Të këndosh apo vetëm të lash enët!

Opinione

Të këndosh apo vetëm të lash enët!

Nga: Fadil Lepaja Më: 3 mars 2021 Në ora: 15:53
Fadil Lepaja

“Madje, duke kënduar, do të lash pjatat”, po i thoshte në ëndërr presidenti serb Vuçiç, kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, në një debat të ëndërruar prej tij, për së zgjuari. Ky nuk ia kthen, as me po, as me jo. Madje nuk e mohon as të kënduarit. E pse të mos këndoj? Apo të këndojë, kjo është çështja. E di edhe ai, se dialogu është detyrim. Nuk është çështja e të kënduarit, por enët e kujt do të lante Kurti?

Por, si u tha në fillim, ishte veç ëndërr dhe dialogu ende nuk ka (ri)filluar, por pritet të (ri)fillojë në një të ardhme të afërt. Nëse duam të ndajmë qimen në disa pjesë, këtu mund të kërkohej prej autorit, të definohet koncepti i të ardhmes së afërt. Apo ndoshta jo krejt të afërt. Pra, po dialog, po negociata, por sipas prioriteteve të qeverisë së re.

Duket sikur u lëshua pe, ashtu që nga prioriteti i gjashtë apo shtatë, dialogu doli në vendin e katërt. Gjithsesi pas korrupsionit dhe reformave në drejtësi. Por, jo dialog për territoret, as për kushtetutën, u tha nga presidentja në detyrë, e cila, si udhëheqëse e politikës së jashtme të vendit i tregoi mysafirit edhe vijat e kuqe, në konferencën e përbashkët për media, pas takimit.

Tash, si mbet puna? Mori apo nuk mori premtim emisari evropian? Në të njëjtën kohë u lajmërua përmes rrjetit edhe ish emisari amerikan Grenell, gjithsesi i frustruar nga mungesa e vëmendjes publike dhe sa për të vërtetuar se krejt kjo që po ndodhë në Kosovë, nuk është ëndërr. Ai e akuzoi, sërish, kandidatin për kryeministër si anti-amerikan. Sipas tij, Kurti ishte kundër disa presidentëve amerikan dhe jo vetëm kundër atij të fundit, i cili iku duke e tronditur vet themelet e shtetit amerikan.

Në ëndërr dhe në politikë mund të thuash gjithçka e të ndodhë gjithçka, por konjuktura në botën reale ka ndërruar. Edhe Llajçak, i cili po startonte sikur pengesë e dialogut të ishte Serbia, mbeti i dyshuar se bëri një gjest simbolik me hartën ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë. Duket se ai priste që me këtë gjest të fitonte simpatitë, në Beograd. Por, ra harta dhe kjo ishte arsyeja që ai me “fishkëllimat” e opinionit kosovar, u kthye dorëthatë nga udhëtimi i koduar “ Sjellja e Albinit në tavolinë”.

Ashtu si ishte nisur me vrull, përfaqësuesipretendonte që menjëherë të e sillte në tavolinë, ashtu si në ëndrrën të cilën e përfolëm në fillim, pra, për të larë pjatat dhe duke kënduar me qejf. “Do të vijmë por nuk e kemi prioritet”, duket se mori përgjigjen, diplomati i cili vjen nga një vend i cili ende nuk e ka njohur Kosovën, kryesisht me pretekstin e marrëdhënieve të mira me Serbinë. Ai mori, me vete një qëndrim pozitiv për dialogun dhe i kënaqur iku në Beograd, ku media, e përgëzoi për “hartën” dhe qëndrimin e tij jo të anshëm. A mori diçka me vete, vërtetë?

Tash, u kthye duarthatë, apo mori diçka me vete, diplomati evropian, është vështirë të vërtetohet. Në Prishtinë mori premtimin për dialog sipas prioriteteve të qeverisë së re, e cila pritet të formohet në një kohë optimale dhe duke përjashtuar çdo mundësi që në bisedime të flitet për këmbim territoresh apo për zgjidhje jo kushtetuese për komunitetet. Duke qenë se, përpos Serbisë, armiku më i madh, i deklaruar, i të gjitha qeverive Kosovare të pasluftës ishte korrupsioni, është vështirë të thuhet se kur do të fillojë dialogu me Serbinë. Korrupsioni, për dallim prej Serbisë, në Kosovë është më vital dhe më i përparuar se kurrë dhe përkundër besimit se kjo qeveri do të e luftoj përnjëmend korrupsionin, nuk shpresohet se do të jetë një luftë dhe një fitore e shpejtë.

Pastaj, vjen kaosi në drejtësi! Pastaj, dialogu? Jo, qenka edhe prioriteti i tretë, pastaj ...! A do të funksionojë? Prioritetet vendore dhe ato të fuqive, shpesh janë “përleshur” në dëm të atyre vendore. Pak a shumë, sikur lufta mes prodhimeve vendore dhe atyre nga importi. Është e qartë se kryeministri i ri, me prioritetet e tij, synon të ndërrojë vetë lojën. Ose së paku rregullat e saj. Duket se nuk do të merret me pjatat e palara të negociatorëve të mëparshëm. Po ri-negocionon rregullat e lojës. Nga parimi i forcës, tek forca e parimeve. A ka fuqi të bëjë këtë kryeministri me karakter të fortë, i një vendi të vogël?

E kemi parë skenarin e rrëzimit të qeverisë “Kurti 1”, kur u gjetën krejt numrat për të përmbyllur pazaret e bëra në tryezat kryesore të ruletit politik rajonal dhe ndërkombëtar. Librat thonë se një udhëheqës e bënë karakteri i fortë, jo vetëm dija. Derisa Qeveria “Kurti 1” u thye nën trysninë e drejtpërdrejtë të emisarit Grenell dhe presidentit të atëhershëm, sot i njëjti paralajmëron Evropën që të ruaj lojën e vjetër dhe trysninë mbi kryeministrin e ri.

A do të laj pjatat e të tjerëve Albini? A do të këndojë? Apo, mund të vazhdojë të jetë Albin, dhe të ndërrojë rregullat e lojës sikurse bëri edhe në politikën kosovare? Dikur, pat deklaruar se “dialogu me kushtet e armikut, është dorëzim”. Historia krijohet, duke ndërruar lojën, ose përsëritet! Cila është fuqia reale, politike e liderit të ri, kosovar?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat