Letër e hapur për Anton Qunin, Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën

Opinione

Letër e hapur për Anton Qunin, Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën

Murteza Osdautaj Nga Murteza Osdautaj Më 11 mars 2021 Në ora: 21:58
Haziri, Mustafa, Abdixhiku dhe Isa Mustafa

Së shpejti do të fillojnë zgjedhjet për kryetarin e LDK-së e cila, si kurrë më parë, kësaj radhe është e dërmuar në të gjitha aspektet. Ajo ka humbur të gjitha zgjedhjet që nga viti 2006, ka humbur të gjitha zgjedhjet që kur në krye të saj erdhi Isa Mustafa dhe degradoi deri në shkërmoqje në zgjedhjet e fundit në të cilat i fitoi hiq më pak se 12% të votave.

Zgjedhje a e kryetarit në zgjedhjet e të dielës nuk është as zgjidhja as shpëtimi. Zgjedhja e kryetarit të ri të LDK-së është ose fillimi i këndelljes së saj, ose fillimi i rrënimit të saj përfundimtar.

LDK nuk ka asnjë problem organizativ, LDK nuk ka problem strukturor dhe hierarkik, LDK nuk ka problem kuadrot dhe përgatitjen e tyre profesionale dhe politike.

LDK e sotme, në gjendjen në të cilën e ka sjellë Isa Mustafa me shpurën e tiji të servilëve dhe profiterëve, problemin më të madh të saj e kam humbjen e shpirtit të saj dhe mbytjen e frymës së saj e cila e mbante gjallë dhe në të cilën besonte masat popullore.

LDK ka mbetur pa frymën dhe pa ideologjinë, ajo ka mbetur pa formën e saj dhe pa përmbajtjen. Në këtë situatë ajo është shndërruar në një grup interesi, në një grup oligarkësh dhe të pangopurish për pushtet ekonomik dhe politik.

LDK, ka mbetur pa shpirtin e saj që përfaqësohej nga shqiptarizma moderne, nga humanizmi historik evropian i shqiptarëve, nga traditat më të mira demokratike të botës dhe nga burimet filozofike që janë zhvilluar që nga antika. Ajo ishte mbrojtëse e vlerave evropiane dhe perëndimore të shqiptarëve, ishte kultivuese e traditave mbi shenjtërinë e familjes dhe të lirisë, ajo ishte formë moderne e shpërfaqjes së identitetit shqiptar që buron nga luftërat heroike të Skënderbeut për lirinë, kombin dhe vlerat oksidentale.

LDK kishte shpirt, kishte ideologji, kishte themel kulturor dhe politik mbi të cilët arriti që Kosovën ta shndërrojë në njërin ndër problemet ndërkombëtare të botës moderne dhe shqiptarët t’i identifikojë si një nga popujt modernë të Evropës moderne.

Po tash LDK është e kalbur përbrenda! Ajo është bërë pronë private e një grupi njerëzish të kryesisë aktuale dhe e deputetëve aktualë dhe atyre që nuk arritën të fitojnë. Degët dhe nëndegët janë shndërruar në instrumente të kryetarëve të degëve dhe të deputetëve të rajoneve. Në Këto njësi organizative, për më shumë se dhjetë vjet, nuk janë zhvillua zgjedhje demokratike dhe shumë njerëzve iu janë mohuar mundësit dhe shanset për të dhënë kontribut dhe për t’u zgjedhur.

LDK është shkretuar sepse ka bërë kompromise të fëlliqura dhe ka mbytur shpresën e njerëzve të saj. LDK i është zënë fryma nga shërbyesit dhe servilet e Isa Mustafës lartë dhe nga servilët dhe shërbëtorët e deputetëve dhe kryetarëve të degëve, poshtë.

Të nderuar miq të mi, mos konkurroni nëse nuk mund ta ktheni shpirtin burimor të LDK-së. Mos konkurroni nëse nuk do ta risjellni dhe ringjallni ideologjinë burimore të saj që kishte për bazë barazinë, vëllazërinë, humanizmin, lirinë, demokracinë dhe shqiptarizmin.

Mos konkurroni nëse nuk mund t’i zbuloni dhe nuk mund t’i qitni në dritë xhevahiret e LDK-së, besimin në lirinë dhe në ndërtimin e shtetit, humanizmin dhe barazinë, konsekuencën dhe qëndrueshmërinë ndaj vlerave historike të LDK-së.

Nëse konkurroni dhe nuk e bëni LDK-në familje të vlerave demokratike dhe të njerëzve të mirë, po ua them se do të përfundoni më keq se Isa Mustafa por, kësaj radhe, me ju do të përfundojë edhe partia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat