Besian Mustafa nuk është pjesë e klanit të Isës

Opinione

Besian Mustafa nuk është pjesë e klanit të Isës

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 mars 2021 Në ora: 21:56
Besian Mustafa

Të dielën e 14 marsit, LDK do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm, ku do të zgjidhet kryetari dhe organet e tjera të partisë. Deri atëherë, po luhet një lojë e fortë për kontroll të mëtutjeshëm të partisë. Edhe pse Isa Mustafa deklaron se është i paanshëm, realiteti është krejt ndryshe. Isa po vazhdon të jetë përcaktues për kandidatin e tij të preferuar. Deri më tani në garë janë katër kandidatë: Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe së fundmi edhe Besian Mustafa.

Duket se kandidatura e Besianit nuk është pritur mirë nga Isa Mustafa, i cili me dinakërinë e tij bëri goditjen e parë nën brez për Besianin, me deklarimin e tij se “Janë tre zyrtarë të cilët në organet e LDK-së kanë paralajmëruar se do të paraqesin kandidaturat e tyre për kryetar të LDK-së. Po ashtu lexova dje edhe për një paralajmërim, i cili nuk u është adresuar organeve të LDK-së, por mediave. Sidoqoftë, kandidaturat paraqiten në Kuvend përmes Komisionit Kandidues”.

Me këtë, Isa sikur u mundua ta eliminojë Besianin nga gara me pretekstin se “kandidaturën e tij nuk e ka adresuar në organet e LDK-së“. Duket se Isa ka frikë nga ardhja e Besianit në krye të LDK, me llogaritë e tija që mund t’i dalin jashtë parashikimit. Duke ditur se Besiani është djali i një intelektuali të madh, krahut të djathë të Rugovës, njeriu që nuk bën kompromise me SHIK, Isa ndjehet në siklet mos po i dalin llogaritë jashtë dorës. Matematika e Isës, jep dorëheqje formalisht, kontrollo nga nëntoka, ka mundësi të dështojë. Edhe pse Besiani akoma nuk duket figurë e gdhendur politikë, mes luhatjeve të anëtarësisë për ta votuar atë, gjithsesi Besiani paraqet një figurë të re, një imazh të ri, i cili i duhet partisë. Mendoj se Besiani është dashur qysh herët të kërkojë reforma brenda partisë, të fillojë konsultat me anëtarësinë, me degët në qytete të vendit, të shpalos programin e tij për ringritjen e LDK-së, kështu do të mund të ishte më e konsoliduar figura e tij prej lideri të ardhshëm të partisë.

Besian nuk është pjesë e asnjë klani, aq më tepër i klanit të Isës, të cilët përmes kandidaturave të tyre tentojnë të vazhdojnë kapjes e partisë, futjen e saj nën ndikim të vazhdimit të tyre për interesa të tyre. Vetëm një person si Besiani, biri i një intelektuali të vrarë , i pakorruptuar, me ide të qarta, është i denjë për të kthyer partinë në binaret e duhura. LDK, si kurrë më parë ndodhet në një moment të saj krucial: shpëtimin, ose fundosjen e saj përfundimtare. Edhe pse, Besiani e ka të vështirë të fitojë në këto zgjedhje, duke ditur ndikimin e madh që ka klani i Isës brenda degëve, konkretisht kryetarëve të degëve, vet kandidatura e tij është një mesazh i mirë për ndryshimin e duhur dhe të domosdoshëm.

Nuk është fare e lehtë lufta me klanin e Isës, një klan që ka lidhje edhe me SHIK-un, e të cilët janë përgjegjës për shkatërrimin e partisë, dhe Kosovës. LDK ka nevojë për Besianin më shumë se Besiani për LDK-në. Kur themi Besianin, nuk kam parasysh emrin e tij por atë që ai e paraqet si njeri, si individ, mbi të gjitha si një reformator. LDK ka nevojë për të rinjtë, të cilët janë larguar kësaj partie. Fatkeqësisht LDK e sotme ka mbetur si një shtëpi e pensionistëve, të cilët duhet të kuptojnë se fundi i tyre ka ardhur, Duhet të rinj jo vetëm nga mosha por edhe nga mentaliteti, për ta ritkthyer partinë në maje të saja, si dikur në ditët e Rugovës. Besiani iu ka future frikën klanit të Isa Mustafës, të cilët do të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar atë që të kandidojë, edhe nëse këtë nuk e arrijnë do bëjnë përpjekje të mëdha për mos të fituar Besiani. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur lufta me klanin e Isa Mustafës, shkatërruesit të partisë. Edhe Lumiri është i ri, por është garniturë e Isa Mustafës, përmes të cilit Isa do të vazhdojë të kontrollojë partinë. Kështu që, Besiani është njeriu që i duhet LDK-së. E ashpër pritet të jetë beteja për të parinë e LDK këtë të diel, me Isën që duket se është nën emocione, mos po i del loja nga skenari që e ka përgatitur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat