Jo veteranët në krye të LDK-së

Opinione

Jo veteranët në krye të LDK-së

Nga: Hafiz Shala Më: 11 mars 2021 Në ora: 15:52
Hafiz Shala

Për zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbretëron një interesim i posaçëm në tërë vendin.

LDK-ja, ishte njëra ndër partitë kryesore në vend prandaj, në zgjedhjet e fundit ra aq poshtë sa që, edhe oponentët politik dhe dashamirët e Kosovës një gjë tillë nuk do të ja dëshironin.

Një parti e udhëhequr nga një lider i vërtetë, një vizionar, rreth të cilit u radhitë i tërë populli i Kosovës në periudhat më të vështira politike por edhe ndryshimeve nën rrethanat e jashtëzakonshme të një tranzicioni historik deri te përcaktimi i fatit të Kosovës për shtet demokratik, sovran dhe të pavarur, në marrëdhënie të përhershme më SHBA-të, filozofi e proklamuar që nga themelimi i kësaj partie nga lideri historik i sajë dhe njëherësh një George Uashington i Kosovës, më pikësynim të arritjes së kësaj ëndrre gjatë gjithë historisë sonë edhe tragjike por edhe të bujshme e krenare që nga Rilindasit tanë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e cila e shpalli idenë historike rreth mëvetësimit dhe të bashkimit më shtetin amë Shqipërinë.

Që nga themelimi në vitin 1989, lidhja Demokratike e Kosovës, e bëri shkëputjen e parë nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe u shndërrua në një Lëvizje gjithëpopullore nën udhëheqjen e Liderit të sajë, Dr. Ibrahim Rugova.

Tani, pa u thelluar në historinë e themelimit, veprimtarisë dhe unifikimin e popullit rreth kauzës kombëtare për çlirim dhe shtetformim, rëndësia e sajë historike, na drejton te një mendim racional, nga i cili na preferon ta pranojmë së, LDK-ja ishte themeli i shtetit të Kosovës, ndërsa, pas çlirimit, parti shtetndërtuese më të gjitha tiparet e një partie mbi të cilën mbështetej Kosova rreth organizimit të qëndrueshëm në konstituimin e institucioneve demokratike deri të organizimi i luftës çlirimtare nga okupatori serb.

Titullin e këtij shkrimi, më qellim i vura: Jo veteranët në krye të LDK-së.

Nisur nga skandalet e veteranëve të luftës, skandalet e veteranëve të politikës, veteranëve të drejtësisë, gjyqësisë, prokurorisë dhe institucioneve tjera mbikëqyrëse, në periudhën ma se 30 vjeçare, na përcakton së, megjithë kontributin e tyre që ata mendojnë se e kanë dhënë për Kosovën, dikush më shumë e dikush më pak, rezultati përfundimtar, nuk po na del inkurajues e as shpresëdhënës. Në të vërtetë, stagnim dhë kthim prapa. Në luftë, veteranët e vërtetë, meritojnë lavdi e respekt të përjetshëm.

Kosova, falë Bashkësisë Ndërkombëtare, në rend të parë të SHBA-ve, e cila e mori rolin e kujdestarit, politik, ekonomik, të sigurisë e shtetndërtues, ja dolëm që deri në këto momente të mbijetojmë.

Dhe do të mbijetojmë, nëse i bëjmë ndryshimet rrënjësore sipas verdiktit të popullit i cili, sikur më parë në historinë tonë, ia përcaktoi fatin dhe të ardhmen e Kosovës.

E, kjo, mund të arrihet me kuadro të reja akademike të cilat i kemi, jo vetëm në LDK por, në shumicën e partive, posaçërisht në koalicionin e tanishëm.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga vdekja e Rugovës, nuk mundi t’u përballojë sfidave të brendshme politike në të cilat, shpesh ka ra në duar të ndyta nga të cilat edhe e fundosi fatin e vetë që për Kosovën është një humbje shumë e madhe sepse, në krye të sajë erdhën ata të cilët më emrin e Dr. Rugovës, vetëm mblidhnin poenë politik në mënyrë perfide por të pandershme, duke e lënë jashtë loje bazën e partisë, pra degët e sajë, duke u orientuar në udhëheqjen e kësaj partie më metoda komuniste:” presim direktiva nga qendra”.

Ky narracion politik, e solli LDK-në në humbje të cilin as kundërshtari i saj politik e asnjë qytetar i rëndomtë, nuk do t’i dëshironte. Në të vërtetë, brengosej.

Prandaj, veteranët në këto rrethana dhe situatën evalutive, duhet mos të përfshihen në udhëheqjen e ngushtë ndërsa, sa i përket postit të kryetarit, absolutisht nuk duhet të vijnë në shprehje.

LDK-ja, ka kuadro të reja akademike të cilat nuk kanë hyrë në pazare e koalicione të dëmshme politike për LDK-në dhe Kosovën ose i kanë kundërshtuar, nuk kanë marrë pjesë në afera korruptive e kriminale, nuk kanë qenë argat i të keqes rreth ideve për korrigjim apo ndarje të Kosovës (përpos individë që e kanë shpallë kandidaturën për të parin e kësaj partie si zoti Lutfi Haziri), më në fund por edhe kryesorja, nuk duhet të jenë të preferuarit e as te dirigjuarit të të parit të LDK-së, zotit Isa Mustafa.

Përndryshe, LDK-së edhe ashtu do t’i duhet një kohë pak më e gjatë për t’u këndellur, pastaj, rrënjësisht të bëjë ndryshime organizative e programore, riaktivizimin e vërtetë të degëve të saj si bazë themelore e demokracisë së brendshme që ta rikthejë elektoratin i cili ishte për ndryshim por u anashkalua nga udhëheqja idhnake, dinake dhe kokëfortë, të cilës i kushtoi më dështimin e partisë si asnjëherë më parë.

Kur inati është më i madh se takati, sjell dështim dhe zhgënjim.

Pas këtij dështimi, fshihet edhe një mision i cili po qe se përkrahet, LDK do të përjetojë fiasko politike. Fjala është për zgjedhjen e Presidentit/tes, ku për qellim e ka mosvotimin e zonjës Vjosa Osmani, ku zoti Isa Mustafa publikisht u deklarua.

Për këtë ka lidhe çykë zoti Isa Mustafa i cili është në gjendje të pajtohet për çka do t’i kërkohet, vetëm deputetëve të LDK-së tu urdhërojë të mos qëndrojnë në sallë gjatë votimit.

Kjo nënkupton zgjedhje të reja, maltretim, shpenzim dhe rrezikim i popullatës edhe ashtu të rrezikuar edhe në zgjedhjet e fundit nga pandemia covid-19, ku si rezultat kemi rritje të të vdekurve dhe të infektuarve.

Se ku do të gjendet LDK-ja, nese e përkrah këtë ide, me siguri edhe më keq së në këto zgjedhjet e fundit, por, gjithashtu, edhe partitë tjera nëse pajtohen më këtë mendësi.

Dua të shpresoj se nëse partitë luajnë mendsh, deputetët e zgjedhur nga populli këtë nuk do ta bëjnë.

Rregullorja i obligon që të qëndrojnë në sallë, pa marrë parasysh së si do të votojnë.

Prandaj, mos të harrojnë se edhe si opozitë, në raste të këtilla më rëndësi nacionale, nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë kushtetuese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat