Ambasadore në Izrael, Luljeta Pula !

Opinione

Ambasadore në Izrael, Luljeta Pula !

Nga: Prof.Dr. Mehdi HYSENI Më: 10 mars 2021 Në ora: 08:39
Prof.Dr. Mehdi Hyseni

*** Ndërkaq, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Veton Surroi. Ndryshe, “çelësi partiak” , vështirë se, do të “kryejë punë” në transformimin dhe në modernizimin  e kësaj Ministrie.

*** Nëse pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, formohet ndonjë qeveri normale  demokratike, ku do të sundojë  ligji dhe drejtësia, që janë garanci për zhvillimin e gjithëmbarshëm dhe për interest vitale të shtetit të Kosovës, atëherë, do të duhej që Ministër i Jashtëm i Kosovës, të emërohej publicisti i njohur Veton Surroi. Ndërkaq, ambasadore në Izrael, të emërohej Prof.Dr. Lulejta (Pula)  Beqiri. –Inatet ndërpartiake të mbeten anash, dituria, aftësia, etika dhe profesionalizmit i profilizuar në plan të pare.-Jo nepotizmi dhe provincializmi feudal fisnor.

Sipas angazhimit, kontributit dhe meritave të saj në veprimtarinë politike, kombëtare dhe atdhetare (1990-2021), Prof.Dr. Luljeta Pula – Beqiri, do të duhej të kishte qenë  nga gratë e para në Kosovë (qoftë kryeministre, presidente, kryekuvendare, ministre, deputete apo ambasadore), sepse i plotëson të gjitha kushtet me ligj e me kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, si duket e ka penguar  logjika e kalbur e konceptit lokalist primitiv, edhe pse kjo është lindur në Prishtinë nga prindërit  e emancipuar  me universitet, patriotë e atdhetarë shqiptarë. Mirëfilli, kjo lozë e prindërve të arsimuar të saj ndikoi pozitivisht, që Lulejta Pula të edukohej dhe të arsimohej në frymën e shëndoshë patriotike dhe atdhetare sikurse prindërit e saj.

Njeriu i mirë, trim dhe i urtë njihet në kohë të vështirë !

Në këtë vështrim, duhet të përmendim Prof.Dr. Lulejta (Pula) Beqiri, e cila në prill të vitit 1990 vete në Beograd për t’u ballafaquar me disa panelistë serbë  në  emisionin “Porota”,  të organizuar nga RTVB, ku merrnin pjesë disa mjekë  dhe ekspertë serbë  të Beogradit lidhur me ngjarjen e helmimit të nxënësve shqiptarë në Kosovë më 21  dhe më 23 mars të vitit 1990, me ç’rast helmohen mbi “4000 nxënës e studentë,ku ndër ta nga helmimi gjeti vdekjen nxënësja  Selvie Hoti, për shkak se policia serbe nuk lejoi dhënien e ndihmës mjekësore me kohë.”

E pabesueshme, Lulejtën nuk e shoqëronte asnjë mjek  dhe, asnjë lider politik shqiptar nga Prishtina !?

Mirëpo, edhe pse kjo ishte e vetmuar nuk u frikësua e as nuk ngurroi që bashkëpanelistëve serbë t’ua përplaste në fytyrë të VËRTETËN  së në Kosovë (brenda muajit mars 1990) ishin helmuar mbi “4000 nxënës e studentë shqiptarë” nga regjimi pushtues i Slobodan MIlosheviqit. Ndonëse këtë të VËRTETË  nuk e pranonin bashkëbiseduesit e saj serbë, megjithatë, ata u  treguan shumë korrektë, të sjellshëm dhe parlamentarë  ndaj Prof.Dr.Luljeta Pulës, duke mos shkaktuar asnjë incident verbal.

Luljeta Pulës nuk iu tremb syri nga bashkëpanelistët, por qëndroi si heroinë në Betejë  

Edhe pse në Kosovë, gjendja ishte shumë e tendosur, ku digjej edhe hekuri, Lulejta pati guximin të vete në Beograd, dhe t’u thoshte serbomëdhenjve se, ju jeni ata, që helmuat fëmijët, nxënësit dhe studentët shqiptarë në Kosovë.  Vërtet, ky ishte një akt heroik dhe i guximshëm, që as ultranacionalistët më të regjur nuk e kanë pritur, se një shqiptare nga Prishtina, do të kishte guximin që të vinte në RTVB pa asnjë përcjellje , dhe, pa u frikësuar t’ua thoshte të  VËRTETËN për helmimin e nxënësve dhe të studnetëve shqiptarë në Kosovë (mars 1990).

Në atë panel për helmimet në Kosovë, të quajtur “Porota” në RTVB,  edhe pse Prof.Dr. Lulejta Pula u ndodh ballëpërballë ndaj 5 bashkëbiseduesve serbë, qëndroi e pathyeshme, e pafrikësuar, dinjitoze, profesioniste e hollë, gjatë përqartësimit të fakteve dhe të argumenteve të qëndrueshme se, në Kosovë kishte pasur helmime të nxënësve dhe të studentëve shqiptarë. Prezantimi profesionist  i saj si kimiste ishte brilant saqë i befasoi edhe bashkëpanelistët serbë (mjekë dhe ekspertë të fushave të tjera shkencore, që kanë të bëjnë me helmimet).

Gjatë debatit në këtë panel,  bashkëpanelistët serbë,  e mbrojtën versionin e tyre se në “ Kosove nuk ka pasur helmime”, mirëpo, u sollen korrekt ndaj Prof.Dr. Luljeta Pula, pa ndërhyrje, pa britma dhe pa arrogancë. Ky  ishte emëruesi i kulutrës së dialogimit demokratik parlamentar  në atë panel, para tri dekadave ( dekada e fundit e shekullit XX, viti 1990).

Kush e margjinalizoi Luljetën nga skena politike ?

Sipas të të dhënave biografike të https://sq.wikipedia.org/wiki/Luljeta_Pula_Beqiri :

“Luljeta, veprimtarinë e saj kombëtare e filloi qysh në moshën 16 vjeçare, kur edhe iu bashkua demonstratës së vitit 1968, për ta vazhduar aktivitetin deri në ditët sotme.

Luljeta Pula ishte themeluese e Shoqatës së Gruas më 1990 dhe kryetare e Shoqatës së Gruas, e emëruar nga Këshilli iniciues përgjatë viteve 1990-1991. Ajo nuk u pajtua që Shoqata e Gruas të jetë nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pas një viti dha dorëheqje në shenjë pakënaqësie.

Në periudhën e viteve 1991-1993 u zgjodh nënkryetare e Forumit të Gruas, si dhe në periudhën e viteve 1998-2000 ishte nënkryetare e Forumit Demokratik të Kosovës.

Luljeta ishte kryetarja e parë e Partisë Social-Demokrate të Kosovës, post të cilin e mbajti gjatë viteve 1992-2000. PSDK ishte partia e dytë, pas LDK-së, që u themelua në sistemin e ri pluralist të Kosovës.” (Shih në : Luljeta Pula Beqiri) .

Vetoni Surroi të vihet në ballë Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ndryshe  me të vjetrën “një hap para, 10 prapa” !

Sikur Kosova të kishte pasur qeveri të mirëfilltë demokratike  dhe shtet të mirëfilltë të së drejtës, që nga themelimi i tij (17 shkurt 2008), sigurisht se do të kishte pasur edhe Ministri të Jashtme të mirëfilltë (ambasadorë dhe konsuj profesionistë të kualifikuar me arsim të lartë universitar). 

Mirëpo, meqë ndodhi e kundërta, erdhi në shprehje seleksionimi negativ i kuadrove diplomatike, ku nepotistët, oligarkistët, absolutistët, lokalistët, provincialistët, korrupsionistët, burokratët, në vend të kuadrove profesioniste të dëshmuara (kinse në bazë të çelësit partiak) rekrutuan “ilaket” dhe miqtë e “grixhave” të tyre diletante “diplomatike” dhe “konsullore” : axhustatorë, automekanikë, qebapqinj, berberë, shoferë, tregtarë, burekgjinj…etj. analfabetë në fushën e shkencave të maërrëdhënieve ndërkombëtare.

Kjo përzgjedhje negative e kuadrove diplomatike, Kosovës i kushtoi  shumë  shtrenjtë edhe financiarisht, edhe  në faktorin njeri, sepse  derëbejtë e Kosovës eliminuan një gjeneratë profesionistësh nga fusha e diplomacisë dhe e politikës së jashtme (2008-2021). Kjo është katastrofa e politikës së jashtme të Kosovës, sepse gjatë një dekade u margjinalizuan dhe u diferencuan dhjetra e qindra  diplomatë, politikologë dhe juristë (Mr.Dr. dhe Akademikë), vetëm pse nuk ishin në lidhje nepotiste, sektariste, partiake, mëhallore, korrupsioniste dhe mafioze me “bosët” e shtetit të Kosovës.

Edhe kjo fromë e mohimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është diskriminim dhe krim për dhënie llogari përpara ligjit sikur të kishte shtet demokratik dhe  të sundimit të së dejtës.  Për më tepër, një diferencim dhe margjinalizim i këtillë i kuadrove profesionste diplomatike, do të ndikojë negativisht dhe do të ketë pasoja tek të rinjtë me diploma universiteti (Mr.Dr. dhe Akademikë), kështu që patjetër do të sjellë në pikëpyetje motivimin, edukimin dhe arsimimin e tyre, si dhe investimin dhe justifikimin e mjeteve të shumëta financiare shtetërore për këtë qëllim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat