Emisari Lajçak, e keni tepruar pak

Opinione

Emisari Lajçak, e keni tepruar pak

Nga: Dedë Preqi Më: 3 mars 2021 Në ora: 00:02
Dedë Preqi

Kosova e meriton dhe duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga intrigat dhe shantazhet e Serbisë, para së gjithash duhet të kuptojmë edhe kush është agresori dhe kush është viktima, sepse shpeshherë gjatë negociatave Kosovë-Serbi, po ndërrohen pozicionet për të diskutuar disa pikëpamje në praktikë.

Askush nuk mund ti trajtojë gjërat ashtu si duhet dhe në përpikmëri, por të paktën jo krejtësisht për një kohë të gjatë, sikur po ngjanë me Kosovën, se sa thellësisht jemi të kufizuar nga vetë BE-ja, i vetmi popull në rajon që jeton në zemër të Evropës, dhe nuk e ka liberalizimin e vizave.

Atëherë, sikur kalimthi po i qasemi çështjeve të tjera, sikur që është dialogu në mes këtyre dy vendeve, për të cilat po diskutohet dhe dialogohet një kohë të gjatë dhe në realitet, jo në mënyrë të barabartë, kur Serbia lëviz lirshëm nëpër Evropë, e cila ishte para pak viteve pushtuese dhe gjenocidiale, kurse Kosova si viktimë mbetët në mëshirën e fatit, që ia përcaktojnë të tjerët…

Kosova është e interesuar që në fillim të negociatave me Serbinë, të përmirësohen dhe të zbatohen pikat e renditura në bazë të marrëveshjeve, por dihen botërisht se çfarë është zbatuar deri më tani në praktikë nga pala serbe, të gjitha këto i di mirë BE-ja, por edhe vetë Lajçaku duhet t’i ketë të njohura.

Në realitet Kosova si shtet i ri ka ngecje mbrapa dhe është e përkufizuar në kuptimin e marrëdhënieve dhe integrimeve të saj në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast edhe BE-ja, i ka përgjegjësitë e veta, duke mos e kushtëzuar Serbinë, e cila përveq se bëhët pengesë, duke e kundërshtuar anëtarësinë e saj në organizatat ndërkombëtare, ajo në fakt lobon për ç’njohjen e Kosovës, në shumë vende të botës që e kanë njohur deri më tani.

Një primitivitet i tillë e Serbisë duhet të ndryshojë, sikur ky proces historik me një përsiatje të dhimbshme nuk po merr fund, duke mos marrë parasysh edhe vuajtjet e popullit të Kosovës, i cili po përballët akoma me mbeturinat dhe politikat shofeniste të Beogradi dhe udhëheqjes së këtij vendi në krye me A.Vuçiqin.

Kosova si shtet i ri akoma ka nevojë për njohje të reja, me ç’rast e dallon imazhi i botës si hapësirë për një njerëzim të vetëdijshëm me domethënien për të qenë të aftë dhe për të kuptuar motivet dhe qëndrimet e vëna në jetë për të ndërtuar të ardhmen e vet.

Kur edhe pesë vende të Evropës nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, atëherë pse nuk reagon BE-ja, por edhe emisari Lajçak, i cili e ka rrolin e emisarit evropian dhe rrolin kryesor të udhëheqjes për të lehtësuar dhe mbështetur me të të drejtë vendet të cilat synojnë të bëhen anëtare e kësaj familje, sikur është edhe Kosova.

Kosova në këto momente po atakohet me shumë probleme, si ato ekonomike edhe politike, madje edhe me një armik të rrezikshëm, që edhe botën e ka vënë në krizë globale Covidi 19-të, dhe në një moment të tillë kritik, Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Evropë, që nuk e ka asnjë person të vaksinuar kundër këtij virusi, në mungesë të vaksinave, një përgjegjësi, e cila do i takonte edhe BE-së, që të kujdesët dhe të sigurojë së paku një shumë simbolike edhe për këtë pjesë të njerëzimit.

Emisari Lajçak, Kosovën sikur e keni anashkaluar pak, edhe vendosja e hartës së Serbisë, që nuk e përjashton Kosovën si pjesë e saj, në rezidencën e juaj e ka një domethënie, e cila duhet të kishte një përgjigje, që në pozitën që keni, kërkon një kërkimfalje, sepse po e humbeni besimin me vlerësimin e efektshmërisë dhe të rezultatit.

Prej këtyre përvojave burojnë edhe shumë elemente të tjera, të cilat paraqesin jetën dhe shpirtin e këtyre njerëzve, që dëshirojnë sikur gjithë njerëzit e lirë të botës të orientohen në jetën e vet, që të punojnë, të zhvillohen dhe të jenë pjesë e barabartë e kësaj bote, por edhe si qenie njerëzore të kenë edhe pjesën e vet të politikës, të suksesit dhe të historisë së vet.

Për fat të mirë, populli i Kosovës, është një popull i vuajtur dhe i kalitur gjatë gjithë historisë së vet, por i pa mposhtur dhe fisnik, për të drejtat e veta, i cili nuk i humb shpresat e veta, por siç predentojnë lavdëruesit e Evropës moderne, sikur duket një qartësi e frikshme se ndaj këtij populli po bëhet padrejtësi, me ç’rast kërkohet një mbështetje dhe përkrahje e BE-së, së paku t’i jepej ajo që e meriton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat