Tipi narcist

Opinione

Tipi narcist

Nga: Lekë Imeraj Më: 2 mars 2021 Në ora: 14:42
Lekë Imeraj

Fjala narcist do të thotë vetëdashurim, njeri i dashuruar me vetveten.

Çdo njeri, nga natyra, është pajisur me ndjenjën e narcizmit. Pra, narcizmi nuk është vetëm ndjenjë negative tek njeriu. Shpesh ndodh që, narcizmi “i shëndetshëm”, bëhet i padukshëm te shumë njerëz. Madje, disave u mungon. Tipa të tillë, mbeten në prapaskenë, vuajnë nga ndjenja e inferioritetit, nuk guxojnë, dhe të tjerët vendosin për fatin e tyre. Ata kthehen në njerëz të varur, të vegjël, iu mungon ndjenja e vetëbesimit dhe vuajnë nga ndjenja e frikës, pasigurisë dhe fajsisë. Mungesa e vetëdashurimit, është defekt i personalitetit të njeriut, mund të kthehet edhe në sëmundje.

Personaliteti i tipave narcistë të shëndetshëm, është shumë pozitiv. Janë tipa aktivë, të kënaqur me vetëveten, ndihen të sigurt dhe të çliruar. Janë shpirtmirë, komunikues, optimistë dhe të pastër. Priren për dije, e pëlqejnë të bukurën dhe janë vazhdimish në eksplorim të jetës. Janë komunikues dhe kooperues. Gjatë përpjekjeve për të arritur qëllimet e tyre, nuk ua presin rrugën të tjerve.

Kur flasim për narcizmin si sëmundje, kemi parasysh tipin që vuan nga çrregullime të forta narciste, të personalitetit. Narcisti i sëmurë karakterizohet nga egoizmi, vetëdashurimi maksimal, mospërfillja dhe shpesh nga tendenca pushtetare, për sundim, mbi gjithë të tjerët. Më tipikja tek ai është, se nuk ka ndjenja, ka vetëm pasione.

Në raste të tilla, para nesh kemi një njeri të vështirë, prepotent, arrogant, mospërfillës, përçmues, pushtet ëndërrues.

Nëse një njeri do të pajiset me programin e narcizmit të shëndetshëm apo të sëmurë, kjo përcaktohet që në fëmijërinë e tij të hershme. Mendimi psikologjik thotë se kjo fillon që në moshën 2 deri në 4 vjeç. Nëse fëmijës do t’i mungojë dashuria prindërore, tek ai do të zhvillohet programi: Unë nuk kam të drejtë të jem. Atij i kanë munguar ngrohtësia, mirëkuptimi dhe përkrahja. Kjo ka bërë që tek ai, është ndërtuar programi: Unë jam vetëm në këtë botë. Të ngjan me njeriun që është duke u fundosur në kënetë, dhe kapet në flokët e vet, për të shpëtuar. Janë njerëzit që e refuzojnë ndihmën e të tjerëve. Njerëzit, të cilët detyrohen, që në fëmijërinë e tyre të hershme, të fshehin fytyrën e tyre të vërtetë. Kjo i bën që automatikisht të pajisen me programin: Mos ji ti vetëvetja. Këta njerëz, kur rriten, nuk e vënë re se janë njerëz të gabuar, nuk janë vetëvetja. Përkundrazi, ata mendojnë se, unë jam në rregull, të tjerët janë fals. Dëshpërimi i brendshëm është ekstrem.

Shembulli më tipik ka qënë Hitleri (1889-1945). Ai ka qenë një njeri i dështuar dhe i dëshpëruar. Psikoanalistët janë akoma të mrekulluar për faktin se, si Hitleri u bë Hitler. Gjyshi i tij ishte hebre, megjithatë urrejtja kundër hebrenjve ishte e pakufishme. Vet ai ishte me një testikul, homoseksual i ndrydhur, ishte një fetishist seksual. Tri herë i dështuar në paraprovimet universitare. Tri simptomat që përbëjnë bërthamën e narcizmit; mbivlerësimi i vetvetes, domosdoshmëria e të admiruarit nga të tjerët dhe mangësia e bashkëndjenjave, janë veçoritë tipike të njeriut tiran. Dhe këto i kishte Hitleri.

Nëna e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842—1918) ishte armene, megjithatë, ai vet ishte armiku më i tmerrshëm i armenëve, ashtu si Hitleri kundër hebrenjve.

Ndryshe nga depresivët, të cilët zakonisht tërhiqen dhe mbyllen në botën e tyre, narcistët përgatiten për luftë me të tjerët. Motoja e tyre është:

“Unë jam vetëm në këtë botë, më duhet të shpëtoj vetveten dhe njerëzimin”.

Priren gjithnjë e më shumë për pushtet, pa menduar se kujt i shkaktojnë dhembje. Përpiqen të depërtojnë në ato sfera sociale ku mundësia e pushtetëzimit është e madhe. Zakonisht në politikë bëhen të suksesshëm, deri edhe udhëheqes shteti. Hitleri është shembulli më tipik. Ai, kur dështoi në të gjitha fushat në të cilat e mendonte veten gjeni, deklaroi: “Por, vëndosa të bëhem politikan”. Dhe u bë politikan.

Prandaj thuhet se, politikanët janë të gjithë të sëmurë, minimumi vuajnë nga komplekse inferioriteti.

Narcistët, nëse bëhen të plotpushtetshëm, rrënojnë gjithçka. Të gjithë pushtetin e fusin në grushtin e tyre. Injorojnë ligjet dhe shkatërrojnë institucionet shtetërore. Mbrojtja, ekonomia, arti, kultura, letërsia, arkitektura dhe gjithçka tjetër, duhet t’i përshtaten perceptimit, shijes dhe vullnetit të tyre. Ndryshe, digjen dhe shemben. Aty ku hyjnë ata, të gjithë të tjerët duhet të dalin jashtë, si të pavlerë, dhe kur flasin ata, të gjithë të tjerët duhet vetëm të dëgjojnë.

Rreth vetes ndërtojnë një klikë, me njerëzit më të besuar. Një gjë e tillë, në psikologji, quhet syndroma kubane. Te narcistët, shpesh ndeshet fenomeni i çiftëzimit të nacionalizmit me narcizmin.

Daniel Chirot, thotë: “Nëse nacionalizmi çiftëzohet me narcizmin, atëherë do të kemi një fenomen vdekjeprurës, të cilin politologët e mendojnë ressentiment: bindja se nacionaliteti apo kultura ka të drejtë zgjerimi, dhe se gjendja e deritanishme është pasojë e armiqve të brendshëm apo të jashtëm”.

Kjo ndjenjë e cila nxit dominimin mbi të tjerët, është natyrë tipike e narcistëve, e cila shfaqet me poshtërim, zili dhe tërbim ndaj kundërshtarit, atyre që nuk janë si ata.

Narcistët janë të predispozuar për drogë dhe alkool, si mjete këto qetësuese dhe guximnxitëse. Fare thjeshtë mund të kalojnë në varësi të tyre.

Në të vërtetë, narcistët janë njerëz fals. Nga brenda ata janë zgavër.

Ata nuk janë vetvetja. Të tillë vuajnë nga mllefi dhe tërbimi ndaj vetvetes, mjedisit dhe të tjerëve. Dhe për të nxjerrur mllefin dhe shfryrë tërbimin, iu duhen viktima.

Ndodh që narcistët, nga jashtë, të paraqiten normalë. Kjo nuk do të thotë aspak se ata janë kthyer te vetvetja. Ata përsëri mbeten të paqëndrueshëm dhe të pabesueshëm.

Një moto tjetër e narcistëve është: Nëse nuk m’a japin atë që unë dua, atëherë unë duhet ta marr me forcë. Kjo i bën ata të rrezikshëm pasi sulmojnë rrufeshëm, me të gjitha mjetet e mundshme, atëherë dhe aty ku nuk pritet. Nëse është fjala për marrjen e pushtetit, ata shenjtërojnë çdo mjet. Edhe puçet, revolucionin, luftën vëllavrasëse. Viktimat për ata janë vetëm numër. Ata marrin përsipër rolin e njeriut revolucionar. Stalini ka qenë tetë herë në burg, si “revolucionar”.

Lidhjet dhe kooperimet me të tjerët ata i shikojnë vetëm si qëllim për realizimin e interesave të tyre dhe i mbajnë për aq kohë sa mund të përfitojnë ato që ata kanë menduar. Mashtrimi, është mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Janë oratorë dhe premtojnë të pamundrën.

Meqenëse vijnë vërdallë në rrethin vicioz, dëshpërimi rritet gjithnjë e më shumë. Megjithatë kjo gjendje nuk i orienton ata te të tjerët për ndihmë. Është ekzistenca e programit të vetëshpëtimit, i ndërtuar në psikikën e tyre, që ua bllokon këtë rrugë. Në rastet më të shumta, kur ata kujtohen për ndihmën e të tjerëve, është tepër vonë.

Njerëzit me shqetësime narciste të personalitetit, duhen menduar të dëmshëm dhe të rrezikshëm. Nëse bëhen të plotpushtetshëm, është shumë i vështirë largimi i tyre nga pushteti.

Narcizmi është i mjekueshëm. Sipas psikologut, Heinz-Peter Roehr, mënyra më e mirë e mjekimit të narcizmit, është ndërtimi i kundërprogrameve. Hapi i parë, për ndërtimin e programit, është sqarimi i shqetësimit. Kjo, ashtu siç pritet, nuk është e lehtë, pasi edhe kritikat më të vogla, shkaktojnë te personi reaksione të fuqishme mbrojtëse.

Disa njerëz, janë “lëkurëtrashë” dhe disa janë “mimozë”. Përse kështu!? Roehr mendon se përgjigjja është e thjeshtë. Sa më shumë që njeriu të bindet se është i pamjaftueshëm, aq më sensibil është ai, edhe nëse nuk e tregon nga jashtë. Çdo kritikë, pavarësisht nga lloji dhe qëllimi i saj, lëndon plagët e vjetra. Është njëlloj, sikur ia lyen plagët me acid brejtës, gjë kjo që i aktivizon të gjitha reaksionet e mundshme. Dikush tërbohet dhe kundërgodet me të tjera fjalë, dikush tjetër e mban përbrenda zemërimin dhe lufton me vetveten, tjetri zemërohet dhe largohet, të tjerë fillojnë të përgatisin hakmarrjen…

Një metodë, e cila mundëson ndërhyrje të qetë, është biblioterapia. Të sëmurët, gjatë leximit, e kuptojnë vetë se, deri ku mund të pranojnë ndërhyrjen e të tjerëve.

Sipas Roehr, kundërprogramet e mundshme do të ishin: Unë jam i mjaftueshëm për vetveten; Unë jam disi ndryshe, sepse të gjithë njerëzit janë disi ndryshe, dhe për këtë nuk kam nevojë të mendoj fare; tek unë është gjithçka që mua më duhet.

Përmirësimi, dhe për më tepër shërimi i njerëzve me shqetësime narciste të personalitetit, nuk janë të lehta. Brenda tyre gjenden gjëra që janë më të forta se vet ata. Ata e humbin luftën dhe fare normal rikthehen te motoja: -Jam mirë kështu siç jam. Unë nuk ia dal dot ndryshe. Sekreti është: Të dihet kur duhet filluar, si duhet filluar dhe me çfarë duhet filluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat