Serbia sulmonte Prekazin, e thirra Xhemajl Mustafën dhe Enver Malokun

Opinione

Serbia sulmonte Prekazin, e thirra Xhemajl Mustafën dhe Enver Malokun

Skënder Karaçica Nga Skënder Karaçica Më 5 mars 2021 Në ora: 20:29
Lufta në Prekaz

Mëngjes në Drenicë. Ishte marsi historik kur nga të gjitha anët Serbia fashiste ia kishte mësyer Drenicës dhe Prekazit për të bërë flakë e hi. Vinin nga drejtimi i Kamaranit kolona e motorizuar ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë së Slobodan Millosheviq, pikën e logjistikës ushtarake e kishte vërë në hartën e Drenicës dhe Prekazit të Adem Jasharit.

Qëndroja vetë në banesën time në Gllogoc. Atë kohë raportoja në cilësinë e korrespodentit për të gjitha ngjarjet e krismave të pushkëve të djelmenisë së UÇK-së në Drenicë. Ishte ora pesë e mëngjesit kur në rrugën Kamaran-Gllogovc vinin pajada kolona e motorizuar ushtarako-policore dhe paramilitare me teknikën e rëndë dhe me autobusë nga Serbia, që ia kishin mësyer Prekazit. Në të dy anët e rrugës shihej tymi i makinerisë dhe zhurma e zingjirëve të tankeve të ushtrisë në drejtim të një shtëpia të vetme në Prekaz, ku shërbimet sekrete serbe ia kishin vërë pikën e kuqe të sulmit.

Serbia fashiste kishte vendosur të asgjësojë një familje të vetme në Drenicë. E pengonte qëndresa dhe përgatitja e Adem dhe Hamëz Jashari, që të flijohen për tokën, pragun dhe lirinë e Kosovës...! Nuk kemi se ku të shkojmë përtej kësaj toke dhe të pragut të shtëpisë, thoshte Baca Shaban Jashari në një takim në odën e tij në Prekat të Drenicës, që e pata për nder të jem afër tij në ballë të oxhakut me burrat e kësaj ane që kishin ardhur të vizitojnë pas sulmit të parë të forcave të Serbisë.

Ishte ora tetë e mëngjesit 1998.Në Prekaz dëgjohen krismat e armatimit të ushtrisë së Serbisë. Shihej tymi që mbulonte qiellin e Drenicës. Krismë dhe tym, dridhej toka...!Heshtja kishte mbuluar tokën dhe tërë jeta kishte marrë ritmin e “simfonisë së vdekjes”. Kishte ardhur një shtet të vrasë dhe të djegë tërë shpirtin e shqiptarëve në skenarin fashist për (tokën e djegur)të Kosovës heroike.

Nisi lufta e një shteti fashist me një familje heroike Adem dhe Hamëz Jashari në Prekaz të Drenicës. Krismat nuk ndalen, tymi i flakës së luftës shkonte lartë në qiell dhe sikur niste mesazhin në botë se Drenica po digjet, Prekazi po vritet nga dora fashiste e Slobodan Millosheviq. Bota nisi e po dëgjon e po sheh se si një familje po lufton me një shtet të Serbisë, që në kronikat historike shpeshherë toka e Drenicës është djegur e kolonizuar nga regjimet e Serbisë fashiste. Këtë e dinë më së miri analet e historisë të shekullit të kaluar të mbushura me orët e historisë të luftës, të gjakut dhe të skenarëve të shfarosjes deri në substancën kombëtare dhe të shkallës së gjenocidit.

Nuk po ndalën krismat në Prekaz. Nuk ndalej tymi dhe flaka e luftës. Gjëmon toka dhe tërë drenicasit e mi ishin bërë sy më sy me vdekjen që e kishte projektuar regjimi vrastar i Serbisë.

Tiktaket e orës shkonin me akrepat në orën dhjetë. Krismat nuk ndalen dhe flaka e luftës kishte mbështjell me velin e zi të vdekjes Drenicën e Adem e Hamëz Jashari. Në këto çaste dhe vetmia në banesën time më shtrëngonin shpirtin. Çfarë po ndodhë sot në Prekaz dhe çfarë do të ndodhë me Drenicën tonë, kështu me thoshte shpirti i trazuar para skenarëve të shfarosjes së një familje me një shtet...!

Në këto çaste të rënda e thërras fqinjin tim Ahmet Morina, i cili në linjën e UÇK-së ishte në krah të Shtabit të Përgjithshëm dhe i them të ma jep numrin e telefonit të dy figurave të njohura të presidentit Ibrahim Rugova të Xhemajl Mustafës dhe Enver Malokut, që të njoftoj për ngjarjen e flakës së luftës dhe të shfarosjes së familjes Jashari në Prekaz të Drenicës.

Bie zilja e telefonit në shtëpinë e Xhemajl Mustafës në Prishtinë dhe e para që lajmërohet ishte bashkëshortja e tij. Prezantohem nga Gllogoci në cilësinë e korrespodentit dhe i them se njihem nga afër me Xhemën të lutem kam një lajm nga Drenica...Dhe, menjëherë lajmërohet Xhemajl Mustafa sikur ia ndjente zemra se diçka e rëndë kishte ndodhur në këtë anë të Drenicës dhe lufta e pabarabartë në mes UÇK-së dhe forcave ushtarako-policore dhe paramilitare të Serbisë. Ai në heshtje priste lajmin e rëndë. Unë i them shkurt, gati-gati si në trajtën e logjistikës ushtarake:

- Xhemajl, sot po digjet flakë Drenica! Sot po digjet fshati Prekaz i Adem dhe Hamëz Jasharit...!Të lajmëroj nga Gllogoci dhe tashti merrni masat të jetë në dijeni presidenti Ibrahim Rugova dhe tërë trupi udhëheqës i kohës në Kosovë.

-Menjëherë do të bëj me dije presidentin Rugova, më tha në përgjigjen e tij Xhemajl Mustafa.

Po atë ditë, me lajmin e krismës së luftës në Drenicë dhe Prekazi në flakë e kam njoftuar Enver Malokun, udhëheqin e QIK-ut që përmes lajmit ai e njoftonte botën dhe kancelaritë në Bruksel dhe Washington për ofensivat barbare deri në shkallë të gjenocidit nga makineria fashiste e Serbisë.

Për flakën e luftës në Drenicë dhe Prekaz, lajmi im si gazetar trokiti në zemrën e dy figurave të kombit Xhemajl Mustafa dhe Enver Maloku, që të alarmohet bota demokratike dhe Brukseli e Washingtoni, për marshimin ushtarako-policor e paramilitar për të shfarosur deri në substancë shqiptarët dhe për të shuar një familje kryengritëse për lirinë e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat