Mësuesi ynë i historisë,dëshmor i atdheut

Opinione

Mësuesi ynë i historisë,dëshmor i atdheut

Nga: Dibran Demaku Më: 8 mars 2021 Në ora: 11:20
Dibran Demaku

Në vjeshtën e largët të vitit 1968,kur ne tashmë kishim filluar klasën e pestë të shkollës fillore,kishim më shumë mësues.Pothuajse për çdo lėndë mësimotr kishim nga një mësues.

Kështu ne kishim edhe një mësues të historisë,i cili që në orët e para do të na dukej disi krejt i veçantë.Lëndën e historisë e ligjëronte me një dashuri të veçantë.

Në një orë mësimi,ai,pra mësuesi ynë i historisë do të fliste edhe për prejardhjen e tonë dhe të parëve tonë.Ne e dëgjonim rrëfimin e mësuesit tonë si të dëgjonim një përrallë të bukur.Them përrallë,sepse përralla përpihet dhe zë vend në trurin e atyre që e dëgjojnë.Dhe ju që i lexoni këto radhë do të ju kujtohet ndonjë përrallë që e keni dëgjuar shumë vite më parë dhe që edhe pas gjithë atyre viteve atë,pra përrallën,mund ta kujtoni dhe ta reprodukoni fjalë për fjalë,ashtu siç e keni dëgjuar për herë të parë.Edhe historinë që na e mësonte mësuesi ynë,ne nxënësit e tij e regjistronim në trurin tonë fjalë për fjalë.

Veçse një ditë në klasën tonë ndodhi një ngjarje interesante:Atë ditë mësuesi ynë po e ligjëronte mësimin për prejardhjen tonë dhe të parëve tonë.Mėsuesi ynë i historisë po thonte se ne dhe të parët tonë e kishim prejardhjen nga Ilirët.Ne që po e dëgjonim,ashtu në heshtje sikur nuk po besonim për atë çfarë thonte mësuesi ynë i historisë.Vetëm një apo dy vite më parë ne na ishte thënë nga mësuesi  i mëparëshëm se ne dhe të parët tonë kishim prejardhje nga sllavët e jugut?!Dhe jo që na kishte thënë mësuesi ynë,por kështu shkruante në librin Dituri natyre dhe shoqërie.

Ndërkaq tash mësuesi ynë i historisë po thonte diç tjetër.

Ai,pra,mësuesi ynë i historisë fliste e fliste ndërkaq ne nxënësit shikonim njëri-thetrin.Ato shikime tona mbase donin të thonin se ne nuk pajtoheshim me ato çfarë thonte mësuesi ynë,por sikur nuk donim ta ndërprisnim rrëfimin e bukur të tij.Megjithate,njëri nga nxënësit andej nga fundi i klasës kishte ngritur dy gishtrinj,shenjë kjo që do të thonte se ai do të pyeste mësuesin diçka.Mësuesi e kishte vërejtur dhe pasi kishte ndërprerë ligjëratën e tij i kishte dhënë nxënësit leje që të fliste.Nxënësi ishte ngritur,dhe disi duke u dridhur,ne një zë të mekët që mezi dëgjohej ju kishte drejtuar mësuesit:-I dashur mësues,mësuesi i mëparshëm na kishte thënë se ne shqiptarët e Kosovës e kemi prejardhjen nga sllavët e jugut.Dhe jo vetëm mësuesi,por kështu e kemi mësuar nga libri Dituri natyre e shoqërie.Ku qëndron këtu e vërteta?!

Mësuesi ynë i historisë për disa çaste nuk e foli asnjë fjalë.Vetëm shëtiste nëpër hapësirat në mes të bankave tona.U ndal para dërrasës së zezë dhe na u drejtua:-Kështu ishte më parë,por tash kanë ndryshuar kohërat.Edhe nëse unë ua shpjegoj këtë,ju mbase nuk do ta kuptoni.Ajo që duhet ta kuptoni dhe ta mësoni tash e tutje është kjo që po ju them unë:ne dhe të parët tanë jemi pasardhës të Ilirëve.Kemi kohë dhe së bashku do të mësojmë edhe shumë gjëra të tjera,që deri para pak vitesh nuk guxonim as t‘i ëndërronim.Mbase mësuesi ynë i historisë do të vazhdonte dhe të fliste edhe më,por kishte rënë zilja që tregonte se ora mësimore kishte përfunduar.

Në orët tjera të historisë mësuesi ynë na mësonte për historinë tonë të dhimbëshme,por krenare.Në një orë mësimi na foli për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe bëmat e tij për atdheun.Dhe jo vetëm për të,por edhe për shumë të tjerë,të cilët kishin dhënë gjithçka kishin,edhe jetën e tyre për lirinë dhe mbijetesën e kombit tonë.

Njëherë tjetër në përfundim të një ore mësimore të historisë na tha se secili njeri e ka borgj dhe nder të luftojë dhe edhe të bie theror për atdheun dhe kombin e tij...

Ishte kjo porosi apo si të thuash amanet i tij,nuk dihet.Por ajo që dihet është se mësuesi ynë i historisë ra në luftën e fundit për lirinë tonë.Dhe jo vetëm kaq.Ai,pra,mësuesi ynë i historisë për lirinë e atdheut i fali edhe dy nga bijtë e tij.
Sot ai dhe bijtë e tij,dëshmorë,bëjnë dritë në altarin e lirisë sonë!...

Dhe krejt në fund:Mësuesi ynë i historisë kishte emër dhe mbiemër:emrin e kishte Daut dhe mbiemrin:Halilaj...Besoj se edhe kaq mjafton...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat