Anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare vazhdon të mbetet një prioritet kyç për Kosovën!

Opinione

Anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare vazhdon të mbetet një prioritet kyç për Kosovën!

Nga: Prof. As. Dr. Nijazi Halili Më: 5 mars 2021 Në ora: 18:30
Nijazi Halili

Anëtarësimi në Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare vazhdon të mbetet një prioritet kyç për Kosovën, pasi që konsiderohet si një proces vendimtar për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtar të vendit si dhe për të përfituar nga mundësitë, që ofron secila organizatë për zhvillimin ekonomik, politik dhe social.

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një vend i pavarur dhe sovran nga vendimmarrësit vendorë, por edhe shumica e shoqërisë kosovare vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së aspiratës së vendit për t'u bashkuar me BE-në, NATO-n dhe OKB-në.

Në Kosovë nuk ekziston asnjë parti politike apo iniciativë qytetare, që mbështet orientim tjetër alternativ nga ai i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të plotë të vendit në strukturat euro-atlantike.

Të gjitha sondazhet më kredibile ndërkombëtare, siç është edhe ai i Pew Research Center kanë dëshmuar se shqiptarët janë populli më pro-amerikan, përderisa anëtarësimi në Bashkimi Evropian dhe NATO ka mbështetje absolute nga Institucionet dhe populli.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, Kosova është bërë anëtare e plotë dhe me të drejta të barabarta në mbi 60 organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Brenda ekzistencës së saj dhjetë vjeçare, Kosova ka arritur që të ketë një shtrirje të gjerë diplomatike pothuaj në çdo cep të botës.

Njohja më e re është nga shteti i Izraelit, si rezulltati i arritjes së marrëveshjes me Serbinë në Washington, me 4 shtator 2020.

Njohja nga shteti i Izraelit mund të sjell njohje të reja.

Besoj fuqishëm se pajtimi për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe njohja nga Izraeli, mund t’i sjellë njohje të reja Kosovës.

Kjo do t’u hapë rrugë njohjeve të reja, njohjeve ndoshta të shteteve që kanë hezituar, por nuk e kanë kundërshtuar aq shumë pavarësinë e Kosovës.

Autori është anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhd Arte

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat