Kush do t’u thotë?

Opinione

Kush do t’u thotë?

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 6 mars 2021 Në ora: 16:21
Prof. Dr. Zija Lleshi

Para pak dite Presidenti i Francës, Macron, i nderoi katër të rinjë algjerian duke i ftuar për vizitë në rezidencën e tij dhe u tha sinqerisht, me keqardhjen më të thellë e troç: “Ushtarët françez iu vranë gjyshëritë e juaj” (“Les soldats français ont tué vos grands-pères”). Me vetëkritikë të hapët para këtyre nipërve dhe para tërë botës, e me guximin e sinqeritetin më të madh e pranoi më tutje se ushtarët françez i kanë vrarë luftarët e lirisë e të çlirimit (“Les soldats français ont tué des combattants de la liberté et de la libération”). U ofroi përkrahje rreth gjetjës dhe identifikimit të kufomave për të pagjeturit, dhe u ofroi ndihma tjera. Ishte ky një gjest eklatant e konfirmim pendimi “par excellance et à la française” dhe kërkimfalje më subtile e një vigani President nipërve të algjerianëve të vrarë, luftarëve të lirisë e të çlirimit, që zgjoi shumë emocione në botë. Një goditje vdekjepruese konceptit të (ri)okupatorëve dhe (ri)kolonizatorëve më kokëfort kudo në botë. Kishte poashtu për qellim në politiken e brendshme që të shtensionojë marrëdhënjet e Francës me Algjerinë disi të ngarkuara akoma edhe sot, pas epokës së dekolonizimeve në botë.

E neve? Neve?... E bijëve, bijave e nipërve shqiptarë, kush do t´u thotë se ushtarët serb iu vranë baballarët dhe gjyshëritë e juaj? Kush do t´u thot, këtë? Kush do t´u thotë se ushtarët serb iu vranë luftëtarët e lirisë e të çlirimit (definimi nga Macron: “des combattants de la liberté et de la libération”), luftëtarët e UÇK-ës? Kush do t´u thotë? Kush do t´u thotë se iu kanë vrarë jo vetëm ata luftëtarë të lirisë e të çlirimit që i kanë takuar, por iu kanë vrarë nënë e babë, vëllëzër e motra, pleqë e fëmijë dhe këdo shqiptar, vetëm sepse ishte shqiptar, e që e kanë gjetur të gjallë në ato shtëpi të civilëve të sulmuar barbarisht nga ushtria serbe? Kush do t´u thotë nipërve të Jasharajve, në këto ditë përkujtimi, apo kurdoqoftë, se në Masakrën e Prekazit (Masakra e Jasharajve) për shkak të një luftëtari, në fakt të një heroi të lirisë e të çlrimit, në shtëpinë e juaj ushtarët e Serbisë iu vranë nënat, baballarët, gjyshet, gjyshërit, dajallarët e mixhallarët, tezet, hallet, pleqë, të rinjë dhe fëmijë (10 fëmijë, të cilët nuk gjetën shpëtim as në kërkim të strehimit nën tavolinë të bukës!!) e këdo shqiptar që është gjindur i gjallë në atë shtëpi, përnjëherë e të gjithë, 59 antarë ? Kush? Kush? Kush do t´u thotë? Kush?

Kush do t´u thotë nipërve të familjeve në Masakrën e Mejës (vrasje masive, 372 civil, meshkuj shqiptarë të gjithë, të veçuar nga grupi ku ishin edhe femrat), pastaj nipërve të familjeve në maskrat e Reçakut, Izbicës, Rezallës, Dubravës, Krushës Madhe (Rahovecit), Rugovës Hasit, Studimes (Vushtrisë), e nipërve të shumë familjeve në shumë masakra tjera? Kush? Kush do t´u thotë se ushtarët serb në Maskrën e Suharekës i kishin mbyllur në një lokal-pizzeri në Suharekë civilët e pafajshëm shqiptarë, 48 veta, në mesin e tyre 14 fëmijë nën moshën 15 vjeç, ku 46 anëtarë ishin vetëm të një familje, të familjes Berisha (vetëm sepse më parë kjo familje u kishte dhënë me qera njërën nga shtëpitë e tyre vëzhguesëve të OSB, të cilët më nuk ndodheshin aty) dhe nga jashtë e kishin sulmuar pandërprerë lokalin me granata dore e me automatik, kurse kufomat (48 veta) më pastaj i kishin transportuar me kamiona-frigorifer jashtë Kosove, kah Serbia? Të fshihet ashtu numri masiv i të gjitha atyre viktimave si dëshmi e gjenocidit si dhe të mos gjindën jo vetëm të gjallë por as të vdekur në tokën e tyre stërgjyshore, këtë kush do t´u thotë?

Vuçiqi sigurisht që jo. As Daçiqi. Vuçiqi, Ministër i asaj Qeverie mbanë edhe vetë përgjegjësi historike për këto vrasje të shqiptarëve të pafajshëm e çlirimtarë, kurse Daçiqi, zëdhënës dhe dora e djathët e Millosheviqit, para pak kohe shkoi akoma më larg dhe u kërcnua rreptësisht atyre serbëve të ndershëm civil që do të tregonin shqiptarëve vendin ku gjinden kufomat e të afërmëve shqiptarë akoma të pagjetur deri tani. Kush do t´u thotë që, sikurse edhe paraardhësit e tyre, ushtarët serb gjatë luftës parë e të dytë ballkanike të cilët kishin kryer gjenocid e u kishin vrarë shqiptarëve jo vetëm gjyshër, por gjyshër e stërgjyshër, poashtu edhe këta ushtarë serb të tanishëm iu vranë “des combattants de la liberté et de la libération” kudo që takuan, kurse në shtëpitë e juaja çdo civil të gjallë, pleqë, fëmijë, nëna, baballarë e mixhallarë dhe familjarë tjerë, iu përdhunuan seksualisht motrat e nënat e jueja dhe mandej shumë prej tyre të gjalla i hudhën në puse, femrave shqiptare shatëzane iu shkyen barkun me bajoneta dhe mandej i vranë, e 1001 (njëmijenjë) barbarizma, masakra e egërsira tjera të zeza e më të zeza, të cilat nuk i nxenë të shkruhen në këto pak faqe të këtyre letrave të bardha, masakra që kishin për qellim pastrimin etnik të territorit ku dhunëshëm edhe dëbuan afër një miljon shqiptarë nga territori i Kosovës, me metoda të agresionit gjenocidal që tejkalojnë metodat më të egra nazifashiste në luftën e dytë botrore. Kush do t´u thotë? Kush? Për të gjitha këto, e shumë të tjera të ngjashme me këto, kush do t´u thot? Ishin këta ushtarë serb të frymëzuar, të nxitur e të inkurajuar edhe nga klerofashizmi i Kishës Ortodokse Serbe, si gjithmonë, e të rekrutuar nga serbomëdhenjët e ideologët e trashëgimtarëve ekspansionist të Pashallukut të Beogradit, shtetit serb që në vitin 1817 shtrihej vetëm në dimensionet rreth Beogradit, siç dëshmon edhe harta gjeografike e Enciklopedisë ruse, ushtarë serb të shtetit, shtetit i cili duke vrarë e duke prerë shqiptarë u zgjeruar prej rrethit Beogradit kah jugu, në Kosovë, dhe aneksoi më 1912 edhe Kosovën.

Sikur të mos ishte i majftueshëm i gjithë ky eskspansion i Serbisë Madhe përtej çdo mase në dëm të shqiptarëve, tani Vuçiqi, i dehur nga entuzuiazmi i ekspansioneve të më herëshme serbomadhe, ëndërron një asi lloj dialogu, të cilit i ka dhënë një emërtim engjëllor “Kompromis”, për të mshefur qellimin e tij madhor, atë qellim krejtësisht djallëzor, që ai e emërton “pjesë të mjaftueshme”, për të marr akoma edhe ndonjë pjesë të territorit të çliruar të Kosovës, në pangopësinë ekspansioniste të tij për “Serbinë e Madhe e më të Madhe”, e cila dikur kishte vetëm dimensionet e Pashallukut të Beogradit. Në këtë mënyrë Serbia e ka menduar idén që bashkarisht me Kosovën (Shiqoni kontraverzën! Këtu Kosovën Serbia e pranon si shtet!), si dy shtete, të ndajnë tërësinë në dy “pjesë të mjaftueshme” për secilin. Për Kosovën kjo dé do të kishte pasoja edhe shumë më tepër se kaq, sepse Serbia nuk do të rezultonte më okupatore e kolonialiste me agresionin e saj gjenocidal, por do të justifikohej agresioni, që ky është këtu qellimi primar i Serbisë për shfajsim, dhe Serbia do të dilte si çlirimtare e luftëtare në rrugëtimin dhe luftën për hisen që do ta merrte e që duheka t´i takonte e për të cilën ia vlente të luftonte. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Vuçiqit në këtë çështje sepse kështu do të ndërrohej karakteri i agresionit dhe i luftës. Qoftë edhe 1 metër katror për Vuciqin kjo do të ishte “ e mjaftueshme” e në fakt artë. Për këtë arsye Vuçiqi në kohën e fundit ka filluar në retoriken e vetë të flet akoma më abstrakt e më turbullt, të flet përgjithësisht e asgjë saktësisht, përgjithësisht e asgjë përcaktueshëm, lidhur me “të mjafueshmen”, duke mshefur e kamuflluar djallin “nën kapuç” deri te marrëveshja, e duke thënë tani përgjithësueshëm: “Nikome sve, a svakome dovoljno” (“Askujt të gjitha, dhe të gjithëve mjaftueshëm”) pa e përcaktuar objektin dhe pa e kuantifikuar atë. Shiquar ca më gjerë, po t´u binte në vesh ajo deklaratë e Vuçiqit për “të mjaftueshmen” atyre nipërve algjerian, pas bisedës që kanë pasur me Presidentin Macron, mund të besohet se ata do të mendonin: “À-propos de quoi est-il “suffisant”, Mrs Vuçiq? Est-ce à cause de décolonisation partiell?” (Në lidhje me çka është “mjaftueshëm”, zoti Vuçiq? Është për shkak të dekolonizimit të pjesërishëm?)

Atë marrëveshje nga dialogu mandej le t´a pranueka Kryeministri i Kosovës, tash d.t.th.i bie Albinit, që ta nënshkruajë me Vuçiqin (Auuu, Auuu, Auu!..Shih Ti, shih !.. Ku pikërisht Albinit?!! Ku tani pikërisht këso marrëveshje për nënshkrim këtij luftëtari të madh të lirisë dhe të çlirimit, “le combattant de la liberté et de la libération”, luftëtarit pikërisht edhe kundër marrëveshjeve të këtilla, e i cili për shkak të luftës për liri dhe çlirim u torturuar gadi deri në vdekje në burgjet e Serbisë?!). E mandej kuptohet, e gjithë ajo histori e agresionit gjenocidal mbi shqiptarët nga ana e ushtarëve serb të tejkalohej në heshtje e në miradije reciproke e ndërkombëtare. Nonsens deri në absurd i dimensionit të këtill nuk është dëgjuar kurrë as nga Franca e dikurshme e as nga ndonjë kolonizator tjetër dhe vrasës i luftëtarëve të lirisë e të çlirimit në botë. Madje për këtë shkelje flagrante të Ligjit Ndërkombëtar për Mbrojtje të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (LNMDLNJ) përpiqet Serbia të tërhjek kah vedi për përkrahje dhe të ketë bekimin dhe garancën nga EU, USA dhe organizma tjerë relevant ndërkombëtarë, edhepse juridikisht dhe poliikisht këtyre do t´u bie përgjegjësia ligjore dhe ndëshkimi për atë përkrahje. Por çdo gjë prapseprap e përsëri çon në fillim, në pyetjën që kurrë nuk harrohet dhe nuk tejkalohet dot: kush do t´u thot bijëve, bijave e nipërve shqiptarë se ushtarët serb iu vranë baballarët dhe gjyshëritë e stërgjyshërit e juaj, iu vranë nënë e babë, vëllëzër e motra, dajallarë e mixhallarë, familjarë tjerë dhe këdo që kanë gjetur të gjallë në shtëpitë e juaja, vetëm pse ishin shqiptarë? Këtë, kush dhe kur do t´u thotë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat