Në Jerusalem

Opinione

Në Jerusalem

Nga: Kimete Berisha Më: 2 mars 2021 Në ora: 17:38
Kimete Berisha

Nëse Amerika ka 'gabuar' që e ka vendosur Ambasadën e saj në Jerusalem, pse të mos 'gabojmë' edhe Ne!

Nuk e kuptoj çfarë i duhet Kryeministrit Kurti ta ushqejë Grenellin dhe krejt botën me deklarata dykuptimëshe për vendin e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

Dhe pse u dashka të përsëriten gabimet e njejta, të cilave ua pamë sherrin!

A s'bën me hesht, veç për secilin send duhet me bë filma!

Ambasada e Kosovës në Jerusalem është dashur të bëhet temë pasi të inagurohej ambasada, e jo të hapet tema, që të stërkeqet dhe të degradojë debati deri aty, sa çdo i dyti analfabet të shpreh mendimin e tij të sëmurë për politikën globale.

Stërkeqja e temës bëhet me qëllim.

Nuk e kuptoj pse Kryeministri nuk e ka të qartë se Marrëveshjet nuk shqyrtohen, por implementohen.

S'ka arrogancë më të madhe se sa ta ri-shqyrtosh vendin e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

T'i thuash JO Erdoganit, nuk është rrezik, as nuk është veprim arrogant, respekt për brengat turke, sepse Presidenti turk e di se kur bëhet fjalë për njohjen reciproke Izrael/Kosovë, Ai nuk ka punë me Kosovën, por me Amerikën, që e solli marrëveshjen dhe njohjen reciproke mes Izraelit dhe Kosovës.

S'bëhet fjalë me kë është Kosova:

A je me Izraelin a me Turqinë? Me të Dytë jemi.

Sepse, jemi kurrkushi.

Ama bash kurrkushi!

Popull i vogël që merret me tema të mëdha.

Kosova së pari duhet ta mbajë fjalën për Ambasadën në Jerusalem.

Pra, para se ta tërheq fjalën, duhet ta mbajë fjalën, sepse e ka obligim, jo sepse dëshiron.

Askush nuk është kah të pyet, 'qysh ma ke qejfin'!

Pastaj, nëse bash-bash e lyp puna, askush s'ka pse e mban fjalën që e ka dhënë, nëse ajo fjalë nuk është më në interesin tënd.

Nëse Kosova e ka sherrin kaq të madh sa që krejt bota do të dridhej pasi që Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem - le të jetë.

Ne nuk mund ta refuzojmë Izraelin.

Sepse, armiku i mikut tonë, nuk është edhe armiku ynë.

Ne e dimë veten për fukarenjtë më të mëdhenj në Evropë, ne e dimë se Kosova është vendi më i korruptuar në botë, por bota po na sheh si shumë të 'rrezikshëm' për politikat e nalta.

Kosova nuk pyetet ku ta vendos Ambasadën, në Jerusalem apo në Tel Aviv.

Kush është Kosova që të pyetet për politikat e Izraelit!

Kjo është çmenduri të mendosh se e redakton marrëveshjen.

Nuk rishkruhet marrëveshja, nuk rishkruhet vendi në marrëveshje.

Ose implementohet marrëveshja, ose Jo. Kaq.

Është gabim të frikësohesh nga Erdogani (duke e pasur përkrahjen amerikane), thuajse fenë je kah e ndërron.

Nami s'bëhet të guxosh ta respektosh marrëveshjen, nami bëhet të guxosh ta shkelësh marrëveshjen.

Ambasada nuk ka rrënjë, mund të lëvizë vendi, me miratimin amerikan, por, para se të lëviz prej Jerusalemit, duhet të vendoset në Jerusalem.

Kjo nuk është dëshirë, por është urdhër.

Se të këtilla janë marrëveshjet, urdhëra dhe vendime të prera.

BE dhe OKB nuk e pranojnë Kosovën, që do të thotë se Kosova asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e shkel kur e implementon marrëveshjen që e ka nënshkruar vetë në Uashington.

Sot, BE e OKB na kanë lënë të izoluar e të vetmuar të dergjemi midis Evropës, pa vaksina, pa pare, pa punë.

Ju e shihni, besoj edhe e ndjeni se nuk na bëjnë hesap për njerëz.

Na shohin që jemi gjallë veç kur u bie në mend e ardhmja e ndritshme e Serbisë.

P.S. E unë e kam një tjetër dert, bash kisha pas qejf ta di se kah piku ambasadorja e Kosovës në Izrael dhe a kishte naj konkurencë kur e zgjodhi 'dikush'.

Kush?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat