Humbësi i mbi 60 për qind të votave me ambicie për të udhëhequr-fundosur LDK-në

Opinione

Humbësi i mbi 60 për qind të votave me ambicie për të udhëhequr-fundosur LDK-në

Xhavit Çitaku Nga Xhavit Çitaku Më 10 mars 2021 Në ora: 16:24
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës është në fazën më kritike që nga themelimi i saj. Këtë po e thonë të gjithë, këtë po e vërteton edhe pjesa e shëndosh e këtij subjekti politik. Të këtij mendimi e konstatimi nga shumica që ia dojnë të mirën partisë së parë shqiptare në Kosovë, nuk janë disa figura që në të vërtetë e sollën në këtë gjendje të rëndë e gati të pariparueshme këtë parti e formuar nga Presidenti i saj historik Dr. Ibrahim Rugova. Fajtori kryesor për këtë rënie të thellë padyshim se është Isa Mustafa, i cili rreth veti kishte tubuar disa individë që nuk ua ndiente fort për partinë, por vetëm shikonin interesat e tyre karrieriste, personale e grupore, duke mos ua dhënë rastin gjeneratës së re për të marrë përgjegjësit, për të çuar përpara sukseset në të gjitha fushat. Ç’është e vërteta një grup i ngushtë, i prirë nga Isa Mustafa, dy herë e kandiduan Hotin dhe njëherë Vjosa Osmanin për Kryeminister të Kosovës, mirëpo kjo ishte një farsë e tyre sepse duke mbajtur pozitat e tyre udhëheqëse në parti, këto personalitete, por edhe të tjerët do t’i mbanin nën konmtroll dhe për mosdëgjueshmerinë e tyre do të pasonin masa deri në përjashtimin e tyre. Me këtë taktikë, mund të themi edhe linçuese, po shihet qartë se gjenerata e re nuk mund të ecin në të njëjtën rrugë me gardën e vjetër, për shkak se ky grupi kohë të gjatë në udhëheqje bukur zor e ka me peranuar mendimin ndryshe gjithnjë duke u frikësuar për pozitat e tyre partiake që mund t’i humbin shpejt.

Siç duket edhe kësaj radhe kur kryetari dhe kryesia e kësaj partie kanë dhënë dorëheqje, garda e vjetër nuk mendon të lëshoj pe aq lehtë dhe sërish pretendojnë për të garuar për të parin e këtij subjekti politik. Konkretisht kandidaturën e tij e ka paraqitur edhe Lutfi Haziri, kryetar aktual në komunën e Gjilanit dhe njëherit nënkryetar në dorheqje i Kryesisë së LDK. Nëse vërtetë Lutfi Haziri është i interesuar që të marrë udhëheqjen e LDK, atëherë diçka me të dhe të atyre që po e përkrahin nuk është në rregull, nga i vetmi shkas se LDK pësoi njrën ndër humbjen më të madhe në Komunën e Gjilanit në zgjedhjet e fundit nacionale. Shifra ishte shumë e lartë, e tmerrshme. LVV fitoi mbi 60 për qind të votave. Ky rezultat shumë negativ nuk mund të jetë shpresëdhënës se nëse ai do të zgjidhet kryetar partie, ky subjekt do të mund të ” rehabilitohet” në të ardhmen. Kjo aq më parë kur të kihet parasysh fakti se Lutfiu ishte nënkryetar partie po edhe kryetar komune dhe nuk e pati ndikimin më të vogël për të korrur rezultate, apo më mirë me thënë bile eventualisht për të ruajtur elektoratin që kishte në zgjedhjet e fundit në atë komunë. Kur nuk pati autoritet në komunën e tij, si mendon ai se do të këtë përkrahje në tërë Kosovën, të fitoj besim që është tkurrur pothuajse në minimum. Nëse ia don të mirën LDK, Lutfiu nuk duhet t’i hyjë garës për kryetar partie, ndryshe ky subjekt do të mbetët vetëm si emër në historinë e ekzistimit të partive politike në Kosovë. Besimi duhet t’i jepet gjeneratës së re, e cila ka treguar lidership, ka treguar se i di rrugët e prosperitetit edhe për partinë edhe për vendin në përgjithësi.

Vjosa nuk e lë postin e presidentës për asnjë çmim

Kandidaturën për të parin e LDK-së e ka paraqitur edhe Anton Quni, i cili njëherit është edhe Kryetar dege në Prizren. As Quni nuk mund të lavdërohet për punën e bërë në këtë komunë sepse humbja është e konsiderueshme dhe mu për këtë ai nuk do të duhej të garonte për këtë post. Arsye tjetër që ai nuk duhet të “lakmojë” për të udhëhequr këtë parti politike është se në zgjedhjet e fundit ka marrë 16 mijë vota më pak se sa në zgjedhjet paraprake. Anton Quni e ka gabim kur thotë se nëse ai fiton këtë garë do të bisedojë me u.d. se presidentës Vjosa Osmanin për ta kthyer në LDK. Ky synim i tij faktikisht nuk do të përfundojë me sukses sepse nuk i afrohet asgjë me peshë që do ta bindte Vjosa Osmanin sepse është e qartë se ajo nuk do të tërhiqet nga posti i Presidentes vetëm për t’u rikthyer në shtëpinë e vjetër partiake. Quni duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë se secili politikan synon të arrijë në kulmin e karrierës së tij, përkatësisht të marë postin më të lartë të pushtetit. Këtë rast e ka Vjosa Osmani dhe nuk besoj se ajo do ta humbas këtë për asnjë çmim. Ndaj, ai duhet të paraqet program të pasur e me përmbajtje që do të josh anëtarësinë për t’ia dhënë votën me 14 mars, e jo të ëndërroj diçka të parealizueshme dhe që tek e fundit nuk i ndihmon aspak në elektoratin e LDK-së.

Duke marrë parasysh krizën në të cilën po kalon Lidhja Demokratike e Kosovës, as Quni e sidomos Haziri nuk janë personalitete që do të ndikojnë në kthimin e besimit tek anëtarësia e gjerë e këtij subjekti politik. Së këndejmi mbetët shpresa se do të mbretëroj mirëkuptimi dhe kësisoj të mundësohet çkapja e kësaj partie nga një grup-garda dekadëshe që gati e rrëzoi për tokë LDK-në. Në krye të kësaj partie duhet të zgjedhën personalitete kredibile që kanë kapacitete intelektuale për të bërë kthesa radikale në organizimin e një pune më ndryshe, më përmbajtësore, për të çuar përpara kërkesat jo vetëm të anëtarësisë. Pa dyshim, kuadro të tilla ka sa të duash ky subjekt politik vetëm se duhet lënë anash interesat personale e grupore në mënyrë që ato të kenë hapësirë për të vepruar e punuar pa pengesa nga të tjerët, sidomos, nga ata që u shpenzuan politikisht, po besa edhe moralisht gjatë aktivitetit të tyre të gjatë politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat