendet e rezervuara.

E gjithë kjo është bërë në mënyrë të organizuar, me qëllim që Lista serbe, përveç 10 vendeve të rezervuara, të fitojë edhe disa deputet tjerë për llogarinë e tyre. Edhe pse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, me këto veprime manipulative, Lista serbe sipas rezultateve preliminare në mënyrë të padrejtë ka fituar katër deputet. Kështu, Lista serbe synon t’i fitojë 2/3 e deputetëve të pakicave, që do t’a defunksionalizonte punën e Kuvendit të Kosovës, sepse përveç tjerash, pa 2/3-tat nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të nënshkruhen Marrëveshje ndërkombëtare….

Tani, me të drejtë parashtrohet pyetja : pse dhe si u paraqit ky fenom i devijimit të votave dhe manipulimit të proçesit zgjedhor, pikërisht në këto zgjedhje, e jo më parë ?!

Përgjigja është se, derisa në pushtet ishin PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, Lista serbe nuk kishte nevojë të formojë Lista zgjedhore fantom, sepse këto parti, edhe përkundër kundërshtimeve fallso në publik, ato kishin bashkëpunim dhe koordinim të fshehtë dhe të shkëlqyeshëm, madje edhe biznesin e kishin të përbashkët me Listën serbe, e cila ka qenë në koalicion dhe i ka formuar Qeveritë e tyre. Mirëpo gjatë para fushatës dhe fushatës zgjedhore u vërejt se do të ketë një përmbysje plebishitare të rezultatit zgjedhor në favor të LVV-ës dhe Listës « Guxo », të cilat nuk shantazhohen, nuk korruptohen dhe nuk bëjnë biznes me strukturat kriminele të Veriut, prandaj Lista serbe i organizoi dhe mobilizoi strukturat e saja brenda dhe jashtë vendit që komuniteti serb të votojë për Listat fantome, me qëllim që t’a dobësojë qeverisjen e ardhshme.

E gjithë kjo është pasojë e politikave të gabuara të partive politike shqiptare që qeverisën me Kosovës për dy dekada, të cilat, përveç tjerash, në institucionet e Kosovës inkorporuan rojet e urës, strukturat paralele kriminale serbe dhe lejuan korrupsionit, krimit të organizuar dhe si produket të kësaj, ata formuan « Listën serbe ». Kjo Listë është si filialë e një partie politike të Beogradit që u formua në marrëveshje mes Thaqit dhe Vuçiqit, e cila punon dhe zbaton urdhërat dhe politikat e Serbisë në Kosovë. Lista serbe ka marrë peng serbët e Kosovës duke i frikësuar dhe bërë servil, që nuk përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës, duke mbajtur një status quo që i përshtatet edhe Beogradit dhe disa strukturave politike të Kosovës.

Deputetët e Listës serbe janë politikan që përcaktohen nga Beogradi, që nuk e njohin Republikën e Kosovës, që ate e quajnë « Kosovo i Metohija », që nuk i mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës, që paguhen nga taksapaguesit e Kosovës dhe që zbatojnë politikat e Serbisë dhe mbrojnë interesat e saj.

Në këtë vazhdë ishte edhe takimi i përfaqësuesve të Listës serbe dhe Aleksandar Vuçiqit në kazermën ushtarake të Kurshumlisë, me ç’rast, edhe pse publikisht nuk u tha, janë përcaktuar modalitetet e veprimit të ardhshëm politik të Listës serbe në Qeverinë Kurti II.

Në këtë kontekst, habit fakti se, përveç LVV-ës dhe Listës « Guxo », asnjë parti tjetër politike nuk reagoi poblikisht kundër këtij fenomeni, që në realitet paraqet ndërhyrje flagrante të një shteti fqinjë, Serbisë, në proçesin zgjedhor të Republikës së Kosovës. A don të thotë kjo se, duke heshtur, pranojnë bashkëpunimin apo fajin për këtë fenomen partitë tona ?!

Përfaqësuesit legjitim të pakicave jo serbe, që janë humbësit e këtyre zgjedhjeve, duhet t’a sensibilizojnë këtë fenomen para Ambasadave në Kosovë dhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe pas certifikimit të rezultateve t’i fillojnë procedurat administrative dhe gjyqësore duke i përdorur të gjitha mjetet juridike për demaskimin dhe zgjidhjen e këtij fenomeni, i cili po qe se nuk ndalet në embrion mund të shkaktojë pasoja dhe kriza të rënda politike në Kosovë.

Ngelë të shpresojmë që Qeveria Kurti II të ketë bashkëpunim vetëm institucional dhe kushtetues me Listën serbe, kurse të zhvillojë dialog të mirëfilltë me serbet lokal të Kosovës për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës, të cilat ata i pranojnë.

Bruksel, 01 Mars 2021 Skender Musliu, jurist i diplomuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat