A ishte vdekje e natyrshme vdekja e prokurorit Enver Krasniqi?!

Opinione

A ishte vdekje e natyrshme vdekja e prokurorit Enver Krasniqi?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 10 mars 2021 Në ora: 21:02
Enver Krasniqi

U tha se ishte duke luajtur me miqtë e tij nga Prokuroria dhe disa policë, papritmas pasi pati probleme shëndetësore qysh në pesë minutat e parë të ndeshjes, teksa as ndihma e miqve nuk i ndihmoi dot të shpëtonte jeta e prokurorit Enver Krasniqi. Do të ishte krejtësisht e pavend të merremi më një rast të vdekjes së të ndjerit, edhe për shkak të ndjeshmërisë, që një djalë i ri të ndërrojëjetë, mirëpo puna e tij na bën të domosdoshme të merremi pak më hollësisht me rastin në fjalë.

Fillimisht të kujtojmë se Enver Krasniqi po hetonte tri prej rasteve më të bujshme në vend – vjedhjen e 2.1 milionëve nga Thesari i Shtetit, Listën e Veteranëve dhe çështjen e Kasafortës në Presidencë. Mjafton të përmendim këto raste për të ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën e tij të vdekjes, duke shkuar edhe tek tetja, sa afër mendsh aq edhe “ekstreme”: e vranë apo ishte vdekje aksidentale, e papritur?! Kur themi e vranë nënkuptojmë me ndonjë komplot nga ata që janë objekt i hetimit, shto këtu pastaj guximin e prokurorit, element të mjaftueshëm për të ngritur dyshime.

Sentenca e vjetër thotë “çdo e vërtetë fillon nga një dyshim”, si për të na shtyrë edhe më shumë në kërkim të vërtetës, për këtë ngjarje e cila në të shumtën e rasteve ngreh dyshime. Këto dyshime ngritën kur kemi të bëjmë me një shtet të kapur, pa harruar këtu edhe rastet tjera, më i bujshmi i Dino Hasanajt, pa harruar edhe të Astrit Deharit. Në një sistem ku nuk ka besim, natyrisht se dyshimet janë më të shpeshta, mbi të gjitha dhe më të arsyeshme. Prokurori Krasniqi edhe mund të ketë vdekur ashtu si thonë, nga një infarkt momental, si për ta përligjur këtë variant aty kishte shkuar edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi. Gjithsesi, marrë parasysh rastet e mësipërme dhe për të larguar të gjitha dyshimet, besoj se ka nevojë për ekspertizë të huaj, për te qetësuar edhe dyshimet e atyre që dyshojnë në këtë rast. Të kujtojmë se pikërisht për rastin e vjedhjes së 2.1 milionëve nga Thesari i Shtetit, Prokuroria me kërkesë të Krasniqit kishte arrestuar Labinot Grudën dhe Kadri Shalën.

Në fund të muajit nëntor, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar paraburgimin edhe për 30 ditë. Ish prokurori Elezi u largua nga Kosova për shkak të presioneve derisa po hetonte rastin e “veteranëve”, format dhe mënyrat e kërcënimeve ndaj prokurorëve të ndershëm kanë qenë gjithnjë prezent, ndonëse janë të pakët ata që këto i kanë bërë publike. Gjithsesi nga kjo mjafton të kuptojmë për presionet e mëdha që përjetojnë prokurorët e ndershëm, aq më tepër kur hetojnë raste të ndjeshme, të tilla ishin ato që po hetonte prokurori Enver Krasniqi. Besoj se prokurori Krasniqi ishte i ndershëm me lutjen që shpirti i tij të prehet në paqe, megjithatë besoj se duhet një ekspertizë ndërkombëtare për të vërtetuar shkakun e vdekjes së tij. Besimi ka humbur këtu në organet shtetërore, kriza e besimit është në nivel alarmant, jo me fajin e qytetarëve dhe mediave, por të atyre që kanë qeverisur. Mënyra kriminale e qeverisjes, sidomos në kohën e PDK, ka humbur besimin, i cili besim si kurrë më parë ka nevojë për tu rikuperuar, por me njerëz të ndershëm në krye të shtetit. Të gjithë ata qytetarë, ata njerëz qoftë në media apo të rëndomtë, kanë nevojë për një të vërtetë ndërkombëtare për rastin në fjalë, derisa nuk ndodh kjo gjë, edhe dyshimet s’do të largohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat