Asetet ekonomike dhe industriale të Kosovës u shkatërruan me vetëdije politike

Opinione

Asetet ekonomike dhe industriale të Kosovës u shkatërruan me vetëdije politike

Nga: Ismail Muçiqi Më: 3 mars 2021 Në ora: 20:09
Ismail Muçiqi

Ideologji të mbrapshtë nga paslufta kishin strukturat politike që përmes privatizimit e shkatërruan ekonominë e Kosovës. Mendoj se një nga çështjet më prioritare në Kosovë është analiza profesionale, shkencore dhe materialo-financiare e procesit të agjencisë së privatizimit. Kosova në federatën ish jugosllave, e cila kishte statusin e krahinës autonome edhe përkundër shumë çështjeve të pa zgjidhura të karakterit politikë dhe juridikë arriti që në masë të konsiderueshme ta zhvillojë ekonominë e saj. Kapacitetet ekonomike dhe industriale të cilat u ndërtuan me mundin dhe djersën e klasës punëtore dhe me angazhimin parimorë të udhëheqjes politike të asaj kohe arritën një shkallë solide në ngritjen e standardit të jetesës të qytetareve të cilët me mençurin e tyre dhe duke ngritur vetëdijen politike dhe kombëtare brenda një kohe optimale arritën të kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomiko-shoqëror të Kosovës.

Kështu në Kosovë u ndërtuan fabrikat të shumta.. Fabrika “Metallac” në Janjevë Fabrika e Munucionit në Skenderaj, Fabrika Metaliku në Gjakovë, Fabrika e Përpunimit të Llamarinës në Vushtrri, Fabrika e Elektro-motorëve në Gjakovë, Fabrika e Baterive në Gjilan, Industria e Akumulatoreve në Mitrovicë, Industria Kimike në Mitrovicë, Fabrika e ngjyrave, “Extra” Vushtrri, Fabrika Metaliku në Deçan, Fabrika e Enëve në Prizren, Fabrika e Coca-Coles në Lipjan, në Ferizaj u ndërtua Fabrika e Tubave të çeliktë, Fabrika e Drurit dhe e vajit në Ferizaj, Fabrika e Tullave Ringo, Pejë, Fabrika e Tullave në Prishtinë. Po ashtu në Kaqanikë është ndërtuar Fabrika e Gëlqeres, Fabrika e Cimentos në Han të Elezit. Në Gjilan është ndërtuar Fabrika e Perdeve, ndërsa në Mitrovicë Fabrika e Plehrave azotike. Nuk duhet të harruar Fabrikën e Teksilit “Printex” në Prizren, në Suharekë Fabrika e Rripave të Gomave, ajo e lëngjeve. Fabrika e Armaturës në Podujevë, Fabrika e Ferronikelit në Drenas, Fabrika e Auto pjesëve në Pejë, Fabrika e Miellit në Fushë Kosovë, Fabrika e Tapetave në Prishtinë, gjiganti i Amortizatorëve në Prishtinë, Fabrika e Sheqerit në Pejë, ajo e letrës në Lipjan, Fabrika e Ngjyrave në Vushtrri, Fabrika e Birrës në Pejë, Fabrika e Lëngjeve në Gjakovë, Fabrika “Zastava”, industri e rëndë në Pejë, në Istog u ndërtua Hidrocentrali Drita dhe Fabrika e Tepiheve në Vrellë. Këto ishin vetëm disa nga asetet ekonomike të cilat u ndërtuan, punuan dhe prodhuan duke qenë krah i fortë i zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomiko-shoqëror të Kosovës. Në këto fabrika, në të cilat ishin të punësuar me qindra mija punëtor i dhanë emër dhe identitet Kosovës, prodhimet e të cilave u eksportuan gjithandej shteteve të Ballkanit dhe më gjere.

Pas luftës Kosovës i ndodhi një fatkeqësi e pa riparueshme, klasa politike e cila e qeverisi vendin themeloi agjencinë e privatizimit në bashkëpunim me UNM/en dhe pa përfillje të kritereve dhe pa politikë të qartë i lanë në rrugë mijëra e mijëra punëtorë, duke filluar procesin e privatizimit proces ky i dështuar dhe i kriminalizuar. Kështu, fabrikave përmes privatizimit iu ndrrua destinacioni ato u shitën me çmime qesharake, ku blerësit kryesorë ishin grupet e interesit të politikës përkatëse të lidhura me mafinë ekonomike. Duhet përmendur se përgjegjësin kryesore në privatizimin e aseteve të qytetarëve të Kosovës e mbajnë bordet e zgjedhura nga politika, të cilat ishin në shërbim të grupeve të interesit politik.

Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës, e cila mori votën e qytetarëve duke iu premtuar atyre se do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, do ta nxisë dhe stimulojë sundimin e ligjit, ka për detyrë që ta analizojë dhe hetojë punën e agjensionit të privatizimit në Kosovë. Vetëm kështu do të dalin në shesh të gjitha deformimet që i ndodhen Kosovës në shkatërrimin e pasurisë, duke shkelur ligjin për përfitime personale të politikave, klaneve dhe grupet të interesit. Prandaj, në fund po theksojmë se asetet ekonomike dhe industriale të Kosovës nuk kishin ideologji politike, por ishin ambar i popullit të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat